Shpëtim Çuçka: Pse dhe si po shkatërrohet kultura e përkthimit

Shpëtim Çuçka: Pse dhe si po shkatërrohet kultura e përkthimit

Shpëtim Çuçka

Kaq shumë letërsi botërore, e ardhur në gjuhën shqipe nga përkthyes me formim të dyshimtë. Libra për fëmijë, të sjellë në shqip me një sintaksë të papërshtashme. Nobelistë që nuk ua shijon dot në vepër “lëngun” origjinal të gjuhës e të stilit dhe, më keq, ardhja plot pasaktësi në shqip e literaturës shkencore… Të gjitha këto kanë prodhuar probleme që kanë shkatërruar traditën më të mirë që kemi pasur, deri para viteve ’90; atë të përkthimit dhe të pasurimit të gjuhës shqipe. Pak përkthime serioze gjen sot në treg dhe përkthyesit e mirë mund të numërohen me gishtat e dorës.

E, ky konkluzion, nuk është thjesht i një gazetari apo i një lexuesi të zellshëm të letërsisë.

Përkthyesi i mirënjohur, Shpëtim Çuçka, që ka sjellë në gjuhën shqipe autorë të mëdhenj botërorë; nga Sofokliu tek Euripidi e Aristofani, si dhe nga Gëte tek Umberto Eko, në një intervistë për “Shqiptarja.com” konstaton se pas vitit 1991, cilësia e përkthimeve, jo vetëm që ka rënë në mënyrë të ndjeshme, por bashkë me përkthimin edhe gjuha shqipe po dëmtohet. Si dhe pse po shkatërrohet kultura e përkthimit dhe ajo gjuhësore në Shqipëri.

Një varg problemesh dalin në dritë nga përkthyesi dhe gjuhëtari i talentuar Shpëtim Çuçka, jeta e të cilit është e lidhur pazgjidhshmërisht me përkthimin, që në pranverën e vitit 1977, kur mori zytarisht titullin përkthyes (edhe pse  veprimtarinë përkthimore e kishte nisur që në shkollë të mesme). Shpëtim Çuçka ka përkthyer e botuar vepra në shqip nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por edhe nga italishtja, gjermanishtja, rusishtja, anglishtja, etj.

Ka përkthyer ndër të tjera, nga Eskili tragjeditë “Lutëset” dhe “Persët”, tragjedinë “Filokteti” të Sofokliut. Ka përkthyer nga nga Aristofani komeditë “Grerakët” dhe “Pluti”, e nga Aristoteli “Kushtetuta e Athinës”. Ka përkthyer “Mbi moralin” e Epikurit. Tashmë që Shpëtim Çuçka rrëfen se është duke përkthyer një kolanë me 12 vepra të shkrimtarit të madh Leon Tolstoi, kujtojmë se ai ka sjell në shqip dhjetëra përkthime edhe nga letërsia e re botore, si romanet “Këshilli i Egjiptit” dhe “Secilit hakun” nga Leonardo Shasha; nga Gëtja ka përkthyer veprat në vargje, “Fausti” dhe “Torkuato Taso” dhe nga  Umberto Eko romanin “Lavjerrësi i Fukoit”. Mes të tjerave, Shpëtim Çuçka ka përkthyer edhe përralla për fëmijë.  

Dhe ja, mbështetur mbi përvojë dhe profesionalizmin e përkthyesit të njohur, le të prekim nga afër problemet e mëdha të përkthimit dhe të gjuhës shqipe në një hark kohor perj tri dekadash. Kanë kaluar shumë vite me këto probleme, dhe askush nuk vret mendjen për një zgjidhje, ndaj është koha që t’i themi ndal shkatërimit të gjuhës dhe abuzimit galopant me përkthimet.

Intervista

Profesor Çuçka, pas viteve ’90, menjëherë pas liberalizimit të botimeve dhe hapjes se dhjetëra shtëpive botuese në Shqipëri, është shtuar jashtë mase fluksi i përkthimeve të letërsisë botërore, por edhe i literaturës shkencore, e më gjerë. A mund të jetë përkthyes i mirë çdokush që e njeh në nivel të mirë apo të shkëlqyer një gjuhë të huaj?

-Ju falënderoj që shprehët dëshirën të më intervistoni. Dhe më lejoni ta shoh pakëz më gjerë çështjen e përkthimeve përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj.

Pas vitit 1991 shumë gjëra ndryshuan në vendin tonë, madje ndryshuan me themel. Ndër të tjera edhe politika kulturore. Në përputhje me të gjithë platformën e ideve, ku u mbështet veprimtaria shtetërore që nga ai vit, edhe në fushën e kulturës themel i gjithçkaje u bë faktori financiar, fitimi. Këtij faktori iu bashkua edhe faktori tjetër, i pamohueshëm dhe tejet i rëndësishëm, ai i lënies së politikës kulturore në rrjedhje të lirë, pa frymë dhe pa interesa kombëtare, pa respektim të traditës sonë më të mirë, më saktë me mohim të saj. Në të gjitha fushat e kulturës.

Unë nuk po zgjatem me vërtetimin e këtyre përfundimeve të mia. Nuk është vendi këtu. Por jam i bindur se njerëz me përvojë edhe nga jeta, edhe në fushën e kulturës, ose kanë arritur tanimë në të tilla përfundime, ose po binden përditë e më shumë në saktësinë e tyre.

A mund të bënin përjashtim këtu përkthimet? Natyrisht jo. Do të kishte qenë një çudi. Dhe çudira, siç dihet, nuk ka. Përkthimi është një fushë mjaft e veçantë e veprimtarisë mendore. Nuk po them “e vështirë” (ndonëse është edhe e tillë), por po përdor përcaktimin “mjaft e veçantë”. Kjo do të thotë se numri i atyre që mund të merren me veprimtari përkthimore (në një vend të vogël si vendi ynë, por edhe në vende të tjera më të mëdha) është krahasimisht i kufizuar. Dhe ndodh kështu si nga nevojat e kufizuara të vetë shoqërisë, aq edhe nga veçanësitë dhe vështirësitë profesionale të përkthimit.

Me shtimin e ndjeshëm të përkthimeve pas vitit 1991, pra, me përfshirjen e një numri gjithnjë e më të madh njerëzish në këtë veprimtari me kërkesa të shumta gjuhësore dhe kulturore, ra në mënyrë të natyrshme cilësia e përkthimeve. Përvoja vërtetoi edhe një herë një mësim të vjetër, që thotë se për përkthimet e mira nuk mjafton njohja – as e mirë dhe as e shkëlqyer – e një gjuhe të huaj. Nevojitet më së pari njohja shumë e mirë dhe e shkëlqyer e gjuhës amtare (e kam fjalën për përkthimet nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe, pasi përkthimi nga shqipja në gjuhë të huaj tjera është shumë më i vështirë për t’u kryer nga shqiptarët që nuk jetojnë prej një kohe të gjatë në atë vend të huaj, në gjuhën e të cilit do të kryhej përkthimi i një vepre të shkruar në gjuhën shqipe), e shoqëruar me një kulturë të gjerë në fushat kryesore të jetës shoqërore.

Është e mjaftueshme për një përkthyes, që të njohë mirë vetëm një gjuhë të huaj, sepse ka edhe të tillë, që madje kanë përkthyer nobelistët?

-Këtu nuk mund të mbahen qëndrime të prera. Kur ndërmerret përkthimi i një vepre konkrete, kërkesat burojnë nga natyra e kësaj vepre: sa më e gjerë dhe e shumanshme të jetë shtrirja kulturore, pra edhe gjuhësore, e veprës në fjalë, aq më e nevojshme është që përkthyesi të ketë ato njohuri, mungesa e të cilave do ta bënte përkthimin ose të pamundur, ose shumë të dobët. Përkthehet një vepër, që e merr temën nga bota e muzikës, e historisë, e filozofisë etj.etj.? Përkthyesi duhet të ketë njohuri nga këto fusha me shtrirje pothuaj universale.

Një gjë mund të thuhet pa mëdyshje: njohja e disa gjuhëve e lehtëson ndjeshëm punën përkthimore.

Sa për përkthimin e nobelistëve, më duhet të them se te ne është krijuar një përshtypje e gabuar lidhur me këtë shtresë krijuesish. Njerëzit shpesh kujtojnë se nobelistët, sidomos ata të letërsisë, janë mjeshtra të fushës së tyre. Jam i bindur që në jo pak raste kjo nuk është e saktë. Në vitin 2015 çmimi “Nobel” për letërsinë iu dha shkrimtares S. Aleksieviç, e cila shkruan në gjuhën ruse. Por nuk besoj se ndokujt do t’i shkonte nëpër mend ta shihte përkthimin e veprave të kësaj shkrimtareje më të vështirë, me kërkesa më të larta sesa, për shembull, përkthimin e veprave të shkrimtarit M. Gorki (që, si për çudi, por aspak për çudi, nuk u shpall kurrë fitues i atij çmimi).

Fakti që një shkrimtar është nobelist ose që një vepër është shitur me tirazhe të mëdha, nuk do të thotë aspak që një autor apo një vepër e tillë të shënojnë detyrimisht arritje në historinë e letërsisë botërore dhe, rrjedhimisht, paraqesin kërkesa të mëdha profesionale përpara përkthimit. Shoqëria njerëzore nuk ka ecur përpara falë modës, përkundrazi moda ka qenë dhe mbetet pengesë për zhvillimin e njerëzimit.

Dhe, së dyti: ka vepra gjuhësisht të vështira dhe ka vepra me thellësi jo të zakonshme mendimi. Në të dyja rastet përkthyesi mund të ndeshet dhe ndeshet me vështirësi jo të vogla. Por interpretimi i mendimeve mbetet një punë me shumë përgjegjësi dhe me shtrirje shoqërore më të gjerë sesa përkthim-riprodhimi i një teksti gjuhësisht të ndërlikuar, pra, me forcë të kufizuar komunikimi.

Keni njohur raste të dëmeve që iu janë bërë veprave letrare nga përkthimet pa kontroll gjatë dy-tri dekadave të fundit. Çfarë shembujsh flagrantë mund të rrëfeni në këtë intervistë?

-Më vjen keq që nuk mund të sjell këtu shembuj përkthimesh, që kanë dëmtuar, jo vetëm veprën origjinale, por edhe shijen e kulturën gjuhësore të lexuesve. Nuk jam marrë asnjëherë vijimisht me hulumtime të tilla. Por në rastet e panaireve të librit në Tiranë, si edhe gjatë leximeve të mia të herëpashershme, më ka qëlluar të ndesh përkthime të dobëta dhe tejet të dobëta. Të dobëta gjuhësisht e kulturalisht, por edhe nga pikëpamja e teknikës përkthimore ose e metrikës së vargëzimit.

Sa për të bërë një konkretizim. Kemi pasur dhe kemi shembuj përkthimesh nga greqishtja e vjetër. Njohësit e kësaj gjuhe në vendin tonë kanë qenë kurdoherë shumë të paktë. Dhe njëra nga vështirësitë e përkthimit të veprave të shkruara në këtë gjuhë ka qenë dhe mbetet harmonizimi i marrëdhënieve mes gjuhës së origjinalit dhe gjuhës shqipe: harmonizim në shtrirjen dhe ndërthurjen sintaksore, në cilësinë e fjalorit, në estetikë dhe stilistikë. Janë vështirësi objektive, të cilat përkthyesit i kanë zgjidhur nisur nga vlerësimet e tyre vetjake. Dhe, nëse të tilla përkthime mbeten tejet problematike, kjo buron jo vetëm nga hapësira mijëvjeçare që ndan gjuhën one të sotme nga greqishtja e vjetër, me të gjitha ngarkesat përmbajtësore e estetike që rrjedhin së këtejmi, por edhe nga kultura e përgjithshme gjuhësore, filologjike, historike dhe qëndrimi I përgjithshëm kulturor  I përkthyesit jo vetëm ndaj veprës origjinale por edhe ndaj lexuesit të sotëm. Përfundimi? Që mundësitë për të përkthyer në mënyrë të suksesshme – të themi, “Iliadën” – janë shumë-shumë të pakta, ndërsa mundësitë për të dështuar janë shumë-shumë të mëdha.

Vihet re se botues të ndryshëm përpiqen të risjellin autorë klasikë, të cilët më herët kanë ardhur në gjuhën shqipe nga përkthyes të mirënjohur. A bëhet kjo për të korrigjuar problemet e mbartura në përkthimin e vjetër, apo thjesht për motive biznesi?

-Ripërkthimet janë një proces i natyrshëm kulturor: zhvillohet gjuha shqipe, pasurohet ajo, dhe kjo sjell nevojën e ripërkthimeve. Për më tepër, përkthimet e dikurshme janë pasqyrë e nivelit kulturor të përkthyesve të dikurshëm dhe të shoqërisë së kohës, të lexuesit të kohës. Ndaj deri këtu nuk ka asgjë shqetësuese.

Çështja është se kush i ndërmerr këto ripërkthime dhe ç’punë nxjerr nga duart. Çështja është nëse këto ripërkthime janë të ndërgjegjshme, janë shprehje e një ndërgjegjeje të lartë qytetare e kulturore të përkthyesve dhe botuesve, apo janë fryte manipulimesh të rëndomta dhe të ulëta.

Në këtë rastin e dytë do të kishim të bënim me një shfaqje tjetër të krizës së madhe, kulturore e jo vetëm, ku lëngon vendi prej disa dhjetëvjeçarësh.

Sa afër dhe larg janë përkthimi dhe krijimi? Dhe si mund të na e shpjegoni më qartë përdorimin e dy termave në këtë fushë: “përkthim” e “shqipërim”?

-Përkthimi në veçorinë e tij është një krijim. Me një dallim nga krijimet e mirëfillta: që përkthimi kryhet në përputhje me një krijim tjetër (që është origjinali), në përshtatje me të.

Por – e përsëris – edhe përkthimi është krijim. Kur Noli përktheu “Don Kishotin”, kjo vepër ekzistonte në spanjisht për lexuesit spanjollë, por nuk ekzistonte në shqipe për lexuesit shqiptarë, “Don Kishoti” shqip nuk ekzistonte. Në këtë kuptim Noli krijoi për kulturën shqiptare “Don Kishotin” shqip, pasuroi kulturën tonë kombëtare (sepse vepra u bë pjesë e botës sonë kulturore) me “Don Kishotin”.

Në të dyja rastet ka një proces krijimi, lind diçka e re. Me ndryshimin që në rastin e parë krijuesi i origjinalit është i lirë të krijojë sipas vullnetit dhe aftësive të tij, ndërsa në rastin e përkthimit përkthyesi duhet të krijojë në një gjuhë një vepër që ekziston tanimë në një gjuhë tjetër, domethënë të rikrijojë një vepër duke iu përmbajtur një vepre origjinale. Kjo do të thotë se ai as shton e as heq personazhe, as shton e as heq ngjarje, por vetëm i përshtat ato për një botë të re, për një komb tjetër, për një kulturë tjetër.

Sa për termat “përkthim”-“shqipërim”, fjalori shpjegues i gjuhës së sotme shqipe është i qartë: ai quan “shqipërim” atë përkthim, i cili e bën një vepër të huaj të tingëllojë sa më shqip. Por ndërsa termi “përkthim” është përcaktim teknik, pa ngjyresa vlerësuese, dhe përdoret në të gjitha rastet, termi “shqipërim” është vlerësues dhe si rregull nuk përdoret në mënyrë vetjake nga një përkthyes për punën që ka nxjerrë nga duart, por përdoret nga njerëzit, kur këta çmojnë se duhet çmuar e nderuar puna konkrete e një përkthyesi.

A ka sot në Shqipëri një status të përcaktuar qartë për përkthyesin sipas kritereve akademike?

-Sot në shkollat tona të larta përkthimi, me sa di unë, është jo vetëm lëndë mësimore, por edhe drejtim kualifikimi profesional. Megjithatë, edhe kush mbaron një kurs një- a disavjeçar studimor për këtë profil veprimtarie, nuk besoj se mund të shpallet menjëherë “përkthyes”. Kjo vlen edhe në drejtime të tjera të arsimit universitar. E vetmja dëshmi serioze dhe e vlefshme për të përcaktuar dikë si përkthyes është realizimi prej tij i një përkthimi (aq më mirë nëse jo vetëm një, por disa të tillë) dhe verifikimi i përkthimit nga një kontrollor (dikur ata që kryenin këtë detyrë, quheshin redaktorë), aq më mirë sikur ky të jetë edhe vetë përkthyes.

Shkurt, vetëm puna mund ta bëjë njeriun përkthyes (nëse e bën, pasi edhe kjo nuk është kurdoherë e sigurt). Kjo çështje të kujton veprimtarinë aktoriale. Dikush mund të mbarojë edhe shkollë profesionale për aktrim, por që të bëhet vërtet aktor, domethënë që të paraqitet si i tillë përpara shikuesit dhe të marrë vlerësimet e publikut, si dhe të fitojë besimin e regjisorëve, për këtë atij i duhet shumë punë e jo vetëm talent. Vetë shkolla, arsimi, nuk janë veçse shkallare përgatitore, të cilat duhen ngjitur për të përballuar një veprimtari konkrete, në shembullin tonë atë veprimtari, që përgatit dhe formon specialistin e përkthimit si edhe specialistin e aktrimit, aktorin.

Çfarë kriteri mund ta parandalojë papërgjegjshmërinë në punën e një përkthyesi, kur në jo pak tekste shohim të tilla fjali e të tillë togfjalësha që lidhen me njëri-tjetrin jo nga ligjet e sintaksës dhe gramatikës shqipe, por nga “ligjet e informatikës” në variantin google translate?

-Në fillim të intervistës sonë unë vura në dukje thyerjen e rëndë kulturore (po edhe në fushat e tjera) që ndodhi në vendin tonë në vitin 1991. Këtu mund të shtoj që shmangia e punës së papërgjegjshme të dikujt që ndërmerr një përkthim kërkon vendosjen e përkthimit, si edhe të të gjithë veprimtarisë kulturore, mbi disa rregulla të qarta, të detyrueshme për zbatim. Këto rregulla, ky kodifikim i veprimtarisë përkthimore, mund të përcaktohen vetëm nga institucionet e shtetit dhe duhet të udhëhiqen vetëm nga e mira e interesit publik. Shkurt, përkthimi, si edhe çdo veprimtari tjetër shoqërore, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të shoqërisë, gjykimit të institucionalizuar shoqëror, censurimit shoqëror. Përndryshe skarciteti, pra edhe dëmi publik, do të jetë i pashmangshëm.

Ngulmoj të pohoj që nuk kam asnjë shpresë, as edhe një fije besim, se në kushtet e kësaj ekonomie të fitimit, të paskrupullt deri në krim, një rregullim i tillë ka për të qenë i realizueshëm. Po edhe sikur ta përfytyronim që kjo të realizohej, jam i bindur që do të shkelej nga “gjyqtarët” e përkthimeve, ashtu siç shkelen përgjithësisht sot të gjitha procedurat kontrolluese dhe i gjithë kuadri vlerësues, në çdo fushë e në çdo drejtim, nga ata që kanë për detyrë t’i kryejnë këto funksione. Ky përfundim imi – besoj jo vetëm imi – buron nga praktika e këtyre 30 vjetëve të trazuar e të pastabilizuar asnjëherë. Sa për programin “google translate”, nuk e kam përdorur asnjëherë dhe nuk e di se si funksionon. Sot ka programe informatike për lojën e shahut, të cilat janë në gjendje të mundin edhe shahistin më të fortë të botës. Por nuk përfytyroj dot shpikjen e një programi informatik, i cili do të zëvendësonte trurin e njeriut, aftësinë e tij për të menduar dhe për t’u shprehur për gjëra nga më të hollat, ndër të tjera edhe për të përkthyer.

Profesor, ju i përkisni një brezi përkthyesish që kanë dhënë një kontribut të madh në përkthimin dhe shqipërimin e letërsisë botërore, ku përfshihen “Jetë njerëzish të shquar të lashtësisë” i Plutarkut, “Filokteti” i Sofokliut, “Lutëset” i Eskilit, “Dekameroni” i Bokaçios, etj. A është e mbrojtur nga pirateria dhe abuzime të tjera vepra juaj intelektuale?

-E thatë drejt: unë e quaj veten pasues dhe nxënës të një brezi përkthyesish, të cilët kanë merita të pamohueshme në pasurimin e kulturës sonë letrare kombëtare dhe në ngritjen e forcimin e gjuhës letrare të njësuar shqipe. Jam krenar për këtë. Po përmend këtu një detaj shumë domethënës: kur fillova punë si përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” (institucion historik, i cili u shua në këtë epokë, gjë që është dëshmia dhe akuza më e fortë për thelbin anikombëtar të politikës kulturore të periudhës që nis nga viti 1991), zëvendësova përkthyesin e njohur Sotir Caci, i cili po atë vit e po atë muaj doli në pension.

Për sa i takon piraterisë, që ju përmendët, më vijnë menjëherë në mendje dy vargje të “Faustit” të Gëtes: “Luftim, tregti, pirateri,kjo është treshe e pandarë!” Historia e këtyre 200 vjetëve, që kanë kaluar nga koha kur Gëtja shkruante këto vargje, është mbushur me dëshmi të frikshme, pse jo – të llahtarshme – që i kanë vërtetuar plotësisht ato. Vepra ime intelektuale nuk është e mbrojtur nga pirateria. Nuk ka se si. Si mund të jetë e mbrojtur diçka në një shoqëri si jona, ku nuk është e mbrojtur asgjë, ku nuk është i mbrojtur askush? Mos kujtoni se jam i dëshpëruar, kur them këto fjalë. Aspak. Jam realist. Dhe nuk shoh dritë në fund të tunelit. Të paktën jo edhe për sa të jem unë gjallë.

Kanë përkthyesit një shoqatë, që të mbrojë të drejtat e tyre dhe t’i mbajë në tregun e punës, kundrejt konkurrencës së përkthyesve mediokër?

-Nuk di që të ketë një shoqatë të tillë. Dhe e përsëris: nuk ka gjë që e mbron qytetarin në këtë sistem të kaosit të mirorganizuar. Shoqëria jonë – si edhe shoqëritë e tjera jashtë vendit tonë – është shoqëri e atomizuar, domethënë e individualizuar në kulm. Nëse ka diçka të organizuar, këto janë vetëm klanet e ndryshme, të të gjitha profileve dhe fushave.

Çfarë pune me përkthimin keni në dorë aktualisht. Mund të na tregoni pak më tepër për këtë vepër?

-Tani po vazhdoj punën për përkthimin e veprave të L.N.Tolstoit në 12 vëllime. Dy vëllime kanë dalë. I treti sapo përfundoi: është vëllimi i parë i romanit “Lufta dhe paqja”. Në dorë kam vëllimin e dytë të këtij romani, domethënë vëllimin e katërt të përmbledhjes së veprave.

Tolstoi është jo thjesht një shkrimtar i madh, por një veprimtar i shënuar shoqëror. Për të krijimtaria letrare ishte jo thjesht letërsi, jo thjesht kënaqësi egoiste, siç mund të jetë për shumëkë – edhe te ne – sot. Për Tolstoin, si dhe për pjesën kryesore të letërsisë klasike ruse e sovjetike, krijimtaria letrare ishte veprimtari në të mirë të shoqërisë, në shërbim të shoqërisë. Vetëm kështu. Këtu as që mund të bëhej fjalë për egoizëm, për sedër të sëmurë vetjake. Ndaj edhe zgjodha të merrem me këtë punë të madhe, e cila është puna e dytë e rëndësishme dhe themelore e jetës sime pas përkthimit të “Faustit” të Gëtes. Më vjen mirë të sjell në kulturën tonë një krijimtari kaq të rëndësishme, kaq shoqërore, kaq joegoiste, dhe ta kryej këtë punë me të gjithë seriozitetin dhe cilësinë që ajo meriton, me të gjithë seriozitetin dhe cilësinë që meriton shoqëria jonë, pavarësisht se sa e vetëdijshme është ajo për nevojën që ka për kontribute serioze, vetëm për to.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën

Papa Françesku hap Portën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit: Krishtlindjet, porta e shpresës është hapur për botën