Edi Rama nuk ka pse të jetë i habitur nga përmasat e protestës që vijon prej pesë ditësh në Tiranë dhe që pati si shkak fillestar Zvërnecin. Nuk ka pse të mundohet të identifikojë motivimet apo organizatorët e saj. Sepse ai duhet ta dijë më mirë se kushdo tjetër se sa i madh është rezervuari i pakënaqësisë që është krijuar gjatë viteve të fundit.
Një qeverisje e shoqëruar nga perceptimi i një korrupsioni të përhapur, nga polarizimi i skajshëm social, nga përqendrimi i pasurisë në duart e një grupi të vogël njerëzish, nga shërbime publike që vazhdojnë të mbeten të dobëta, nga një sistem drejtësie i korruptuar dhe i paralizuar, nga investime infrastrukturore që gllabërojnë fonde pa sjellë përmirësime proporcionale në jetën e qytetarëve, prodhon në mënyrë të pashmangshme masa të mëdha të pakënaqurish.
Në fakt, kjo pakënaqësi nuk është ndonjë zbulim i ditëve të fundit. Ajo është evidentuar sistematikisht edhe në proceset zgjedhore. Prej vitesh, mbi gjysma e elektoratit shqiptar refuzon të marrë pjesë në votime. Ky nuk është thjesht tregues apatie politike. Në masën më të madhe është tregues i mungesës së përfaqësimit. Janë qindra mijëra qytetarë që nuk gjejnë veten as tek qeveria dhe as tek opozita tradicionale.
Pikërisht këtu gjendet ajo që mund të quhet "lënda e parë" e një opozite të re. Një rezervuar i madh energjie politike që pret të marrë formë. Por historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se ekzistenca e lëndës së parë nuk mjafton. Për ta kthyer atë në forcë elektorale nevojitet "makineria". Nevojiten autoritete morale, figura me besueshmëri publike, njerëz që jo vetëm artikulojnë pakënaqësinë, por janë në gjendje ta organizojnë dhe ta drejtojnë atë drejt një objektivi politik.
Dhe pikërisht këtu ka ngecur vazhdimisht Shqipëria.
Pakënaqësia ka ekzistuar pothuajse gjithmonë. Revolta sociale nuk ka munguar. Por ndërmjet revoltës dhe alternativës ka ekzistuar një hendek i madh. Shpesh protestuesit kanë ditur shumë mirë kundër kujt janë, por shumë më pak se me kë janë.
Edhe protestat e tanishme duket se përballen me të njëjtin problem. Suksesi i tyre maksimal mund të jetë krijimi i një krize politike që do të çonte në zgjedhje të parakohshme. Por kush do ta përfaqësojë politikisht këtë energji?
Sepse si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike mbeten organizata të konsoliduara, me struktura, militantë, financa dhe elektorate relativisht të qëndrueshme. Ato mund të humbin ose të fitojnë mbështetje, por vazhdojnë të jenë makineri politike funksionale.
Ndërsa energjia që po shfaqet në protestë nuk është ende organizatë. Nuk është ende alternativë. Nuk është ende ofertë elektorale.
Nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme, pyetja nuk është nëse ekziston një elektorat i pakënaqur. Kjo ka qenë dhe është e qartë. Por kush do ta kanalizojë atë. Kush do ta shndërrojë pakënaqësinë në projekt politik. Kush do ta kthejë revoltën në votë.
Kjo është dilema që Shqipërinë e ka shoqëruar prej dekadash. Vendi ka prodhuar vazhdimisht lëndë të parë politike, por shumë rrallë ka prodhuar autoritetet morale dhe lidershipin që mund ta përpunojnë atë. Ka pasur energji, por jo gjithmonë drejtim. Ka pasur pakënaqësi, por jo domosdoshmërisht alternativë.
Prandaj sfida reale e protestave nuk është mbushja e shesheve. Ajo është lindja e një autoriteti të ri politik e moral që të jetë në gjendje të përfaqësojë atë pjesë të Shqipërisë që prej vitesh ka zgjedhur të mos votojë. Vetëm atëherë lënda e parë mund të shndërrohet në forcë transformuese. Përndryshe, edhe kjo valë pakënaqësie rrezikon të mbetet thjesht një tjetër shpërthim energjie që prodhon zhurmë politike, por jo ndryshim politik.
Komente









