‘Shpikësi’ në pension që transformon makinat e i shndërron në ‘Made in Kukësi’ (VIDEO)

Nuk është thjesht një saldator mekanik, por edhe novator. 74 vjeçari Nazmi Hasa ka bërë shpikjet e tij me pjesë të ndryshme automjetesh duke i shndërruar në makina “Made in Kukësi.”

Prej 10 vitesh në pension, Nazmiu tregon ndryshimet që ka pësuar zanati i saldatorit nga periudha socialiste e deri më sot.

“Të rinjtë i shmangen pluhurit dhe ndryshkut, duan punë të privilegjuar”- shprehet Nazmiu, pensionisti që nuk heq dorë nga puna.

74 vite mbart mbi supe e pensionist prej kohësh, por nuk ngjan aspak si i tillë.

Është plotë energji dhe vullnet për punë.

“Sa të kem shëndetin nuk kam pse të dorëzohem. Në këtë kohë unë punoj.”- shprehet ai.

Të gjithë e njohin Nazmi Hasën, saldatorin e mekanikun duarartë të qytetit të Kukësit. Edhe pse ka dalë në pension prej 10 vjetësh, Nazmiu vijon të punojë, me të njëjtin pasion si ditën e parë. Ai nuk dorëzohet edhe pse në familje i thonë të tërhiqet nga ky zanat.

“Me çfarë do të merrem gjithë ditën. Nusja i thotë djalit që babi ta lerë punën. Djali i thotë, babi ta lerë punën, por duhet edhe t’i ta lesh sepse duhet t’i bësh shërbim edhe atij se pastaj ngelet në shtrat. Unë këtë punë e kam edhe aktivitet fizik.”

Profesionin e ka nisur në vitin1967 e që atëherë nuk bën asnjë ditë pushim.

“Nuk jam shkëputur fare nga puna dhe gjithë kohën jam marrë vetëm me riparimin e automjeteve”

E ka nisur punën e tij në Ndërmarrjen e Ndërtimit ku është marrë me të gjitha tipet e makinave. Sipas kohës, vlerësimi bëhej në bazë të kategorive.

“Kam patur kategorinë më lartë të asaj kohe. Kategorinë e shtatë. Edhe kur kemi dalë nga shkolla, katër vetë që kemi qenë më të zotët kemi marrë një kategori tjetër me vendim të ministrisë së atëhershme sepse na dhanë një projekt për ta zbatuar. Ne dolëm me sukses. Për brezin tonë edhe në shkollë, ajo ishte kategoria më e lartë.”

Nazmiu tregon se projekti ishte një kaldajë me presion me tel nxemje për kombinatin e tekstilit. Lëshonte presionin e avullit dhe bënte ngjyrosjen.

“Projekti na doli me sukses dhe dolëm edhe në gazetë. Dy kategori të tjera i kam marrë në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Kukës.”

E para shkollë me profil teknik në Shqipëri është “Hary Fultz-it’’, hapur në vitin 1921. Në vitet e mëpasshme u hapën edhe të tjera në Golem, Gjirokastër e Berat që kualifikonin punëtorë të fushave të ndryshme, si mekanikë, elektricistë, teknikë të fushave të ndryshme. Por në sistemin socialist patën përhapje më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse.

Në vitet 1945-1990 u ngritën 380 shkolla profesionale që organizoheshin nga shteti, ku numri më i madh i tyre u përqendrua në Tiranë.

Nazmiu tregon se në kohën e shkollës përgatitja e nxënësve kishte një seriozitet të madh si në teori edhe në praktikë.

“Si inxhinierët në teori ashtu edhe në praktikë që na ndiqnin nuk na toleronin fare. Një gabim më i vogël të vlerësonte negativisht. Ka patur raste që makineritë na kanë dalë të reja të panjohura për ne. Ne e kemi vrarë mendjen, si ta riparojmë. Vete puna na ka mësuar që t’i riparojmë. Në riparimin e makinave kemi patur vështirësi sepse pjesët e këmbimit gjendeshin me vështirësi. Filluan më pas të prodhoheshin në vend. Duhej ta vrisje mendjen shumë që puna të dilte më sukses të madh”

Pavarësisht se krenohet me mënyrën se si është përballur me sfidat në punë, zanatin e saldatorit në rininë e tij ka qenë i detyruar ta pranonte si dënim të sistemit për shkak të biografisë jo të mirë për kohën.

“Këtë profesion nuk kam zgjedhur vetë. Mua më doli bursa për shkollën tregtare në Vlorë. Por kur zbuluan se unë kisha dajallarët e arratisur ma hoqën bursën dhe më dërguan në shkollë të rëndomtë, shkollë të rezervave si quheshin atëherë nga intelektualët e kohës.”

Prandaj edhe i vetmi shpërblim për punën e Nazmiut ishte vendosja e fotografisë në tabelën e punëtorëve novator të kohës së komunizmit.

”Në Ndërmarrjen e Ndërtimit kam patur suksese në punë dhe 6 muaj fotografia ime ka qenë në tabelën e nderit edhe pse kisha diçka në biografi” Mirëpo mua më doli mirë sepse ky zanat nuk më la pa punë asnjëherë”

Ndjen kënaqësi e në veçanti për rezultatet e punës së tij dhe cilësinë e shërbimit të vlerësuar nga inxhinierë mekanik vendas e të huaj. Nuk është thjesht një saldator mekanik por edhe novator.

 “Gjatë punës sime punët më të vështira që më janë paraqitur janë ndryshimet në proçesionet e automjeteve. Kemi patur raste që i kemi shkurtuar dhe zgjatur. Kemi patur sukses dhe kemi ndjerë kënaqësi si unë edhe shoferi. Kam patur një rast të shkurtimit të automjetit. Karroceria ishte prodhim Gjerman, rimokriatori ishte prodhim Francez. Më thanë shokët e Durrësit a mundesh ta bësh. E bëra prodhim Kukësi.

Eksperienca e ka bërë të merret me të gjitha të fshehtat e teknikës së automjeteve, duke nisur me riparimin e shasive, sistemet e amortizimit, pjesët xhenerike e çdo element tjetër.

Profesioni i Nazmiut është i lodhshëm, e vështirë, jo vetëm fizikisht por edhe nga ana e shëndetit për shkak të gazrave që çlirohen nga saldimet e përdorimi i kimikateve të tjera gjatë punës.

“Është zanat shumë i vështirë dhe i rrezikshëm sidomos pajisjet e oksigjenit. Por fal zotit jam akoma mirë. Unë efektivisht jam në pension. Sa të sillem lokaleve e rrugëve. Më mirë vij këtu. Edhe ndihmoj familjen edhe njerëzve iu shërbej edhe pse me riparime ke pak leverdi. Leverdia më e madhe është të bësh diçka të re. Kërkesa ka dhe unë ndjej kënaqësi për punën. Në radhë të parë ndjej kënaqësi që njerëzit ngelin të kënaqur”.

Edhe pse dëshiron shumë që këtë zanat, t’ua le brezave të rinj, Nazmiu tregon se të rinjtë nuk kanë aspak interes ta mësojnë atë.

 “Të rinjtë e sotëm mund të bëhen mjeshtër të zotë sepse kushtet e punës dhe instrumentet matës i kanë shumë të mirë. Por nuk kanë interes. Duan punë të privilegjuar. Si duket i shmangen pluhurit dhe ndryshkut. Tek fëmijët këtë zanat nuk e kam trashëguar. I vetmi djalë që kam ka marrë degë tjetër. Nuk e kam tërhequr vetë se më është dukur zanat i vështirë. Por nga ana tjetër nuk të lënë pa punë. Të rinjtë në kohën e shkollës duhet të mësojnë. Edhe për mekanik po nuk ndjeke shkencën e re. Se në së vitet 70-80 riparimet janë bërë një formë tjetër tani ka ndryshuar forma. Duhet ti përshtaten kohës se ngelin mbrapa.”- shprehet ai.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI