Më poshtë vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:
VENDIM PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA RIKONSTRUKSIONI I RRUGËVE "ALI SPAHIJA", "NEXHIP LULI", "BUJAR BISHANAKU", "STACIONI I TRENIT", "RRUGA E KALASË", SI DHE SISTEMIMI I BLLOKUT TË PALLATEVE, "QAFË-HARDHI", TË BASHKISË SË SHKODRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik", me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga rikonstruksioni i rrugëve "Ali Spahija", "Nexhip Luli", "Bujar Bishanaku", "Stacioni i trenit", "Rruga e kalasë", si dhe sistemimi i bllokut të pallateve, "Qafë - hardhi", të bashkisë së Shkodrës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të bashkisë së Shkodrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave të mëposhtme:
a) për rikonstruksionin e "Rruga e kalasë", sot "Rruga e qafës", me sipërfaqe 75 (shtatëdhjetë e pesë) m2 truall, në vlerën 700 275 (shtatëqind mijë e dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë.
b) për sistemimin e bllokut të pallateve "Qafë - hardhi", me sipërfaqe 177.5 (njëqind e shtatëdhjetë e shtatë pikë pesë) m2 truall, në vlerën 1 597 855 (një milion e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind pesëdhjetë e pesë) lekë.
c) për rikonstruksionin e rrugës "Nexhip Luli", me sipërfaqe 70.5 (shtatëdhjetë pikë pesë) m2 truall, në vlerën 764 855 (shtatëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekë.
ç ) për rikonstruksionin e rrugës "Ali Spahija", me sipërfaqe 318 (treqind e tetëmbëdhjetë) m2 truall, në vlerën 3 449 982 (tre milionë e katërqind e dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e dy) lekë.
d) për rikonstruksionin e rrugës "Stacioni i trenit", me sipërfaqe 1 152.65 (njëmijë e njëqind e pesëdhjetë e dy pikë gjashtëdhjetë e pesë) m2 truall, në vlerën 9 460 951 (nëntë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e një) lekë.
dh) për rikonstruksionin e trotuarit, segment i rrugës "Bujar Bishanaku", me sipërfaqe 378 (treqind e shtatëdhjetë e tetë) m2 truall, në vlerën 4 179 162 (katër milionë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 20 153 080 (njëzet milionë e njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Shkodrës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Shkodrës.
6. Afati i përfundimit të procedurës së shpronësimit të jetë 60 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në bashkinë e Shkodrës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë për sipërfaqen 2 171.65 (dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e një pikë gjashtëdhjetë e pesë) m² truall, të bëhet në favor të bashkisë së Shkodrës.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Shkodrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".