Xhamitë “Jahja Pasha” dhe “Tutunsëzit” nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.

Këtë shqetësim e kishte shprehur qysh vitin e kaluar kreu i Bashkësië Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, pas debateve të fundit rreth grupeve të organizuara nën petkun fetar, që rekrutojnë të rinj për të shkuar për luftë në Siri, Irak dhe Afganistan.

BFI nuk kishte folur se kush janë njerëzit që bëjnë politikat krejtësisht tjera sa i përket predikimit fetar islam.

“Por ne me përpjekje maksimale që më parë kemi krijuar një pozicion: asnjë imam nuk mund të jetë në xhamitë tona nëse nuk nënshkruan një deklaratë ku thuhet se në praktikë, në veprim në predikim nuk i largohem shkollës juridike Hanifije dhe nëse në çastin kur lëviz nga interpretimi burimor, autokton, tradicional, atëherë BFI lirisht mund të na largojë nga angazhimi si imam i xhamisë. Mirëpo, kemi vetëm një problem dhe këtë nuk mund ta fshehim. Është xhamia e Jahja Pashës dhe e Tutunsëzit. Në këto dy xhami, edhe pse punëtorët, imamët dhe ndihmësit e tyre janë njerëz tanë, nuk e kemi njeriun e parë të quajtur murterverli, nuk është i yni por është i imponuar. Ne megjithatë jemi të lirë dhe nuk mund të na e ndalojnë hyrjen, por nuk kemi kontroll të plotë të këtyre dy xhamive. Ne kemi kërkuar nga organet kompetente qeveritare që të na ndihmojnë duke respektuar ligjin, por ato nuk e kanë bërë punën e vetë, prandaj nëse diçka ndodh në Jahja Pashë ose Tutunsëz, për ne do të ketë ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe jo në objektet tona”, theksoi kryetari i BFI Sulejman Rexhepi ditë më parë për Zërin e Amerikës në shqip.

Drejtuesi i Bashkësisë Islame ka shprehur dyshime edhe ndaj shoqatave të ndryshme, dhe se ai apelon të njihet dhe respektohet autoriteti i BFIM dhe shoqatat joqeveritare të mos merren me punët e kësaj Bashkësie. Ai ka kritikuar autoritetet e shtetit që lejojnë organizata të ndryshme të merren me çështjet e fesë:

Forumi Rinor Islam… Kjo gjë ndodhë vetëm tek ne shqiptarët dhe myslimanët. Askund në botë nuk ka Forum Rinor Krishter, as Orthodoks as Katolik. Për këtë nuk kemi faj ne por administrata shtetërore e cila i regjistron dhe u lejon një gjë të tillë. Unë kam kërkuar statusin e tyre dhe nuk e kam gjetur në shërbimin civil të Republikës së Maqedonisë. Kam autorizuar avokat dhe ky ma përcolli se dosja, statuti i tyre ndodhet në shërbimet e inteligjencës!”, nënvizoi Rexhepi.

BFIM kishte bërë të ditur vitin e kaluar se mbështet aksionet e autoriteteve policore të Kosovës lidhur me grupet e konsideruara si radikale, por e vlerëson si një skenar spektakolar që lë dyshim se veprimi ka qenë i imponuar, ndërkohë që thotë se fjalën e fundit do ta japin autoritetet gjyqësore të Kosovës. Ky institucion pritet të dal me qëndrim edhe për arrestimet e ditës së sotme./INA/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)