Shqetësime për sigurinë pas daljes së Uashingtonit nga traktati me Rusinë

 Shqetësime për sigurinë pas daljes së Uashingtonit nga traktati me Rusinë

Donald Trump

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) me qëllim për të zhvilluar raketat e veta të reja, pasi Rusia refuzoi të shkatërronte raketat e reja për të cilat NATO thotë se bien ndesh me paktin. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i tha se Rusia mban përgjegjësi për prishjen e traktatit pasi Moska nuk respektoi marrëveshjen, megjithë paralajmërimet e përsëritura. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, sjell më shumë hollësi mbi fundin e traktatit historik.

Në dhjetor të vitit 1987 Presidenti Ronald Reagan priti në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin sovjetik Mikhail Gorbaçov, me një ceremoni që u bë simbol i një epoke të re mes dy superfuqive.

“Rëndësia e këtij traktati i tejkalon shifrat. Kemi përdorur urtësinë e një parimi të vjetër rus. Zoti Sekretar i Përgjithshëm, jam i sigurtë që e dini mirë, megjithëse mund t’ju tingëllojë e vështirë kur e shqiptoj unë, parimi është Dovyai no Provyai, Beso por Kontrollo”.

Por disa ekspertë të politikave të jashtme dhe mos-përhapjes së armëve bërthamore druhen se braktisja e traktatit mund të çojë drejt nja faze të re më pak të sigurtë. Geoff Wilson është me Qendrën për Kontrollin e Armëve dhe Mospërhapjen.

“Ideja që tani Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të prodhojnë armë të reja për të frenuar Rusinë, në këtë mënyrë është vërtetë destabilizuese. Ronald Reagan dhe Gorbaçov e kuptuan se kjo ishte ide e keqe. Ata përjashtuan ato lloj armatimesh nga arsenali sepse e kuptuan se ishin të rrezikshme dhe destabilizuese për paqen në Evropë”.

Ekspertë të tjerë thonë se evropianët, të cilët janë brenda zonës së veprimit të raketave ruse me rreze të mesme, druhen se kjo mund të çojë në dështimin e një traktati më të rëndësishëm, “New Start Treaty” që skadon në fillim të vitit 2021. Mark Simakovsky është me Këshillin e Atlantikut.

“Ata janë të shqetësuar rreth së ardhmes së kontrollit të armëve sepse shohin një president në Shtëpinë e Bardhë dhe një këshilltar sigurie (John Bolton) që janë skeptikë ndaj negociatave dhe marrëveshjeve tradicionale për armët bërthamore.”

Presidenti Trump tha për Zërin e Amerikës se shpreson se do të ketë një traktat të ri.

“Rusia do të donte të bënte diçka për një traktat të ri bërthamor dhe kjo është e pranueshme nga unë. Ata do të duan të bëjnë diçka, dhe po ashtu dua edhe unë”.

Por edhe Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara shprehu shqetësim.

“U kërkoj Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse që të zgjasin marrëveshjen e quajtur “New Start” për të siguruar stabilitet dhe kohë për të negociuar masat e ardhëshme për kontrollin e armëve.”

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një muaj më parë ligjin për pezullimin e pjesmarrjes së vendit të tij në traktatin INF, pesë muaj pasi administrata e Presidentit Trump njoftoi synimet e saj për të dalë nga pakti. VOA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen