Shqipëria dhe konventat amerikane

Shqipëria dhe konventat amerikane
Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike dhe e Partisë Republikane amerikane zunë vendin kryesor në median politike ndërkombëtare. Arsyet janë të njohura: fjala është për SHBA (superfuqia më e madhe demokratike, politike e ushtarake në botë), përcaktohen dy kandidatët zyrtarë për postin e Presidentit më të fuqishëm në botë në katër vitet e ardhshme), ka një praktikë unikale zgjedhjesh (zgjedhjet paraprake në partitë politike amerikane) dhe se për shumë motive e interesa, çdo vend në botë është i interesuar për fatin, qëndrimet dhe raportet me Presidentin e SHBA dhe administratën e tij. Shqipëria gjithashtu. Kosova gjithashtu. Maqedonia gjithashtu. Jo vetëm se SHBA mbetet vendi mik më i rëndësishëm në gjithë hapësirën ndërshqiptare, por edhe se roli i tyre në stabilitetin, demokracinë dhe të ardhmen e rajonit është dhe mbetet përcaktues.

Në fakt në Konventa rrallë flitet për politikë të jashtme, dhe në asnjë rast nuk mund të ndodhë që tematika tonë të jetë pjesë e agjendës së tij. Ato janë Konventa amerikane, të partive dhe publikut amerikan, për kandidatin amerikan për President, të ideuara dhe zhvilluara si tribuna vlerësimi, prezantimi dhe lobimi për njeriun që synon të bëhet President në katër vitet e ardhshme. Aty flitet për cilësitë e kandidatit, formimin e tij profesional e politik, raportin e tij me qytetarët, ndjesitë e tij ndaj publikut, tipare të integritetit të tij në komunikim, familje, punë dhe prezantimin shtetëror, cilësitë e tij të lidershipit, vendosmërisë, vendimmarrjes; bindjet e tij fetare dhe ideologjike, si dhe me rëndësi, dallimet e tij me kandidatin tjetër presidencial. Në funksion të këtij qëllimi çdo parti fton rregullisht figurat më të spikatura publike, politikanë (B.Klinton), aktorë (K.Eastwood), bashkëshortet e kandidatëve, politikanët e zgjedhur për zëvendës, etj. Një leksion i jashtëzakonshëm demokracie dhe qytetarie, moderniteti dhe thjeshtësie, pjekurie dhe kulture të lartë politike.

Pra, një leksion në cilësi e formë që e bëjnë Amerikën të veçantë, - një model inspirues për çdo demokraci në botë. Shqiptarët e interesuar për politikë, sidomos një pjesë e politikës që di të lexojë dhe kuptojë shqip apo në ndonjë gjuhë të huaj, me siguri e kanë ndjekur konventën ose lajmet lidhur me të. Dikush ka dëgjuar Romney dikush Obamën, dikush bashkëshortet e tyre apo oratorët e tjerë mbështetës. Dhe me siguri kanë ndjerë admirim. Kaq. Vetëm admirim. Sepse pas ndjenjës admiruese televizive apo mediatike ata me siguri nuk kanë ndjerë asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe nuk ia kanë bërë ndonjëherë pyetjen vetes: përse tek ne nuk ndodh diçka e tillë? Përse tek ne nuk ka kandidatë rivalë, nuk ka programe të ndryshme politike, nuk ka votim, nuk ka demokraci konkurruese, nuk ka hapësirë të lirë për individë me ide e aftësi të veçanta, nuk ka liri shprehjeje e mendimi jashtë skemave formale të partisë politike, nuk ka figura publike që kanë peshë në fjalën dhe preferencën e tyre politike?

Të gjitha mungojnë sepse sistemi ynë partiak është tërësisht i ndryshëm: i mbyllur, piramidal, pa programe, pa konkurrencë, pa ide dhe pa aftësi e energji pozitive reformimi. Kongreset tona kombëtare nisin e mbarojnë me fjalimin e udhëheqësit të madh, që flet dy orë pa thënë asgjë, që nuk mban shumicën e premtimeve që thotë, që nuk lejon votimin kundër, mendimin kritik dhe as konkurrencën brendapartiake. Kur shikon konventat amerikane këta tanët ngjajnë si fiset e mesjetës, prijës e kalorës që me shpatë në dorë vrasin e presin këdo që kundërshton e mendon ndryshe, pashallarë që shesin e blejnë gjithçka, njerëz të pushtetshëm, të pakorrigjueshëm dhe të vetëshpallur misionarë që duan të zëvendësojnë e maten me Zotin. Diçka e largët, e papranueshme dhe pa lidhje me demokracinë amerikane dhe as demokracinë funksionale. Problemi i dytë ka lidhje me të parin dhe ka të bëjë me përfaqësimin politik. Në Konventa ftohen çdo vit politikanë nga gjitha vendet demokratike. Ka pasur edhe ndonjë politikan shqiptar. Edhe tani pati një të tillë në njërën prej tyre.

Nuk pati ftesë për liderit tanë politik, as për figurat kryesore partiake. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me protokollin, por me zgjedhjen amerikane për nivelin e prezantimit politik të partive shqiptare. Dhe ky ishte përfaqësim minimal, pa peshë, pa ndikim, - një vlerësim se çfarë përfaqëson politika partiake shqiptare në raport me standardet amerikane. I njëjti përfaqësim simbolik ndodh edhe jashtë konventës, në aktivitetet katër vjeçare politike, në programet politike të shkëmbimit të palës amerikane deri edhe në projektet e institucioneve politike përkatëse amerikane në rajon. P.sh, NDI pati bindur partitë shqiptare më 2004 të aplikonin një anëtar – një votë. PD nuk e mbajti premtimin, PS e zbatoi përgjysmë (me kandidat të tyre të emëruar), LSI e bëri fiktive garën me vetëm një kandidat, të tjerët e kanë refuzuar tërësisht. NDI dhe NRI nxitën e investuan për politikat gjinore, por kuotat gjinore mbetën fiktive: të ulta në numër, dhe shumë problematike në cilësi përfaqësimi. Ideja e tyre nuk ishte për gra të partisë, por për gra politikane, pra jo për gra të emëruara por të zgjedhura mbi bazën e meritave politike e profesionale.

Të njëjtin fat pësoi edhe projekti i NRI/NDI për financimin elektoral, promovimin e politikanëve të rinj, qeverisjen vendore, etj. Refleksioni i tretë shqiptar lidhur me Konventat e partive amerikane lidhet me përputhshmërinë midis sjelljes dhe interesave tona kombëtare me prioritetet dhe qëndrimet politike amerikane. Ata flasin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, për shtetin e së drejtës dhe mirëqenien qytetare, për politikanë të përgjegjshëm dhe për premtime të mbajtura, - të gjitha këto, - ende të pazbatueshme për politikën klanore parademokratike shqiptare. Ata flasin për interesa kombëtare dhe luftë ndaj abuzimit e terrorizmit, për mjedisin dhe reformën shëndetësore, për investimet publike dhe sistemin e taksave, për investimet në brezat e rinj dhe konkurrencën globale, - të gjitha këto, cilësi e probleme të refuzuara, injoruara dhe braktisura nga paria politike e Tiranës.

Ata flasin për modelin e liderit të thjeshtë, i fortë në aftësi dhe bashkëpunues në vendimmarrje, i besueshëm në publik dhe me partnerët ndërkombëtarë, i dhënë pas vlerave të familjes dhe shqetësimeve qytetare, - edhe këto, cilësi të panjohura për prijësit tanë politikë. Ata flasin për Amerikën e 20-30 viteve të ardhshme, interesat strategjike të saj, të ardhmen e botës dhe kapitaleve amerikane, - ndërkohë që tek ende ne asnjë dhe askush nuk mendon, shikon dhe flet më lart sesa zgjedhjet e qershorit 2013. Parë me këtë sy kritik, mesazhi i Konventave Amerikane dhe demokracisë konkurruese amerikane është e mbetet aq i largët për ne sa është distanca politike, ekonomike, kulturore dhe qytetare midis SHBA e Shqipërisë. Çështja është se sot ne përmes këtyre modeleve kemi mundësi, shansin dhe rastin të mësojmë e të reflektojmë, jo për mesazhe në FB, twitter apo slogane në mbledhjet e qeverisë, por me nevojën e madhe që kemi për ndryshim, për reformim, për korrektimin e sistemit partiak e politik, modelit të organizimit partiak e politik, nevojës për politikanë më tokësorë e të përgjegjshëm, më modestë e të moralshëm, më të thjeshtë dhe më të aftë, më tolerantë dhe më me integritet.

Presidenti Obama ishte i panjohur për shumicën amerikane dhe botën derisa vetë modeli demokratik konkurrues amerikan ia dha shansin e hapësirën të konkurrojë, të fitojë dhe të arrijë të jetë kreu I shtetit më I fuqishëm në botë. Ai mund të ketë dy mandate dhe jo më shumë, për t’i lënë vendin një emri tjetër, me cilësi e rrugëtim gati të njëjtë, gjë që e forcon dhe e përsos sistemin demokratik amerikan. A mundemi ne të ndryshojmë modelin, të bëjnë të njëjtën gjë për të dhënë shans e hapësira për ata që kanë aftësi e ide pozitive për këtë vend, për tu thënë “mjaft” atyre që duan me çdo kusht të qëndrojnë në pushtet “deri sa të vendosë perëndia” apo me çdo kusht të fitojnë pushtet pa lejuar konkurrencën e lirë? Po. Në rrjetet sociale kemi parë mijëra të rinj që kanë admiruar konventat amerikane dhe kanë apeluar për diçka të tillë. Edhe kjo është një shenjë pozitive se edhe në këtë vend ka zëra qytetarë, forca qytetare, grupmosha apo individë që shohin tej selive-bunkier, të partive të vjetra, që demokracinë e udhëheqjen e shohin si sfidë dhe garë aftësish, jo si pronë private e pushtet të pakufi, - një shenjë siç thoshte Obama, se edhe ne mundemi.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb