TIRANE- Shumë shpejt do të kemi një unifikim konceptual të sistemit arsimor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ky fakt është pohuar si nga kryeministri Rama, por gjatë ditës se djeshme Ministrja Lindita Nikolla gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, ka shpalosur edhe planet konkrete për këtë bashkëpunim.

E pranishme në konferencën ndërkombëtare “Qasja e re kurrikulare- sfidë e së ardhmes” Nikolla, tha se politikat arsimore të Shqipërisë janë orientuar drejt kurrikulave që bazohen në logjikën e kompetencës, në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë inteligjencën dhe të ndërtojnë njohuritë e tyre për jetën. Kjo qasje e re kurrikulare do të shënojë një rritje cilësore të nivelit të të nxënit dhe të aftësive të të rinjve. “Politikat e deritanishme të arsimit parauniversitar në Shqipëri, me gjithë përpjekjet për të përfshirë kompetencat në Kurrikulë nuk kanë mundur t’i shndërrojnë ato në përparësi të reformave të ndërmarra, e aq më pak në realitete të prekshme të dokumentacionit mësimor, në praktikën shkollore dhe si elemente kyç të formimit të nxënësit”, theksoi Nikolla.

Nga ana tjetër Ministri i Arsimit në Kosovë, Ramë Buja tha se prej 2001 deri në 2018 kurrikula ishte shumë tradicionale, por më pas u nënshkrua kurrikula e re e cila është pilotuar në 10 shkolla të Kosovës. Ministri Buja theksoi se derisa Kurrikula 2001-2008 bazohej në lëndë dhe objektiva, Kurrikula e Re bazohet në kompetenca dhe rezultate, që përbën një sfidë që duhet përballuar, në mënyrë që të rinjtë tanë të jenë të barasvlerësuar me të rinjtë nga rajoi dhe më gjerë. “Synojmë integrimet evropiane dhe si të mos jemi të integruar vet ne.

Të integrohemi brenda nesh, të komunikojmë lirshëm në mënyrë që të rezultojmë të suksesshëm dhe pastaj të shkojmë sigurt drejt Bashkimit Evropian”, tha ministri Buja, i cili vlerësoi lartë edhe punën e grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Shqipërisë, në realizmin e kurrikulave të përbashkëta. Ministri Buja foli edhe për fushat në të cilat mbështetet Kurrikula e Re e Kosovës, të cilat janë gjuhët dhe komunikimi, artet, matematika, shkencat e natyrës, shoqëria dhe mjedisi, shëndeti dhe mirëqenia dhe jeta dhe puna.