Sekretaria Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton eshte në vizitë zyrtare sot në Tiranë. Ajo pason vizitat e mëparshme zyrtare të sekretarëve Bejker (1991), Ollbrajt (2000), Pauell (2003) dhe Presidentit Bush (2007). Tre vizitat e mëparshme të sekretarëve amerikanë lidhen me ngjarje specifike (ndryshimi i sistemit politik, rajoni dhe postkonflikti në Kosovë si dhe Karta Adriatik) kurse vizita e nesërme vjen në prag të një vendimmarrje politike të BE në raport me Shqipërinë. Në traditën politike amerikane vizitat në Shqipëri kanë qënë kryesisht pjesë e tureve diplomatikë, sic është edhe rasti i fundit, duke e lidhur problematikën e një vendi me ato të vendeve të tjera, sidomos në rajone si Evropa Juglindore.
Vizita të tilla me rëndësi historike për Shqipërinë kanë qenë e mbeten tema debati të brendshëm politik sidomos kur flitet për kontekstin vendor, mesazhet e përcjella, partnerët vendorë në bisedime dhe detaje të tjera të karakterit teknik. Psh, kur Bejker erdhi më 1991 në Tiranë dhe doli në miting me kryetarin e atëhershëm të opozitës mesazhi ishte i qartë: nevoja e madhe për ndryshim politik dhe mbështetje të procesit demokratik. Porosia e tij “liria funksionon” u lexua si shprehje biblike pa domethënie të madhe, por pas 22 vitesh kuptimi i saj del më i plotë dhe mbetet themelor për ecurinë e procesit demokratik në vend. Përpjekja për të përfituar nga mesazhet amerikane u bënë sëmundje butaforike e politikës vendore, me rezultate afatshkurtra, por pa sens e peshë në aspektin afatgjatë. Psh, më 2000 socialistët u duk se përfituan nga vizita e sekretares Ollbrajt edhe për shkak se opozita ende nuk kishte një imazh pozitiv ndërkombëtar. Më 2003 qeveria tentoi ta shfrytëzojë vizitën e Pauell për qëllime politike, me dallimin se rivaliteti nuk ishte me opozitën por midis vetë kryeministrit Nano dhe ministrit të jashtëm Meta. Vizita e Presidentit Bush më 2007 ndeshi edhe me përpjekje butaforike të qeverisë për të diktuar prioritetet e protokollit dhe për të përfituar maksimalisht kredo elektorale nga madhështia amerikane, duke i detyruar praktikisht miqtë të ndërtojë një axhendë paralele, përfshirëse për të gjithë palët dhe vecuese ndaj politikës, si në rastin e vizitës në Fushë Krujë.
E njëjta sëmundje politike po ndeshet edhe tani më 2012, kur kryeministri nxitoi ta deklarojë vizitën e zonjës Klinton si përgjigje e ftesës së saj dhe si mbështetje për qeverinë. Sjellje të tilla tipike për vende parademokratike, detyruan Departamentin Amerikan të Shtetit të deklarojë zyrtarisht (Nuland, 24 tetor) se “në Tiranë Sekretarja do të nënvizojë solidaritetin me aleaten e NATO-s Shqipërinë dhe do të ndihmojë në shënimin e përvjetorit të 100-të të pavarësisë së Shqipërisë me një fjalim në parlament, ku do të përmendë nevojën jetike për bashkëpunim më të mirë politik dhe për sundimin e ligjit”. SHBA mëse njëherë e ka bërë të qartë se nuk mbështet qeveri e politikanë të caktuar, por Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. Shembulli më konkret është viti 2008, kur pavarësisht ngjarjeve dramatike në politikë dhe ushtri, SHBA përdori potencialin e saj politik e diplomatik për të mundësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pavarësisht se prijësat tanë masovikë e keqpërdorën pranimin në NATO për fushata të tipit “miracle of freedom”, anëtarësimi ishte vlerësim dhe shans për Shqipërinë, dhe në memorien tonë shtetërore, do të mbetet i tillë.
Edhe tani, më 2012, duke u ndeshur me praktika negative dhe folklorike të palës shqiptare, axhenda e vizitës u bë përsëri nga pala amerikane. Sekretarja Klinton do të takojë liderin e mazhorancës (kryeministrin) dhe të opozitës, Presidentin (në selinë e ambasadës), si dhe do të mbajë fjalim në parlament, ku edhe ka të ftuar të vecantë ish Presidentët Meidani, Moisiu dhe Topi, ky i fundit njëherësh kryetar i partisë më të re politike, FRD. Paralajmërimi se tezë kryesore e fjalimit është shtetformimi (merita historike e njohjes më 1920 i përket SHBA dhe Presidentit Wilson) dhe nevojat emergjente aktuale për dialog politik dhe shtet të së drejtës, janë treguesi më i qartë se cili është vlerësimi amerikan për stadin aktual të demokracisë në Shqipëri dhe sfidat e saj të ardhshme. Pra vizita është e plotë, e paanshme, shtetërore, dinjitoze dhe me sinjale të qarta për poitikën e shoqërinë shqiptare në 100 vjetorin e shtetformimit.
Në Tiranën qytetare zonja Klinton do të ndjehet mirë. Dihet se asnjë pritje e ngrohtë qytetare nuk është e mjaftueshme për të shprehur të gjithë mirënjohjen, respektin dhe nderimin që shqiptarët kanë për shtetin e kombin që me aktet e tij zyrtare i ka bërë më shumë se kushdo tjetër shërbime kombit shqiptar. Bejker e përjetoi këtë mirënjohje e ndjesë kombëtare më 1991, Presidenti Bush më 2007, Klinton (Bill) e provoi gjithashtu në Kosovë. Kushdo që njeh raportet e qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare me SHBA e di se nesër shumicë e qytetarëve të këtij vendi do të donin ta takonin për ti uruar mirëseardhjen përzemërsisht zonjës Klinton. Por skenarët dhe përpjekjet për kalimin në plan të dytë të mesazheve të vizitës dhe dhënien prioritet të sjelljeve e deklaratave butaforike nga pala shqiptare, duket se tentojnë të largojnë vemendjen nga mesazhet reale të vizitës.
Ajo që bën dallimin thelbësor është se cfarë ata kuptojnë me nderim dhe cfarë mesazhesh marrin prej vizitave të tilla. Në rastin konkret nderimi më i madh për zonjën Klinton dhe SHBA do të kishte qënë një rezultat real dialogu e bashkëpunimi, miratimi i paketave të reformave integruese dhe akte zyrtare të respektit për ligjin dhe drejtësinë në Shqipëri. SHBA nuk krenohet me nderimin shqiptar duke u nisur nga numri i fjalimeve dhe fotove të kryeministrit tonë me zyrtarë amerikanë, por nga mënyra sesi ne e përdorim miqësinë dhe mbështetjen amerikane për të jetësuar ato standard morale, politike e ligjore që na afrojnë me modelin e demokracisë amerikane. Një Shqipëri demokratike dhe e integruar është përgjigjia më e mirë e partneritetit tonë amerikan sesa një Shqipëri poitike që tund buceta me lule por në 22 vjet nuk arrin më shumë sesa një sistem hybrid qeverisës dhe një demokraci gjysmake funksionale.
Përballë këtij momenti historik palët kryesore politike dështuan të reflektojnë, duke dëshmuar po ato sjellje e mentalitete provinciale e primitive si edhe më parë. Mazhoranca vazhdon monologun e sukseseve dhe sulmet denigruese ndaj opozitës, pa dhenë as sinjalin minimal për vullnet në dialogun dhe bashkëpunimin politik për reforma dhe standarde më të larta të shtetit të së drejtës. Edhe opozita nga ana e saj nuk hoqi dorë nga praktika e dështuar e kushteve për votimet e cilësuara duke vepruar me të njëjtat mjete parademokratike si mazhoranca. Pra, dy palët nuk dhanë asnjë shenjë se mesazhi i paralajmëruar i zonjës Klinton do të gjejë dëgjohet e pranohet me cilësinë, seriozitetin dhe rezultatin e duhur.
SHBA prêt me të drejtë të dëgjojë prej nesh akte politike respekti për shtetin e së drejtës, institucionet kushtetuese, zgjedhjet e lira e demokratike, luftë reale ndaj korrupsionit, garanci për të drejtat e njeriut dhe më shumë vullnet politik për nisma, politika e sfida të përbashkëta. Ata me të drejtë presin që shqiptarët të mos abuzojnë me miqësinë dhe mbështetjen amerikane duke ndërtuar një sistem abuziv pushteti, ku qytetarët vetvriten në kërkim të dialogut me qeverinë, ku protestat poitike përfundojnë me vrasje të katër qytetarëve, ku vota tregtohet nga sundimtarët e radhës, ku media profesionale shantazhohet nga lobet politike e ekonomike dhe ku mungojnë elementët bazë të kulturës, sjelljes dhe normave demokratike. SHBA nuk prêt që Shqipëria në kryesimin e KE të votojë pro masave antiopozitë të regjimit të Azerbajxhanit dhe as të falë burimet e saj ekonomike strategjike në duart e sekserëve të republikave ish sovjetike.
Koha kërkon që vendimmarrësit tanë politikë ta kuptojnë rëndësinë e pazëvendësueshme të miqësisë dhe partneritetit amerikan. Partneriteti amerikano-shqiptar nuk bazohet vetëm në nismat e përbashkëta kundër terrorizmit ndërkombëtar, deklarime e politika angazhuese në kontekste të tjera ndërkombëtare apo roli shqiptar në stabilitetin e rajonit. Ato kanë rëndësi, por nuk janë thelbi afatgjatë i një partneriteti të qëndrueshëm. SHBA nuk është historikisht në anën tonë sepse ne jemi shqiptarë dhe kjo cilësi mbetet e përjetshme, por sepse ata kanë qënë në anën e të drejtës dhe shqiptarët në tërësi kanë qënë viktimë të padrejtësive të të tjerëve. Për ta merituar partneritetin dhe miqësinë amerikane ne duhet të meritojmë ato parime dhe themele që përfaqësojnë modelin amerikan sot në botë: vlerat e lirisë, demokracisë, tregut të lirë, medias së pavarur, qytetarëve vendimmarrës, mendjeve të lira dhe qeverive shërbyese ndaj qytetarëve, - shumica e të cilave ende mbeten nocione utopike në Shqipëri.
Zonja Klinton vjen për ta demonstruar vemendjen amerikane ndaj vendit tonë dhe interesin për një model shtetëror sa më funksional dhe demokratik. Natyrisht që një vizitë nuk mund të bëjë ndryshimin e shumëpritur, por me siguri do të ndikojë fuqishëm për një vemendje më të madhe qytetare ndaj lirive të tyre të cënuara dhe ndaj sfidave të mëdha të injoruara nga kleptokracia politike e Tiranës. Në terma politikë ajo vjen për mesazhin amerikan se demokracia e shëndetshme përcaktohet jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga prirjet qytetare, rregullat e përbashkëta, kuptimi dhe besimi që ato ndërtojnë. Në terma qytetarë zonja Klinton, e cila prej vitit 1999 mban edhe dekoratën e shtetit shqiptar “Nënë Tereza” me siguri prêt që shqiptarët të mësojnë nga bamirësja e madhe për më shumë humanizëm e ndershmëri, për më shumë kurajë dhe qytetari, për “më shumë punë të vogla por me dashuri të madhe” në funksion të integrimit të plotë euroatlantik.

(sg/shqiptarja.com)