Shqipëria moderne e ka parim
themelor ndarjen mes shtetit dhe fesë

Shqipëria moderne e ka parim<br />themelor ndarjen mes shtetit dhe fesë
Studimi i marrëdhënieve mes shtetit shqiptar dhe komuniteteve fetare paraqet tipare të veçanta, duke qenë se ky vend shfaqet si një “ishull” me shumicë islame në një rajon ku mbizotëron ortodoksia. Mund të thuhet se, deri më sot, nuk ka një studim mirëfilli juridik që t’i japë përgjigje shteruese zhvillimit të normave ligjore për çështjet e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, por as ndërhyrjeve të vazhdueshme për përpunimin e legjislacionit që, jo vetëm rregullon organizimin e kulteve, por, mbi të gjitha, u njeh atyre të drejtën fetare dhe pavarësinë për t’u vetërregulluar.

Vëmendjen e juristëve e tërhoqi më fort vëzhgimi i kanunëve, sesa shqyrtimi i hartimit të ligjeve shtetërore apo autonomia e veprimit ligjor të komuniteteve fetare, ndaj e patën të vështirë të kuptonin rolin përtëritës të burimeve të reja të së drejtës, e, sidomos, ndikimin e këtyre dinamikave të brendshme mes komuniteteve fetare dhe marrëdhënieve të tyre me shtetin, pa folur këtu për qëndrimet vetjake të faktorëve të ndryshëm shoqërorë kundrejt përkatësisë fetare dhe funksioneve publike të ushtruara nga selitë e këtyre besimeve.

Rezulton të jetë krejt i panjohur, madje i zhdukur fare, legjislacioni shtetëror për çështjet fetare, i hartuar në vitet ’20 të shek. XX, madje, për shumë studiues, i pavlerë. Të njëjtin fat kanë pasur edhe burimet normative me zanafillë fetare, që nga krijimi i statuteve të para, të cilët janë shpërfillur e lënë pas dore, bash nga vetë komunitetet fetare. Ndaj e pamë të udhës ta fillojmë punën me gjurmimin dhe mbledhjen e këtyre materialeve, që i ofrojmë në shërbim të komunitetit shkencor.

Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, del se, që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne e ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin. Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash. Dekreti i vitit 1923, me anë të të cilit sistemi shqiptar vendosi kriteret për njohjen e personalitetit juridik civil për komunitetet fetare, përbën, ende sot, një prej normave më të përparuara për rregullimin e marrëdhënieve me kultet dhe një mjet të admirueshëm për parandalimin e konflikteve ndërfetare, një instrument juridik që nuk i zbehet vlera e origjinalitetit që mbart.


Shumë është folur e përfolur për mbijetesën e kanunëve të ndryshëm dhe për ndikimin e tyre në shoqërinë e sotme shqiptare, duke i mëshuar idesë se normat zakonore të katundeve kanë dalë mbi ligjin shtetëror. Nuk mund të mohohet se kjo ka ndodhur deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, por, të këmbëngulësh që ende sot vepron e drejta kanunore në Shqipëri, do të thotë se je në padije të plotë për ndryshimet themelore në shoqërinë e sotme shqiptare, ku pjesa më e madhe e saj, tashmë është urbanizuar dhe shtresat klanore të dikurshme janë shpërbërë. Për më tepër, mbijetesa e së drejtës zakonore u luftua ashpërsisht nga regjimi komunist për dyzet vjet me radhë, por goditjen më të fortë ia dha shoqëria konsumiste e propaganduar zhurmshëm nga televizionet, gjersa erdhi e kulmoi me ekonominë e tregut, këtu e njëzet vjet tashmë.

Nisur nga tiparet e sotme të legjislacionit shqiptar për rregullimin e marrëdhënieve me kultet, gjykojmë se nuk mund të kuptohen bazat e këtij legjislacioni, nëse nuk shqyrtohen paraprakisht përvojat e hershme të tij dhe nuk vlerësohen elementet që i sigurojnë vazhdimësinë, jo vetëm me sistemin zogist, por edhe me mjetet juridike të përpunuara gjatë dyzet viteve të regjimit.
Një ndër arsyet që na shtyu t’i futemi këtij studimi ishte nevoja për të hetuar e zbuluar arsyet që e mbajtën Shqipërinë larg konflikteve ndërfetare, në një kohë kur trevat rreth saj, me përbërje etnike dhe fetare shumë të përafërt me të, nuk paqëtohen aq lehtësisht.

Edhe pse e drejta, si e tillë, qëndron mbi strukturat konkrete, në shumë raste ajo luan rol vendimtar për edukimin e bashkëjetesës, pasi është e aftë të konsolidojë në jetën e faktorëve të ndryshëm shoqërorë, sjellje dhe struktura që shkojnë e përcaktojnë drejtpërsëdrejti marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore. Me fjalë të tjera, nëse përpunimi i rregullave të përbashkëta në raport me individët apo grupet bëhet në autonomi të plotë të këtyre grupeve, derisa t’u japin formën e statuteve përkatëse, atëherë, është shumë më e lehtë që këto rregulla të pranohen dhe asimilohen deri në atë shkallë, sa të bëhen pjesë e “traditës” kulturore dhe të gjejnë mbështetjen e një kuadri ligjor koherent, për t’u përkthyer në marrëdhënie njerëzore dhe ekonomike, siç është rasti i martesave mes besimeve të ndryshme, apo mes tyre dhe ateistëve; lënia në dorë të komuniteteve përkujdesjen për të mirat e përbashkëta etj.

Të gjitha këto përkthehen në elementë strukturorë që përcaktojnë tiparet e një sistemi juridik e të një bashkësie shoqërore të caktuar. Vazhdimësia e këtij tharmi në jetën juridike shqiptare, pavarësisht përvojave të ndyshme politiko-institucionale të shtetit; natyra vetjake e rendit të tij kushtetues; vetëdija e fortë e “shqiptarisë” në popull që del mbi dasitë fetare, të gjitha këto kanë përcaktuar, brenda shoqërisë shqiptare, ato marrëdhënie që nuk u gjendet ekuivalentja në trevat përreth, sepse, atje, pavarësisht identitetit të gjuhës dhe përkatësisë fetare, as ka pasur dhe as nuk ka një strukturë shtetërore institucionale që t’i lejojë të drejtës shtetërore por dhe asaj fetare të kryejë një rol pedagogjik, edukues për bashkëjetesë.

Duhet të kemi përvujtërinë e nevojshme e të pranojmë se, nganjëherë krejt qorrazi e me pavetëdije, mund të na joshë mendimi se modelet ‘tona’ janë të epërme e të vetmit që u japin përgjigje nevojave për mbrojtjen e lirisë fetare, pluralizmit të besimit dhe laicizmit. Ky tundim ka marrë përmasat e një epidemie, sepse as që kujtohet kush ta kurojë, madje puna ka shkuar deri aty sa të mos shtrohet fare problemi i mbrojtjes dhe i promovimit të diversitetit, paçka se ngjishen bashkë shoqëri e sisteme krejt të largëta, jo vetëm gjeografikisht, por, pikësëpari, me histori, tradita e sisteme vlerash krejt të ndryshme.

Përvoja shqiptare tregon se sa e pavend është kjo sjellje karshi kokëfortësisë së fakteve, por edhe na ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet. Nëse ia dalim të reflektojmë deri në atë shkallë sa t’i hapim rrugë këtij procesi ballafaques, mund të themi se kemi ndihmuar, sadopak, në nxitjen për rishqyrtim kritik të bindjeve të sipërpërmendura.

Ky studim i fton të gjithë të rrokin vlerën e diversitetit dhe të veçantisë, mu në brendësi të sistemit të përgjithshëm të marrëdhënieve me kulte përafërsisht të barabarta, nëpërmjet shqyrtimit të përvojave konkrete, e sidomos shfaqjes e rishfaqjes së tyre, sa në rindërtimin teorik, po aq, në mos më shumë, në rendin praktik, sepse vetëm kështu mund të vlerësojmë si duhet rolin e studimit krahasues. Lypset të shkojmë tej rregullit ligjor mbi të cilin ndërtohen marrëdhëniet shtet-kishë apo masave disiplinore në çështje fetare dhe të përqendrohemi tek domethënia konkrete që fitojnë këto rregulla, kur përballen, konkretisht, me çështje të ngutshme disiplinore, në mënyrë që mbi zgjidhjet e urta të ngrihet përvoja juridike.

Paraqitja formale e parimeve dhe e mjeteve që i vijnë në ndihmë disiplinës për një fushë të caktuar, mund të duket si mbivendosje ndaj sistemeve të tjera, por punët qëndrojnë ndryshe, nëse faktet shfaqen dhe rishfaqen sërish. Prandaj nuk ka vend për paragjykime, e aq më pak për nivelime sistemesh të ndryshme nisur nga modele të përpunuara në mënyrë abstrakte, që më kot vlerësohen si të duhurit për zgjidhjen e problemeve mes palëve me interesa të ndryshme.

Ky studim paraqet një aspekt të parë të rendit sistematiko-rindërtues, por edhe metodologjik, sepse prek, si çështjen e klasifikimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, po ashtu edhe qasjen që duhet të ketë studiuesi që në momentin e përballjes me to. Vend të veçantë në këtë studim zë edhe efektshmëria e sistemeve të të tjerëve (në rastin tonë, ai shqiptar), e cila mund të shërbejë për përmirësimin e marrëdhënieve mes grupeve të ndryshme shoqërore dhe fetare, qoftë edhe në procesin e homologimit të këtyre sistemeve, si shprehje e globalizimit dhe e vlerave universale të disa parimeve e sidomos të rregullave për frenimin e qëndrimeve të pavend.

Integrimi nuk vjen nëpërmjet nënshtrimit, por falë respektit për identitetin dhe veçantinë e gjithsecilit; nuk vjen as nga homologimi, por duhet kërkuar në diversitetin e shumëfishtë, në rrënjët e historisë së popujve, në promovimin e pluralizmit që nuk ka jetë pa laicizmin e shtetit dhe të institucioneve. Dyndja në masë dhe pandërprerje e popujve e, bashkë me to, edhe përvojave të ndryshme të jetës, e ka shndërruar Europën në një zonë ku mbizotëron diversiteti kulturor dhe fetar. Në këtë kontekst, feks qëllimi praktik dhe jo vetëm akademik i këtij studimi. Përvoja shqiptare na ndihmon të ndjekim rrugën e duhur, në mënyrë që mbrojtja e komuniteteve që u mësyjnë territoreve të reja të mos prodhojë vlera regresive, për hir të lirisë së tjetrit.

Shkrimi u publikua sot (12.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan