Shqipëria është një nga vendet e para  në botë e rrezikur nga përmbytjet, tërmetet, rrëshqitjet e dheut dhe zjarret masive. Ky është konkluzioni i specialistëve, përfaqësueseve të lartë të institucioneve shtetërore, qarqeve akademike, institucioneve shkencore të vendit dhe organizatave joqeveritare, në konferencën e organizuar për këtë qëllim nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Këtë sipas tyre e rëndojnë më tej faktorët shtesë të rrezikut që lidhen me zhvendosjet e popullsisë dhe urbanizimin kaotik gjatë tranzicionit shqiptar, injorimin e kodeve dhe zonave të ndërtimit, abuzimin me mjedisin etj.

permbytje

Kapacitetet shqiptare thonë ekspertët për përballimin e fatkeqësive natyrore janë të limituara dhe nën standardin e kohës. Shqipëria mbetet një vend, objekt i të paktën një fatkeqësie madhore në vit, me humbje ekonomike që llogariten në rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, humbje këto shumë më të larta se mesatarja e rajonit prej rreth 1%.

Mungesa e një platforme kombëtare për menaxhimin e emergjencave civile, qasjet e ndryshme të institucioneve përgjegjëse, fokusimi më shumë tek reagimi dhe jo tek masat parandaluese, kanë mundësuar përsëritjen ciklike të situatave të emergjencës dhe efekteve të tyre mbi ekonominë e vendit.

permbytje
Aktualisht 7 qytetet më të mëdha të vendit ndodhen në zonën me probabilitet rreziku 75%, zonë nga e cila sigurohet mbi 80% e prodhimit të brendshëm. Sipas llogaritjeve të ekspertëve, përsëritja e skenarit më të keq të përmbytjeve në 100 vitet e fundit, në Ultësirën Perëndimore, do të prekte seriozisht rreth 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85,500 banesa (në rreth 7.9 milionë m2) me një total prej rreth 565 mijë banorësh. Ndërsa shpërthimi i 8 digave më të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të përmbytë tre qytete - Elbasan,  Lushnje e Divjakë me një popullsi të përgjithshme prej rreth 150 mijë banorësh.
 
Në konferencë u shtrua me forcë nevoja e ripunimit të kuadrit ligjor e planeve, për një ndarje më të qartë të detyrave të institucioneve përgjigjëse në gjithë spektrin e masave për menaxhimin e emergjencave civile, por edhe futja e një kulture të re sigurie dhe qëndrueshmërie ndaj katastrofave natyrore jo vetëm në të gjitha nivelet e institucioneve, por edhe në mentalitetin dhe sjelljen e popullsisë shqiptare në tërësi.

Në këtë kuadër, krahas krijimit të kapaciteteve më efikase për kundërveprim, u shtrua nevoja e aplikimit, deri imponimit, të skemave publike/private të siguracioneve (në lidhje me emergjencat civile) për të zbutur pasojat e goditjeve të tilla e shpejtuar ringritjen, duke lehtësuar kështu një pjesë të barrës së buxhetit të shtetit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)