Shqipëri 1990/ Ramiz Alia dhe ringjallja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik

Shqipëri 1990/ Ramiz Alia dhe ringjallja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik

Ramiz Alia

Në 20 mars 1990 një raport i brendshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili përbënte edhe bocetin e një relacioni të shpejtë për Komitetin Qendror dhe Ramiz Alinë, sinjalizonte një dukuri të veçantë: redaksisë së Radio Tiranës për të huajt, asaj në gjuhën ruse, disa qytetarë sovjetikë i kishin shkruar letra me përmbajtje ndryshe nga më parë. Këtë herë nuk shprehnin opinione mbështetëse apo mospajtuese, por diçka tjetër: kërkonin viza për të hyrë në Shqipëri.

I njëjti fenomen qe shfaqur edhe nëpërmjet një drejtimi tjetër. Jo në Moskë, por në Beograd, qytetarë sovjetikë patën telefonuar në ambasadën shqiptare. Kërkonin viza edhe ata.

Këta sovjetikë, në mënyrë të vetvetishme apo edhe të porositur, parandjenin, pas rënies së kampit socialist disa muaj më parë, në fundmot 1989, shëmbjen e tij edhe në Shqipëri. Apo mendonin të luanin rol në këtë rrënie të vendit stalinist që i kishte refuzuar që në vitin 1961?

Afërsisht një muaj më pas, në 16 prill 1990, për nevojat e veta, por edhe sipas një kërkese të Alisë, Ministria e Punëve të Jashtme kreu një analizë të gjendjes së deriatëhershme të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare.

Sipas këtij materiali të shkruar, ato qenë ndërprerë në 3 dhjetor 1961 kur zëvëndës mininistri i jashtëm sovjetik Nikollaj Pavlloviç Firjubin i komunikoi verbalisht të Ngarkuarit me Punë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Moskë vendimin e qeverisë së tij për tërheqjen e personelit diplomatik e tregtar. Firjubin kërkoi edhe tërheqjen e personelit të ambasadës shqiptare në Moskë si edhe të këshilltarit tregtar.

Atëherë u propozua që nga të dy palët të qëndronin në ambasadat përkatëse nga tre punonjës teknikë për thjesht mirëmbajtje të ndërtesave. U ra dakord po ashtu që për përfaqësimin e sovjetikëve në Tiranë do të ishte ambasada e Çekosllovakisë, kurse në Moskë për shqiptarët ajo e Bullgarisë.

Në një farë mënyre me këtë rast një hapësirë e holle kanati dere qe lënë hapët për çdo komunikim. Diplomacia sigurisht nuk i mbyll dyert kurrë.

Flet edhe Gorbaçovi

Sipas materialit të shkruar në 16 prill 1990, Ministria e Punëve të Jashtme spikatëte edhe dinamikën e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në periudhën e rigjallërimit.

Ajo vinte në dukje se shenjat e para të kthesës qenë vënë re në nëntor 1982. Ishin nënkuptime të qarta, por jo të thëna drejtpërsëdrejti. Moska dëshironte t’i ngrohte raportet me Tiranën e Enver Hoxhës. Ndërkaq pak muaj më pas, në prill 1983 gazeta kryesore e BRSS, “Pranda”, pati botuar një editorial, në të cilin me një lloj keqardhjeje konstatohej se mes dy vendeve ende nuk ekzistonte besimi reciprok.

Ishte thirrje e qartë për të ndodhur e kundërta.

Shenja e tretë e përpjekjes së njëanshme moskovite për zbutje me shtetin shqiptar ngjau në 8 shtator 1984 dhe kishte për nismëtar një emër politikani sovjetik, i cili shumë shpejt do të bëhej ndërkombëtarisht mjaft i famshëm: Mihal Gorbaçov. Ky atë kohë qe edhe sekretar i dytë i Partisë Komuniste të BRSS.

Deklarata e tij nuk u bë në Moskë, por në Sofje. Fliste troç: “Me vullnetin e mirë dhe reciprok mund të bëhet e mundur që të zgjidhet kjo çështje”.

Tashmë dukej sheshit ekzistenca e një filli të njëjtë që i lidhte këto tre rrahje pulsi: fryma bashkuese nuk qe si më parë formulimi i akuzave apo çdo lloj tjetër kundërveprime, por një shprehje e dukshme e keqardhjes.

Sinjali i katërt i rigjallërimit të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare do të vihej re brenda muajit prill 1985, menjëherë pas vdekjes se Enver Hoxhës. Mbase edhe si një mënyrë e tërthortë homazhi të detyruar për të.

Sipas tezës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të të 16 prillit 1990, shenja e pestë ndodhi në 29 nëntor 1986. Për herë të parë “Pravda” në një artikull të saj i bënte vetëvetes, palës sovjetike, një farë autokritike për subjektivizëm dhe voluntarizëm të saj në shtrirjen e gabuar që i bëri politikës deri në marrëdhëniet shtetërore.

Raporti analitik i MPJ në Tiranë vinte në dukje se ndërkohë kishte pasur përpjekje të diplomatëve sovjetikë në Sofje, në Paris, në Beograd, në Budapest, në Phenian e gjetkë për t’iu afruar kolegëve shqiptarë dhe komunikuar miqësi me ta. Që të gjithë kërkonin hapje të marrëdhënieve.

E njëjta dukuri, theksonte analiza e posaçme e 16 prillit 1990 e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Shqipërisë, qe shfaqur edhe në Tiranë nëpërmjet ambasadës çeke dhe asaj vietnameze.

Kësaj atmosfere mund t’i shtohej edhe një shkrim studimor i kandidatit të shkencave historike Leonid Reshetnikov botuar në “Liternaturnaja Rasija”, i cili pranonte që vendi i tij “jo vetëm që i preu me iniciativën e vet marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, por edhe u përpoq të përplaste derën me sa fuqi që kishte, duke u larguar...”

Analiza e MPJ-së përfundonte me propozimin e këtyre gjesteve diplomatikë: më së pari, të autorizohej ambasadori ynë në Sofje të shfrytëzonte ndonjë rast për të biseduar me ambasadorin sovjetik. Shpresohej që i pari gjestin afrues ta kryente diplomati i lartë i Moskës, kolegu shqiptar të jepte vetëm sinjalin se do ta pëlqente këtë afrim.

Asnjë ambasador tjetër në çdo kryeqytet nuk do të vepronte. Vetëm ai i Sofjes kishte të drejtë të niste aksionin e ndërlikuar. Kjo në fund të fundit qe edhe sipas marrëveshjes së kryer kur në fund të vitit 1961 u ndërprenë marrëdhëniet mes dy vendeve, por u lanë pak hapësira çelur.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë e porosiste kryediplomatin e vet në Sofje që në bisedën me kolegun sovjetik t’i bënte të ditur se raportet mes dy shteteve mund të përmirësoheshin vetëm në se Moska zyrtare do të njihte publikisht fajësinë për prishjen në mënyrë të njëanshme të marrëdhënieve. Ajo duhej të deklaronte se edhe nisma për rivendosjen e tyre qe nga ana e saj.

MPJ, tashmë me direktivë dhe miratim të Ramiz Alisë, e ngarkonte ambasadorin e saj në Sofje t’i thoshte kolegut të tij sovjetik se Moska po ashtu duhej të pranonte dëmet që i ishin shkaktuar ekonomisë shqiptare nga prishja e këtyre marrëdhënieve. Ajo qe e detyruar të angazhohej për kompensimin e këtyre dëmeve. Masa e tyre në vitin 1985, bashkë me interesat, ishte 869,2 milion rubla.

Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme e ngarkonte veten me detyrën të pranonte kërkesën e tre gazetarëve sovjetikë të akredituar në Beograd për të ardhur në Tiranë me mision pasqyrimin mediatik të zhvillimeve në vend.

Këta qenë një korrespodent i TASS (Agjencisë Sovjetike të Lajmeve), një tjetër i televizionit shtetëror të BRSS dhe i treti i revistës “Novoje Vremje”.

Raporti i parë informativ si u sollën gazetarët sovjetikë

Ndërsa në 16 prill MPJ analizonte gjendjen dhe bënte propozimin përkatës për hapat e mëtejshëm në shtegun e ngushtë dhe plot befasira të marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, pas diçka më tepër se një jave, në 25 prill 1990, hyri në veprim vetë ministri i Jashtëm Sovjetik, politikani me shumë autoritet reformues, EduardShevarnadxe.

Ai u prononcua pozitivisht. Dera për Tiranën ishte e hapur.

Në rrethana të tilla hyri në lojë Ramiz Alia. Pesë ditë më pas, në 30 prill 1990, u mbajt plenumi 10 i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe për herë të parë prej tij u formulua platforma e re e politikës së jashtme. Sipas saj, ndryshe nga kursi i mëparshëm  marrëdhënieve, vendosur katër vite të shkuara në kongresin e tetë të PPSH (dy syperfuqitë, SHBA dhe BRSS, në të njëjtën masë dhe në të njëjtën shkallë janë armiqtë të më të rrezikshëm të paqes dhe të njerëzimit, prandaj distancim i barabartë dhe i prerë ndaj tyre), ekzistonin tani kushtet për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Në 5 maj 1990 ambasadori shqiptar në Beograd, Kujtim Hysenaj, i dërgoi qendrës së vet një pasqyrë të ngrohjes reale të marrëdhënieve me amerikanët dhe sovjetikët, madje përcillte nga kryeqyteti jugosllav edhe deklarime të diplomatëve të këtyre dy vendeve.

Ndërkohë në datat 3-6 maj 1990 në Shqipëri u krye vizita e kërkuar prej gazetarëve sovjetikë të akredituar në Beograd. Korespodenti i televizionit publik nuk erdhi.

Çfarë qëndrimi mbajtën në Tiranë ata dy, misioni i të cilëve më tepër se të qe mediatik, ishte politik, pra formalisht do të përbënte delegacionin e parë sovjetik pas vitit 1961 që vinte në Tiranë, mund ta mësojmë nga dy raporte që ndodhen në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

I pari është i 7 majit 1990.

Në të thuhet se dy prej gazetarëve sovjetikë në Beograd, Anatolij Boçkarov i TASS dhe Genadi Sisojev i “Novoje Vremje”, pohonin se qëllimi i tyre ishte t’i bënin të njohur popullit sovjetik arritjet në jetën e Shqipërisë. Sipas shqiptarëve të ngarkuar për t’i shoqëruar, ata “Sapo erdhën u interesuan nëse para tyre kishin ardhur gazetarë amerikanë dhe a mendonin që marrëdhëniet me BS mund të rivendoseshin para SHBA”.

(Dukej qartë se ky qe misioni i tyre numër një: të zbulonin nga cili krahë do të anonte Shqipëria, shqetësim që këto kohë e kishte jo vetëm Moska, por edhe Uashingtoni, madje edhe Parisi, Londra apo Roma, duke e lexuar këtë si kalim në Perëndim apo në Lindje).  

Sipas raportimit të shoqëruesve, dy gazetarët sovjetikë “U interesuan për ndikimin e Plenumit të 9-të dhe të 10-të në jetën shqiptare, për mekanizmin e ri ekonomik, për masat në drejtim të fshatit, ku i kishin nevojat shqiptarët si shtet, në ekonomi, ku mendonin të bënin investime”. (Pra ku sovjetikët mund të investonin dhe zotëronin ekonomikisht ndikimin mbi Shqipërinë paskomuniste).

Misioni i tretë thelbësor i dy gazetarëve sovjetikë të akredituar në Beograd, kishte të bënte me Ismail Kadarenë. Ishte një tatim pulsi i tij. Ata qenë takuar me të dhe patën biseduar. Sipas raportimit të shoqëruesve, “Ismail Kadarenë e pyetën se çfarë roli luan inteligjenca dhe letërsia, si po ecën proçesi i demokratizimit të vendit dhe si e përfytyron Shqipërinë e vitit 2000”.

Gjithnjë sipas çfarë u raportua prej vizitës së gazetarëve “politikanë”, “ata qenë dakord që çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhej veçse me dialog demokratik dhe se Serbia nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë këtë”.

Pranonin po ashtu se “shtypi jugosllav merret me shumë thashetheme keqdashëse për Shqipërinë dhe sugjeronin që ne të ishim më të shpejtë në hedhjen poshtë të shpifjeve të tyre”.

Në raportimin e 7 majit 1990 vihej njëkohësisht në dukje se gazetarët Boçkarov dhe Sisojev nga vizita kishin dalë me përshtypje pozitive dhe se më parë patën pasur përshtypje negative.

Po ashtu ata kishin pohuar se “në Shqipëri nuk kishin vënë re antisovjetizëm siç ka në Jugosllavi dhe në Evropën Lindore”, po ashtu se “njerëzit shqiptarë janë pa komplekse dhe të përzemërt”.

Sipas raportimit të 7 majit 1990 të hartuar prej shoqëruesve për Ministrinë e Jashtme, Anatolij Boçkarov i TASS-it i dërgoi nga Tirana agjencisë së vet në Moskë dy shkrime nga gjithsej pesë që do të bënte. Genadi Sisojev i “Novoje Vremje” premtoi se do të botonte një shkrim me 16 faqe.

Raporti i dytë informativ

Raporti tjetër, i dyti, qe përpiluar prej diplomatit Ymer Minxhozi, shoqërues i gazetarëve sovjetikë të lejuar të vinin nga Beogradi.

Sipas këtij shoqëruesi shumë të profilizuar për median dhe hartuesve të analizës së MPJ-së, ardhësit “në fillim ishin tepër të rezervuar dhe bile disi të tronditur. Kishin fatin të qenë dy sovjetikët e parë që pas tridhjetë vitesh vinin në Shqipëri. U dukej si ëndërr. Pyesnin për çdo fotografi që merrnin, që nga shatërvani i qytetit deri tek monumenti i Skënderbeut, nuk u futën në problemet e të kaluarës”. Po ashtu ata “kërkonin që Ymer Minxhozi t’u lexonte shkrimet para se t’i dërgonin në qendër, organet e tyre mediatike, në Beograd ndoshta”.

Sipas Minxhozit, “Për mekanizmin e ri ekonomik patën biseduan me Fatos Nanon”.

Njëkohësisht në informacion shkruhej se “Në kooperativën bujqësore Jub Sukth në drekë korrespodenti i TASS tha “Tek ju unë shoh një popull të shëndetshëm dhe në humor të mirë dhe do të dëshiroja që diplomatët tanë të ishin sot këtu e të shikonin”.

Sipas raportimit, ata “Flisnin rusisht me shqiptarët dhe kjo u bënte përshtypje të mirë. Nuk ishte kështu në vendet e tjera të eurolindjes”.

Sipas Ymer Minxhozit, “Për Jugosllavinë dhe Kosovën ishin tepër të rezervuar”.

Patën pohuar po ashtu se qenë takuar edhe me Ibrahim Rugovën.

Minxhozi vinte në dukje se “Korespondenti i TASS ka 7 vite në Jugosllavi dhe do të largohej tani, dukej më i hapur, më stabël në mendime dhe më i pjekur”.

Ai i “Novoje Vremje”, informonte njeriu shqiptar i medias, “qe 28 vjeç, disi më i rezervuar, sidomos kur ishte fjala për Kosovën dhe Jugosllavinë”.

Hartuesit e raportit përfundimtar të vizitës së dy gazetarëve sovjetikë të Beogradit në Shqipëri në fund të lëndës së shkruar, shënonin se ata kishin ftuar disa publicistë shqiptarë, mes tyre edhe Ymer Minxhozin, të  vinin për një vizitë në Bashkimi Sovjetik”.

Formulohet politika e re e jashtme ndaj SHBA dhe BRSS

Tre javë më pas kësaj vizite gazetareske, por edhe politike, në 26 maj 1990, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, përpiloi tezat “Mbi bisedimet midis RPSSH me SHBA dhe BS mbi normalizimin e marrëdhënieve”.

Në plan-konceptin e tyre thuhej:

“Pas fjalimit të sh. Ramiz Alia në Plenumin e 10-të të veprohet:

-Si me SHBA dhe Bashkimin Sovjetik bisedimet të fillojnë nga mesi i qershorit me synimin që në fund të gushtit ose fillimi i shtatorit të shpallet vendosja e tyre.

-Me amerikanët bisedimet të zhvillohen në Nju Jork dhe Uashington nga ambasadori ynë në OKB.

-Me sovjetikët bisedimet të bëhen në nivelin e zëvendës ministrit të jashtëm në Tiranë dhe në Moskë”.

Pastaj Malile vendoste të shkruar një projekt deklaratë për amerikanët. Në mes rreshtave për të thuhej: “Një faktor i veçantë dhe i rëndësishëm...ka qenë dhe mbetet komuniteti i madh shqiptaro-amerikan që jeton prej afro një shekulli në ShBA”, se ai është urë lidhjeje, njohjeje e miqësie reciproke”.

Më tej: “Vitet e fundit populli shqiptar dhe qeveria e tij janë njohur me kënaqësi, kanë mirëpritur dhe kanë vlerësuar gjestet e qëndrimet realiste e objektive të zyrtarëve të Kongresit të SHBA ndaj ngjarjeve në Kosovë dhe vëllezërve tanë në Jugosllavi”.

Reiz Malile vlerësonte edhe interesimin e diplomatëve amerikanë.

Ministri i Jashtëm shqiptar me një shkathtësi prej profesionisti dhe me qëndrim të shprehur qartësisht se nuk do të lejonte ndonjë favor, për pasojë edhe epërsi, të sovjetikëve në ndikimin diplomatik ndaj Shqipërisë dhe se, megjithë kujdesin për ekuilibër mes dy fuqive të mëdha, e para ishte Amerika, do të drejtonte nga afër të gjithë strategjinë e bisedimeve.

Rëndësi kishte që ishte vendosur hapja.

Hollësi të tjera, rreth këtij procesi mjaft të ndërlikuar, ku nuk munguan deri edhe intrigat për ta penguar njërën palë në favorizim të tjetrës, do t’ia tregojmë lexuesit një herë tjetër.

Të mos harrojmë se në fillim të korrikut 1990, pas më pak se dyzetë ditëve nga hartimi i tezave diplomatike të hapjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, ndodhi ngjarja shpërthyese kundër regjimit dhe Ramis Alisë: futja në ambasadat e huaja në Tiranë.

Kush luante, me pak fjalë kush po nxitonte?

Tiranë, më 18 tetor 2018

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr