Piketat për bashkëpunim dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, në vijën kufitare Kosovë-Shqipëri, vend nga i cili mund të favorizohen këto fenomene ishte në fokus të takimit që Prefekti i Qarkut të Kukësit, Safet Gjici dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi mbajtën me Drejtues të Prokurorisë, Policisë, Doganave, të Shqipërisë dhe Kosovës, konkretisht të rajoneve Kukës dhe Prizren.

Në këtë tryezë diskutimesh, Prokurori i Kosovës ka deklaruar se krimi, i të gjitha llojeve, nuk ka njohur kufinj, ndërkohë që duke i'u referuar arrestimeve të fundit në Kosovë, të disa besimtarëve mysliman, ai tha se lufta ndaj terrorizmit kërkon një bashkëpunim akoma më të fuqishëm dypalësh.

Ndërkohë, për Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi vija kufitare mund të favorizojë krimin e organizuar dhe lidhjet e organizatave të ndryshme terroriste, ndaj dhe duhet një bashkëpunim i fuqishëm mes institucioneve.

Sakaq, për Prefektin e Qarkut të Kukësit, Safet Gjici fenomeni i krimit, trafikimit të mallrave e qënjeve njerëzore dhe kalimit të paligjshëm të drogës apo edhe armëve, do mund të marrin fund me vënjen në zbatim të një projekti të Bashkimit Europian për shkrirjen në një të doganës së Vërmicës dhe Morinit, projekt që pritet të tenderohet në fund të këtij viti. Qarku i Kukësit ka më shumë se 115 kilometër vijë kufitare me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, ku pjesa kryesore është vijë kufitare tokësore.

ATSH