“Ajo erdhi në bibliotekën albanologjike si simotra kosovare e revistës “Gjuha jonë”, që nisi të botohej këtu nga Akademia e Shkencave më 1981. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë ishin fuqizuar një varg faktorësh, si zgjerimi i funksioneve të gjuhës standarde dhe ngritja e prestigjit shoqëror të saj, shtimi i shkollave e i arsimtarëve, zgjerimi i shtypit dhe shtimi i botimeve të shumënduarshme, shtimi i radhëve të hulumtuesve në fushën e gjuhësisë”, shprehet gjuhëtari i njohur Emil Lafe. Ai rrëfen se në atë kohë krahas revistave shkencore të cilat u drejtoheshin kryesisht specialistëve, u vendos të fillonte botimi edhe i ndonjë reviste tjetër, që të çonte më drejtpërdrejt te rrethet e të interesuarve arritjet e gjuhësisë normative dhe, nga ana tjetër, të sillte shqetësimet dhe problemet e zbatimit të gjuhës standarde në praktikë.
Sipas profesor Lafes që përfaqëson Shoqatën e gjuhësisë shqiptare në këtë takim, botimi i të dyja revistave ka qenë domosdoshmëri. Ai është shprehur se “realizimit të domosdoshmërisë ia kanë hapur rrugën njerëzit me vizion dhe me zemër të madhe. I tillë ishte profesori ynë i paharruar Eqrem Çabej”.
Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare dhe Shoqata e Gjuhëtarëve të Kosovës
Lafe kujton se në Mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave në shkurt Çabej më 1979-n mbajti një fjalë programore kushtuar detyrave të gjuhësisë shqiptare në fushën e gjuhës shqipe e veçanërisht të gjuhës standarde, duke e vënë theksin te pastrimi dhe pasurimi i mëtejshëm i gjuhës. “Jemi të mendimit, - u shpreh ai, - se janë pjekur kushtet që një komision i përhershëm t’i përvishet kësaj pune, plotësimit të kësaj detyre të madhe... Mendojmë gjithashtu se do të jetë vendi që të dalë ndonjë botim periodik me emrin “Gjuha jonë” ose “Gjuha shqipe”, që do t’u kushtohet kryesisht problemeve e detyrave të pasurimit e të pastrimit të gjuhës.”
Në përgjigje të këtij propozimi të mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave, duke e vlerësuar kujdesin ndaj gjuhës si përparësi të politikës kulturore të shtetit, Këshilli i Ministrave nxori atëherë një vendim të posaçëm për “Krijimin pranë Këshillit të Ministrave të Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe”.
Një pikë e veçantë e vendimit përcaktonte: “Për të trajtuar çështjet e pastrimit e të pasurimit të gjuhës shqipe, të krijohet revista “Gjuha jonë”, organ i Akademisë së Shkencave.” Sipas prof. Emil Lafes përqafimi dhe zbatimi vullnetar i një standardi gjuhësor të përbashkët ka qenë Rruga e parë e Kombit ndërmjet Shqipërisë e Kosovës, para se të ndërtohej rruga e sotme”. Lafe i përgëzon kolegët e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Ai thekson se “I përgëzoj kolegët për punën e tyre cilësore dhe për vendosmërinë në mbrojtjen e parimeve, të frymës dhe të arritjeve të Kongresit të Drejtshkrimit, vërej me keqardhje dhe njëkohësisht me dhembje se revista “Gjuha jonë” u ngulfat në vitin 2010, kur drejtuesit e rinj të Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe bashkëpunëtorët e koordinatorët e tyre nisën të vinin në veprim të ashtuquajturat “politika të guximshme gjuhësore”, të cilat u panë qartë si në organizimin, ashtu edhe në zhvillimin e punimeve të Konferencës së mirënjohur të Plazhit të Durrësit në dhjetorin e lagësht të vitit 2010. Si rezultat i orientimeve shkencore të shtrembra dhe i politikave të gabuara është krijuar në gjuhësinë tonë një gjendje e padëshirueshme, që ka ngjallur shqetësim publik dhe që ka si pasojë të pashmangshme uljen e nivelit të kulturës gjuhësore...
Ndërkohë gjuhëtarja e njohur kosovare Shefkije Islamaj shprehet se" "Gjuha shqipe e standardizuar duhet të mbrohet dhe për këtë të shpallet një ligj"
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)