Shqipëri, shqetësim transparenca e financimit në zgjedhje

Shqipëri, shqetësim transparenca e financimit në zgjedhje

Në Shqipëri ka një debat të hapur mbi transparencën e burimeve të financimit në zgjedhje. Megjithë rekomandimet e disa institucioneve ndërkombëtare kjo fushë mbetet problematike dhe në disa aspekte ende e parregulluar me ligj.

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Komisioneri Shtetëror i zgjedhjeve, përfaqësues politikë dhe ekspertë të fushës i thanë Zërit të Amerikës, se ende ka punë për të bërë sidomos kur bëhet fjalë për forcimin e rolit të KQZ, rritjen e transparencës për donacionet në fushata zgjedhore, dhe rregullimet ligjore për përfshirjen e palëve të treta. Këto masa siç shprehen ata, do të shërbenin për të ndaluar burimet e paligjshme të financimit në zgjedhje.

Në Shqipëri janë shënuar disa hapa para në rregullimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, por organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore dhe ekspertë të fushës mendojnë se ato janë të pamjaftueshme. Pas çdo fushate zgjedhore, lindin dyshime që lidhen me saktësinë e raporteve financiare të partive politike, me faktin se kush qëndron pas këtyre financimeve, se sa realë janë donatorët që raportojnë partitë në KQZ apo dhe sa efektive janë rregullat në fuqi.

Kodi Zgjedhor përcakton katër burime financimi për subjektet zgjedhore: nga buxheti i shtetit, të ardhurat e vetë subjektit, dhuratat, huatë dhe kreditë. Megjithë insistimin e OSBE- ODIHR-it, disa rekomandime në këtë kuadër ende nuk janë adresuar. Reforma zgjedhore e këtij viti, që i paraprin zgjedhjeve politike të vitit 2025, nuk e preku kapitullin e financimit të partive politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ambasadori i OSBE-së Michel Tarran shprehu keqardhje për këtë, ndërsa veçoi disa elementë që duhen përmirësuar.

“Kolegët tanë të ODIHR kanë insistuar që duhet të forcohen mjetet e KQZ sepse nuk ka mundësi tani me mjetet që ka në dispozicion për të kontrolluar me të vërtetë situatën. Së dyti duhet të ketë transparencë me të madhe në raportime për donacionet dhe shpenzimet gjatë fushatave zgjedhore dhe jo vetëm pas zgjedhjeve. Së treti duhet të përmirësohet kuadri ligjor përsa i përket palëve të treta që ndërhyjnë në jetën e brendshme politike të Shqipërisë”- shprehet Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Edhe Instituti Demokratik Amerikan i tha Zërit të Amerikës se nevojitet forcimi i rolit të KQZ, si dhe rregullime ligjore në lidhje me fushatën nga palët e treta, ose thënë ndryshe nga aktorë që nuk garojnë në zgjedhje.

“Legjislacionit zgjedhor të Shqipërisë, i mungon rregullimi për fushatën e "palëve të treta". Ky boshllëk i lejon aktorët me burime të dyshimta financimi të ndikojnë në fushatat elektorale duke bërë fushatë në favor apo kundër një partie apo kandidati të caktuar. Kjo i jep mundësi partive të anashkalojnë detyrimin lidhur me tavanin e shpenzimeve për fushatë zgjedhore, duke i kanalizuar burimet e financimit nëpërmjet palëve të treta, ndaj të cilave KQZ-ja nuk ka asnjë kompetencë mbikëqyrëse apo rregullatore”- thotë Instituti Demokratik Amerikan, në përgjigjen me shkrim.

Përfaqësues të dy partive të mëdha politike, PS dhe PD Milva Ekonomi dhe Ivi Kaso thonë për Zërin e Amerikës arsyet, sipas këndvështrimeve të tyre, se përse problemet e financimit të zgjedhjeve dhe partive politike nuk u pasqyruan në ndryshimet që pësoi Kodi Zgjedhur në verën e këtij viti.

“Propozimet që erdhën nga OSBE-ODIHR dhe nga NDI ( Instituti Demokratik Amerikan) për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, janë ndryshime që kalojnë në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Dhe në patëm momente që komisioni funksionoi, pastaj ndërpreu aktivitetin, pastaj pala opozitare u ul me vështirësi në tavolinë dhe u arrit një dakordësi minimaliste”- thotë Milva Ekonomi, Sekretare për Programin në PS.

“Kemi kërkuar që të diskutohet të gjitha propozimet e ODIHR-it për dy proceset e fundit zgjedhore. Kjo nuk është pranuar nga pala tjetër, e cila nuk ka pranuar të adresojë asnjë problematikë që nuk kishte të bënte me dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atë për llogaritjen e shpërndarjes së mandateve dhe atë për votën e diasporës”- shprehet Ivi Kaso, Sekretar për çështjet zgjedhore në PD.

Zgjedhjet politike pritet të mbahen në Maj të vitit të ardhshëm. Zonja Ekonomi dhe Zoti Kaso mendojnë se koha e mbetur është e pamjaftueshme për t’i reflektuar në Kodin zgjedhor problematikat mbi financimin e fushatave zgjedhore dhe partive politike.

Shqetësime në këtë kuadër vijnë edhe nga deputetë të shumicës parlamentare. Kryetari i komisionit për dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike Erion Braçe, i tha Zërit të Amerikës, se ka nevojë për transparencë kur bëhet fjalë për burimet financiare të donatorëve të partive apo kandidatëve.

“Është e pambuluar nga pikëpamja ligjore. Pra ne nuk kontrollojmë sot veprimtarinë e të tretëve që financojnë në procese zgjedhore. Përshembull unë jam donator i një partie. Problemi që kemi është që unë nuk deklaroj, deklaron partia për mua dhe unë nuk deklaroj burimin e të ardhurave të mia. I keni dëgjuar këta që thonë arkëtojmë kaq para nga donacione që vijnë nga brenda dhe nga jashtë vendit. Ky është shqetësimi. Kjo duhet të rregullohet urgjentisht para këtyre zgjedhjeve. Përndryshe lumi i parave që derdhen në fushatë elektorale nuk do të ketë asnjë limit”- thotë Z. Braçe.

Nga ana tjetër Instituti Demokratik Amerikan vëren me shqetësim se edhe “çështja e vetëfinancimit të kandidatëve mbetet e parregulluar me ligj, duke krijuar avantazhe për kandidatët me mundësi më të mëdha financiare kundrejt atyre me mundësi të pakta financiare”.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi edhe pse pranon se ka përparime në kuadër të deklarimit të burimeve të financimit në zgjedhje, sërish thotë se ky proces është formal.

“Duhet të pranojmë jemi në kuadër formal të këtij procesi. Partitë dhe kandidatët raportojnë ato që ata duan të raportojnë, dhe ne thjesht bëjmë vlerësimin e atyre që kanë raportuar, por pak mundësi dhe mekanizma kemi për për të verifikuar në thellësi, se sa para marrin partitë dhe se si i kanë shpenzuar këto para. Jemi përpjekur të bëjmë kryqëzim informacioni, pra ky donator i ka apo jo kapacitetet për t’i dhënë këto para. Do duhet që ky proces të jetë më i rregulluar në aspektin ligjor dhe të ketë më shumë kompetencë KQZ-ja për të verifikuar edhe mbi donatorin”- argumenton Z. Celibashi.

Pas denoncimeve të organizatës “Qëndresa Qytetare” në KQZ, për zgjedhjet vendore të vitit 2023, 20 zyrtarë u gjobitën për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë. Kodi zgjedhor parashikon sanksione, ndaj partive dhe donatorëve për shkelje të rregullave të financimit në fushatë, që përfshijnë gjoba deri në 5 milionë lekë dhe pezullim të financimit publik të një partie politike deri në pesë vjet, por ajo që shqetëson jo vetëm drejtuesit e kësaj organizate, lidhet me faktin se regjimi i sanksioneve është shumë i dobët për të qenë imponues.

“Ka pasur dhe gjoba më pak se 25 euro, pra më pak se rruga që i ka kushtuar kandidatit apo zyrtarit nga një qytet në Tiranë. Ajo që kemi menduar në zgjedhjet e ardhshme është të vëmë në lëvizje prokurorinë. Ekzistojnë nene specifike në Kodin Penal për keqpërdorimin e burimeve publike në zgjedhje. Jemi në komunikim me SPAK-un, për zyrtarët e lartë por dhe me prokuroritë e rretheve për nivelet e tjera dhe çdo identifikim që do të kemi do ta adresojmë në këto institucione”- thotë Rigels Xhemollari, Drejtues i “Qëndresa Qytetare”.

Nga ana tjetër ekspertët vërejnë gjithashtu se mbetet krejtësisht e parregulluar me ligj edhe çështja e financimit të fushatave zgjedhore online.

“Kërkohet një ligj specifik që mediat online të jenë të rregulluara, me qëllim që paratë hije nga aktorë të tretë, që nuk janë të detyruar me ligj për të deklaruar financimet të mund të lëvrojnë para që bëjnë pis procesin zgjedhor”- shprehet Gerta Meta, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike.

Por Zoti Celibashi thotë se në lidhje me financimin e fushatave zgjedhore që zhvillohen online KQZ ka ndërmarrë një nismë.

“Ne si institucion po shohim mundësinë që të ndërtojmë një njësi e cila do të merret posaçërisht me monitorimin e mediave online, dhe për të kryqëzuar atë që raportohet si shpenzim nga subjektet zgjedhore me atë që ne verifikojmë realisht. Kjo kërkon dhe angazhimin e platformave sociale , ndërsa çështja e portaleve është në kaos të plotë”- vijon Z. Celibashi.

Ekspertët në vijimësi kanë ngritur shqetësime se financimet informale kryesisht në zonat me grupe kriminale aktive mund të ndikojnë deri në rezultatin e zgjedhjeve.

“Grupet kriminale siç e kemi parë dhe nga skandalet kanë asete të mëdha financiare të padeklaruara dhe interesi i tyre është që të kenë njerëzit e tyre në nivelet vendimnarrëse. Legjislacioni ynë aktual nuk e pengon këtë gjë, nuk e heton, edhe nëse ka indicie nga raportimet në media apo diku tjetër nuk e përdor këtë si indicie të mjaftueshme për të shkuar tek hetimi”- thotë Afrim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

Shqetësim për financimin e kandidatëve në fushata zgjedhore nga bota e krimit shprehu edhe ambasadori i OSBE-së, duke e cilësuar këtë si rrezik për demokracinë.

“Nuk është në interesin e Shqipërisë që kandidatë të botës së krimit të vijnë në fuqi. Dhe fatkeqësisht ka interesa të ndryshme këtu që janë kundër interesave të vendit. Kjo dëmton demokracinë, dhe për këtë arsye në si organizatë jemi kaq të angazhuar, sepse qëllimi ynë kryesor është forcimi i demokracisë në Shqipëri. Dhe është e qartë se nëse aktorë të padëshiruar gri ndërhyjnë në zgjedhje, kjo shkon kundër interesave dhe demokracisë në Shqipëri”-thotë Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Problematikat e financimit të fushatave zgjedhore dhe partive politike janë sfida edhe për vendet e zhvilluara perëndimore, por ekspertët vërejnë se në vende si Shqipëria me demokraci të brishtë, informalitet të lartë, qarkullim të parave gri në ekonomi, me përpjekje në rritje të botës së krimit për të depërtuar në vendimmarrje politike dhe parlamentare, këto sfida janë edhe më të mëdha. /VOA/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni