Shqipëria, destinacioni i ri i nomadëve digjitalë

Shqipëria, destinacioni i ri i nomadëve digjitalë

Digjitalizimi si niveli superior i zhvillimit teknologjik ka sjellë një impakt të lartë në zhvillimin ekonomik të vendeve të ndryshme në botë. Ky impakt nuk lidhet vetëm me transformimin e qasjes së të menduarit dhe të vepruarit në çdo sektor të hapësirës ekonomike sociale dhe publike, por dhe tek kapacitetet e forcës së punës. Kategoria që “ka përfituar” më së shumti nga ky ekosistem janë nomadët digjitalë, njerëzit, të cilët profesionin e tyre e kanë të lidhur pazgjidhshmërisht me PC (laptop, tablet) dhe ndihen komodë në çdo cep të hapësirës materiale nga ku vendosin të operojnë. Pandemia Covid-19 ndryshoi rrënjësisht konceptin e të punuarit duke u përqëndruar jashtë mjediseve të kompanive, zyrave dhe biznesit. Para pandemisë COVID-19 mendohet se numri i nomadëve digjitalë, ka qenë rreth 4 milionë.

Nomadët digjitalë ose Punonjësit Lëvizës Digjital, jo domosdoshmërisht janë programues, ekspertë të IT, por edhe profesionistë që punën e tyre e zhvillojnë përmes TIK. Vendin e parë në sektorët ku operojnë nomadët digjitalë e zë industria e kreativitetit me 18 %, e më pas vijon marketingu, startup, rrjetet sociale, zhvillues softuerësh, platforma interneti, web designer etj.

Studiuesit vlerësojnë se deri në vitin 2035 do të ketë 1 miliard nomadë digjitalë në botë.

Evropa po krijon gjithnjë e më shumë mjedisin e përshtatshëm profesional e social për këtë realitet të ri profesionistësh.

Përmes një propozimi ligjor “EU Digital Nomad Pass”- Pasaporta Evropiane e Nomadit Digjital promovohet idea e strukturimit të një ekonomie më të fortë dhe punësimi në kushtet e digjitalizimit sipas industrive dhe shërbimeve përkatëse. Kur nomadët digjitalë, janë themelues kompanish ose startup-esh, kjo përkthehet në hapje vende të reja pune për komunitetin mikpritës, të ardhura nga qiradhënia e banesave, ndërkohë që të ardhura krijohen dhe nga blerjet tek bizneset e vogla të lagjes ku nomadët digjitalë strehohen. Mesatarisht në shtetet e BE, çdo nomad digjital sjell 10 herë më shumë të ardhura në ekonominë lokale, sesa një turist standard i zakonshëm dhe mesatarisht rreth 1,800 € në muaj.

Të ardhurat mesatare në vit të nomadëve digjitalë variojnë në mënyrë të ndjeshme, por afro 35 % e tyre marrin nga 50 mijë dollarë – 100 mijë dollarë në vit.

Nga ana tjetër avantazhe të ndryshme lidhen dhe me shkëmbimet e komunikimit social-kulturor mes nomadëve dhe komuniteve pritëse, në funksion të diversitetit dhe mbrojtjes së vlerave humane dhe demokratike, sepse kjo është dhe filozofia e qasja morale e zhvilllimit të teknologjisë – një botë pa kufi, e aksesushme në kohë reale në hapësirë, si dhe pa përballje ekstreme të idenitetit social-kulturor. Në këtë realitet të ri digjital, Shqipëria po pozicionohet si një ambient sa më familjar për profesionistët digjitalë, që koordinatat gjeografike të atdheut i lidhin ” vetëm me aksesin në Wifi, dhe më pas përshtaten pa pretendime të konsiderueshme. Ata kanë botën e tyre dhe ne pritësit, duhet t’i ofrojmë vizionin tonë.

Në këtë aspekt, Shqipëria, e njohur për mikëpritjen e ngrohtë, tolerante për të huajt dhe klimës sociale pa paragjykime e diskriminime, përbën një model të tokës së premtuar për nomadët digjitalë. Ambienti i përshtatshëm diktohet dhe nga vetë kostot tejet normale, të përballueshme të jetës së përditshme.
Në Shtator 2022, në Tiranë, Festivali i Parë i Nomadëve Digjitalë organizuar nga Bashkia e Tiranës, identifikoi 100 nomadët e parë akomodues, të cilët konfirmuan së pari, pikërisht cilësitë e sipërpërmendura.

Përballë këtij realiteti të ri jo vetëm teknologjik, por dhe social, politikat dhe programi i qeverisë kanë synuar të krijojnë një mjedis pritës sa më pozitiv ndaj këtij grupimi i cili, në përceptim të përgjithshëm duket i pakët, por statistikat dëshmojnë se shtohen nga dita në ditë.

Për ta optimizuar këtë potencial qeveria ka ngarkuar Ministrin e Shtetit për Mbrojten e Sipërmarrjes për të hartuar një paketë ligjore incetivuese për këtë target grup.
Në zyrat e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes takimet dhe ekperiencat e punës me nomadë digjitalë kanë qenë të shpeshta dhe të ndryshme. Ata janë partnerë të rëndësishëm në hartimin dhe realizimin e startup-eve të shqiptarëve duke krijuar një klimë sinergjike dhe bashkëpunuese për inovacionin dhe biznesin vendas.

Ajo çfarë kanë përcjellë nomadët digjitalë, si reagim të drejtëpërdrejt lidhet me vlerësimin e sigurisë fizike, kushtet komode dhe natyrën e bukur që ofron Shqipëria për ta. Një pjesë e profesionistëve, përveç Tiranës, kanë zgjedhur Durrësin, Vlorën, Shkodrën dhe një pjesë të bregdetit të Jugut.

Ndryshimet ligjore domosdoshmëri për komoditetin e nomadëve digjitalë në Shqipëri

Në punën tonë të përditshme çdo eksperience e re krijon një leksion të shtuar jo vetëm në profesion, por edhe për natyrën e jetës sociale. Kërkesa gjithnjë e në rritje të nomadëve digjitalë, për akomodim në Shqipëri, na vuri para përgjegjësisë politike dhe sociale për të lehtësuar procedurat e marrjes së vizës dhe të kohë qëndrimit në Shqipëri. Ligji aktual nr. 25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve” nuk arrinte të mbulonte parashikimet tona në këtë aspekt. Ndryshimet u bënë të domosdoshme dhe puna me ekspertët e sektorit, u ndërthur në mënyrë simbioze me përvojën e nevojshme të vendeve të rajonit dhe BE-së. Në themel të konsultimeve ishte harmonizimi me prioritetet e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve, për vitet 2021-2027 dhe Strategjisë Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin 2017 – 2022.

Pas një konsultimi efektiv publik u arrit të përcillej në një kohë të përshtatshme në Këshillin e Ministrave amendimet që lehtësojnë ndjeshëm dhe i bëjnë më të thjeshta akomodimin dhe veprimtarinë e punonjësve lëvizës digjitalë (nomadëve digjitalë) në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një akomodim i përshtatshëm dhe pa vështirësi të ndjeshme i nomadëve digjitalë në Shqipëri nuk është avantazhim vetëm për punën dhe jetën e tyre. Një periudhë e rehatshme për ta në vendin tonë përkthehen dhe në rritje të efikasitetit për mbështetjen e startup-eve, rritjes së punësimit të të rinjve shqiptarë dhe më shumë shpenzime e të ardhura për ekonominë lokale.
“Qëllimi i ndryshimeve të ligjit aktual “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve” në hapësirën e dedikuar nomadëve digjitalë lidhet me mbështetjen direkte të tyre dhe përsa më poshtë:
Punonjësit lëvizës digjitalë nuk do të konsiderohen rezidentë tatimor në Republikën e Shqipërisë për një periudhë prej 12 muajsh, pra përjashtohen nga taksat për një vit.
Punonjësit lëvizës digjitalë pajisen me leje unike, bazuar në ligjin “Për të huajt” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”

Shqipëria në 32 vite të pluralizmit demokratik po transformohet gjithnjë e më shumë në çdo sektor. Në këtë rrugëtim, teknologjia ka marrë një rol parësor dhe shtetit i përket detyra kryesore të krijojë një mjedis sa më komod dhe frymëzues për ekspertët dhe punonjësit e saj. Në këtë kuptim, përdorimi i teknologjisë, sikurse shprehet menaxheri amerikan Sean Gerety, nuk habit askënd…, por përvoja që krijojmë nga raporti me të, përbën gjithçka. Neve na përket ta zhvillojmë Shqipërinë për çdokënd, edhe për profesionistët e digjitalizimit, sepse teknologjia ngre një të ardhme të sigurt dhe për qeverinë është vokacioni i progresit.
“Le të krijojmë të nesërmen në vend që të shqetësohemi se çfarë ka ndodhur dje …” – Steve Jobs

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot