Një ditë pasi u betua para presidentit Bajram Begaj, Ferit Hoxha ka reaguar për herë të parë si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në një postim në rrjetin social X, ai e cilësoi këtë detyrë si nderin më të madh pas më shumë se tre dekadash shërbimi në administratën publike dhe në diplomaci.
Hoxha falënderoi kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj për besimin që i kanë dhënë, duke e quajtur emërimin një privilegj të madh, por edhe një përgjegjësi të lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve.
Ai nënvizoi faktin se gjatë karrierës së tij ka përfaqësuar Shqipërinë në organizata ndërkombëtare dhe në kryeqytete të rëndësishme, përvojë që sipas diplomatit ka treguar se pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është rritur ndjeshëm.
Ministri i ri i Jashtëm u zotua se së bashku me Shërbimin e Jashtëm dhe institucionet e tjera do të vijojë punën për zbatimin e politikës së jashtme të qeverisë, ku në qendër mbetet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Prioriteti i Hoxhës, sipas tij, është që të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe të sigurohet që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar dhe e dëgjuar në hapësirën euroatlantike dhe në arenën globale.
Postimi i plotë i Ministrit Hoxha në X
“Për dikë që ka shërbyer me devotshmëri për më shumë se tre dekada e gjysmë si nëpunës publik dhe si anëtar i Shërbimit të Jashtëm, nuk ka nder më të madh sesa ngjitja në përgjegjësinë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në një moment kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Dua të falënderoj Kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj për besimin që më kanë dhënë, një privilegj të madh por edhe detyrim i lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Shqipërisë. Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur nderin ta përfaqësoj flamurin kuq e zi në organizata ndërkombëtare dhe kryeqytete të rëndësishme, me bindjen e palëkundur se shërbimi ndaj vendit është detyra më e lartë e një nëpunësi publik. Kjo përvojë më ka dhënë mundësinë të shoh nga afër se sa shumë është rritur pesha dhe besueshmëria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, dhe se zëri ynë dëgjohet sot me më shumë respekt dhe vëmendje. Se së bashku me kolegët e mi në Shërbimin e Jashtëm dhe me të gjitha institucionet e përfshira në hartimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, do të vazhdojmë të punojmë për të përmbushur me dinjitet misionin tonë në shërbim të Republikës së Shqipërisë, duke jetësuar përparësitë e programit të qeverisë në politikën e jashtme, në zemër të të cilit qëndron pakthyeshëm procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor - interesi ynë kombëtar - do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale”
Komente












