Shqipëria po avancon një seri reformash dhe projektesh të mëdha për klimën dhe mjedisin, duke nisur nga financimi i projekteve për pyjet, reforma e sistemit hidrometeorologjik, krijimi i strukturave të reja për administrimin e pyjeve, plani kombëtar për ndryshimet klimatike dhe paketa e re për cilësinë e ajrit. Detajet u prezantuan nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, në përmbyllje të Konferencës Rajonale të Klimës “United for Climate”, zhvilluar në Tiranë.
Një prej këtyre projekteve që po zbatohet në Shqipëri, Albadapt, me një vlerë 40 milionë dollarësh që po zbatohet në bashkëpunim me Gjermaninë dhe Zvicrën, që sipas Ministrit, është projekti më i madh në rajonin e Ballkanit
“Asnjë vend i BE-së apo vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë një projekt të tillë të financuar nga Fondi Global i Mjedisit” tha Jaupaj.
Përveç këtij projekti, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë garanci financimi për një tjetër projekt prej 50 milionë dollarësh grant për pyjet. Sipas ministrit, fondi do të përdoret për zgjerimin e fidanishteve, ripyllëzimin e zonave të degraduara nga zjarret dhe forcimin e kapaciteteve për administrimin e pyjeve.
Në kuadër të reformës në sektorin pyjor, Ministria e Mjedisit ka prezantuar edhe një projektligj të ri, që parashikon ngritjen e katër agjencive rajonale të pyjeve dhe krijimin e Ndërmarrjes Shtetërore të Pyjeve sipas modelit austriak. Ai bëri të ditur se në tetor 2025 është përfunduar regjistrimi i të gjithë fondit pyjor të Shqipërisë, që përbëhet nga 1.2 milionë hektarë pyje.
“Nëpërmjet Ndërmarrjes Shtetërore të Pyjeve që Shqipëria po zhvillon sipas modelit të suksesshëm austriak, do të kemi mundësi që të zgjerojmë kapacitetet tona duke rikthyer dhe krijuar fidanishtet shtetërore që është një domosdoshmëri absolute kombëtare, sepse duhet të zgjerojmë jo vetëm ripyllëzimin në territoret e degraduara, por duhet të ripyllëzojmë pranë infrastrukturës rrugores” tha Jaupaj.
Jaupaj prezantoi edhe Planin Kombëtar të Ndryshimeve Klimatike 2026-2036, që përfshin 66 masa prioritare për përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike, si zjarret, përmbytjet dhe thatësirat.
“ Këto masa janë të ndara në masa të buta, të gjelbra dhe infrastrukturore. Masat që duhet të merren për mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimatike janë të kushtueshme. Vlera financiare e këtij plani kombëtar është 9.8 miliard dollarësh. Në llogaritjet tona, del që është një hendek 93% sa i takon financimit. Financimi shtetëror për mjedisin është gjithnjë e më shumë por është pamjaftueshëm . Për këtë arsye, këto masa u prezantuan me Komisionin Europian, organizatat e ndryshme që ofrojnë grante apo kredi në mënyr që të bëjmë një plan financimi për zbatimin e këtyre masave” tha ai.
Një tjetër reformë që pritet të zbatohet është ajo e sistemit hidrometeorologjik, pasi shumë nga stacionet meteo dhe hidro në vend janë degraduar për shkak të mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes.
“Kemi krijuar një aleancë me Swiss Meteo që është Operatori Zviceran i Hidrometerologjisë, që të bëjmë një reformë të plotë dhe investime në terren, që të shtojmë stacionet, të kemi një sistem të saktë dhe parashikimiet e duhura për të gjtha problematikat e motit. Nga viti 2027-2028 duhet të kemi kalibrimin funksional të këtij sistemi sipas standardeve europiane. ” tha jaupaj
Jaupaj u ndal edhe te cilësia e ajrit, që mbetet një nga kapitujt më të vështirë të negociatave me Bashkimin Europian. Duke renditur qytete si Tirana, Elbasani, Durresi e Korça si ‘problematike’ për cilësinë e ajrit, ai tha se Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik paketën e re për cilësinë e ajrit, e cila përfshin strategjinë kombëtare 10-vjeçare, planin e veprimit dhe projektligjin e ri të përafruar me direktivat europiane.
“Sapo kemi filluar bashkëpunimin me Bankën Botërore në mënyrë që të financojmë një projekt të plotë për këtë paketë. Ky projekt përfshin qendrën e monitorimit dhe vendosjen e të gjitha stacioneve të ajrit sipas parametrave të Agjensisë Europiane të Mjedisit, deri në vitin 2028, në mënyrë që në vitin 2029, kur të jemi anëtarë të BE, të kemi një sistem të plotë monitorimi. tha Jaupaj.
Komente











