Cili është sot misioni i brezit tonë? Të bëjmë shpikje të mëdha apo të shpëtojmë e të mbrohemi nga kaosi që disa të tjerë sistematikisht krijojnë? Dietrich Bonhoeffer shkruante: “Do të na duhet të shpëtojmë, më shumë se të krijojmë jetën tonë, të shpresojmë më shumë se të projektojmë, të rezistojmë më shumë se të marshojmë... Dhe e shkruante në kohën kur Gjermania e madhe binte në duar të Hitlerit.
Sot Shqipëria është në një përplasje të qartë brezash: Fëmijët tanë po na thonë: “Mjaft më!”, ndërsa prindërit tanë janë të bindur se: “Që duhet një shkundje duhet, por kujdes se politikën e kapin vetëm maskarenjtë..”. Shqipëria duket në një udhëkryq të rëndësishëm ku vlen të reflektohet me durim dhe qartësi për të parë me vëmendje se ku jemi dhe ku duam të shkojmë dhe si duhet të ndërtojmë bashkë shtëpinë tonë. Kemi shancin të krijojmë një kryevepër, nëse, ata që përherë kanë dëshirë kaosin, nuk kanë plane të tjera qoftë edhe nën pupla rozë.
Përherë kam admiruar historinë e nenit 9 në Kushtetutën e Italisë, por pa i hedhur një sy kushtetutës sonë. Nuk jemi të vëmendshëm ndaj gjërave që kemi, shpeshherë nuk i shohim fare të bindur se nuk i kemi, por ja që shqiptarë që kanë punuar dhe menduar mirë janë ende mes nesh. Neni 9 i Kushtetutës italiane është interesant sepse përfaqëson një nga rinovimet më origjinale të Kushtetutës së 1948.
Teksti i 1948 kur Kushtetuta hyri në fuqi me 1 janar 1948:
«Shteti promovon zhvillimin e kulturës dhe të kërkimit shkencor dhe teknik. Ruan peizazhin dhe pasurinë historike dhe artistike të Kombit”. Neni 9 ishte mes Principeve themelore (nenet nga 1-12), pra mes vlerave më të rëndisishme mbi të cilat themelohet Republika italiane. Vini re: Në vitin 2022 u bë reforma dhe Parlamenti miratoi një modifikim kushtetues: Sot neni 9 është ky: «Republika promovon zhvillimin e kulturës dhe kërkimin shkencor dhe teknik. Mbron peizazhin, pasurinë historike dhe artistike të Kombit. Mbron mjedisin, biodiversitetin dhe ekosistemet, edhe në interes të brezave të ardhshëm. Ligji i Shtetit disiplinon mënyrat dhe format e mbrojtjes së kafshëve”. Neni 9 i Kushtetutës italiane konsiderohet shpesh si “principi i bukurisë” ose si “principi i kulturës”, por në të vërtetë është akoma e më i gjërë pasi pohon se zhvillimi i vendit nuk duhet të matet vetëm me koncepte ekonomike, por edhe përmes ruajtjes të pasurisë kulturore, promovimit të njohurisë shkencore dhe mbrojtjen e mjedisit për brezat e ardhshëm.
Kanë rëndësi vitet. Ky nen u modifikua në Itali pas bumit të ndërtimit dhe zhvillimit të Italisë së pas Luftës së Dytë Botërore. Është mirë që të rinjtë shqiptarë sot në shesh të kenë parasysh këtë: A është Shqipëria jonë sot si Italia e viteve 50 apo 60, apo ne sot jemi si Italia e viteve 2022 sa i takon zhvillimit urbanistik dhe ekonomik? E megjithatë, po Kushtetuta e Shqipërisë çfarë parashikon sot për mbrojtjen e Mjedisit dhe të Trashëgimisë Kulturore për brezat që do të vijnë?
Një nga dispozitat më të rëndësishme është neni 59, i cili përcakton objektivat socialë të shtetit. Në të thuhet se shteti synon: “të sigurojë një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”. Ky nen e vendos mbrojtjen e mjedisit si një nga qëllimet themelore të veprimtarisë shtetërore. Sa i takon Trashëgimisë kulturore: Neni 3 i Kushtetutës parashikon se ndër bazat e shtetit janë: “identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare”. Përfshin edhe mbrojtjen e vlerave historike, kulturore dhe shpirtërore të kombit. Gjithashtu, neni 56 u jep qytetarëve të drejtën të informohen për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij. Ndërsa sa u takon burimeve natyrore Neni 11 përcakton se: “tokat, burimet natyrore, ujërat, pyjet dhe pasuritë e tjera natyrore janë baza e zhvillimit ekonomik dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti.
Ndryshe nga Italia, ku mbrojtja e kulturës, peizazhit dhe mjedisit është përfshirë në një nen të vetëm themelor (pra Neni 9 i Kushtetutës Italiane), Kushtetuta shqiptare i shpërndan këto parime në disa nene të ndryshme. Megjithatë, edhe në Shqipëri mbrojtja e mjedisit dhe e trashëgimisë kombëtare konsiderohet një detyrim kushtetues i shtetit, principe që na vendosin mes vendeve të ndjeshme ndaj këtyre argumentave.
Thënë kjo: Është e bukur, surprizuese dhe shpresëplotë dëshira e madhe e të rinjve shqiptarë sot në protestë për mbrojtjen e mjedisit, transparencën në vendimmarrje për zhvillimin e vendit. Është e vërtetë dhe e konfirmuar nga një brez në tjetrin se nga balta lindin lulet më të bukura. Sa është gjithashtu e vërtetë se respekti ndaj natyrës, kafshëve nuk përjashton respektin e njeriut ndaj njeriut. Ndaj kjo protestë nuk mund të lejojë mes vetes parrulla, sllogane apo individë denigrues, shpifës dhe përfolës të qytetarëve të tjerë shqiptarë që kanë punuar një jetë që mjedisi dhe Shqipëria të ruhej sadopak nga duar shkatërruese. Respekti dhe ruajtja e dinjitetit njerëzor, është një parrullë që duhet mbajtur më lart se të tjerat, krah mbrojtjes së flamingove.
P.s. Për ata që sot sulmojnë mediat “tradicionale”, ku për fat të keq rreshtohen dhe disa gazetarë të emocionuar në shesh apo duke llogaritur se mund të zaptojnë pak vëmendje dhe dashuri në zemrat e të rinjve rebelë, të cilët nuk e njohin aspak historinë e gazetarisë në Shqipëri. Kjo media tradicionale është përplasur dhe i është dashur të mbijetojë në situata absurde: nga një shtet pa shtet, në survejime dhe persekutime të vërteta e të egra të shërbimeve informative dhe policisë, dhunës së Shtetit-padron ndaj qytetarëve deri në vrasjet e 4 qytetarëve dhe dhjetëra të plagosurve (mes tyre dhe një gazetar) pikërisht në atë bulevard ku sot lirshëm ngrihen pankartet e flamingove për një Shqipëri më të bukur dhe më të mirë. Aty ku qindra nëna të reja dalin të qeta me fëmijët në krah, gazetarët e “medias tradicionale” jo 100 vite më parë, por muaj më parë, u duhej të shkonin me mbrojtës ndaj gazit, molotovëve, ndëRsa plumbat ua përshkonin dorën që do të përgatiste raportimin në protestë. E bëni dot dallimin? E njihni historinë?
Komente








