Aty ku deri dje kishte gjelbërim, sot mbizotërojnë mbetjet e zjarrit. Pemët e djegura qëndrojnë si dëshmi e asaj çfarë ndodhi.  Flakët në pak orë shkatërruan atë që natyra ndërtoi për dekada. Specialistët e pyjeve tregojnë se pasojat e mbetura pas janë kolosale jo vetëm në aspektin ekologjike, por dhe ekonomik.

“Kemi humbje të jashtëzakonshme të komponentëtve që përbëjnë mjedisin dhe biodiversitetin”, tha Artmir Dodaj, specialist pyjesh.

Vetëm nga zjarret e vitit 2025 në pyjet e Fushë Arrzit bilanci ekonomik përllogaritet rreth 80 milionë euro, teksa në rajonin Pukë-Fushë Arrëz, i njohur si kryeqendra e pyjeve shqiptare, përllogaritja e dëmeve totale që lanë pas zjarret e këtij viti mund të sjell bilanc të frikshëm që i ktheu sipërfaqet e djegura 80 vite pas.

Viti 2025 ishte i vështirë për zjarret në pyje e kullota. Kemi dëm ekonomik rreth 80 milionë euro. Pasojat janë të mëdha”, thotë Dodaj.

Zjarret në pyje, sipas specialistëve, janë një ndër shkaktarët e erozioneve, që po sjell pasoja kryesisht për basenet ujëmbledhëse të lumit Drin, rrezja e të cilit po zvogëlohet çdo vit.

“Përveç materialit drusor që po dëmtohët do të kemi erozion më të madh dhe të fuqishëm”, thotë Dedë LLeshi specialist Pyjesh.

Për ekspertin Dede Lleshi ka ardhur koha për masa parandalues, të cilat vitet e fundit nuk vërehen si më parë.

“Duhet të kemi shtim të personelit, të kemi një vëzhgues zjarreve. Ka vite që nuk po shohim pastrimin e pyjeve”,shton ai.

Për specialistët e pyjeve dëmi ekologjik flet për një klithmë të pyllit. Thirrja e tyre nuk është kërkesë për luks, por kusht themelor për jetën, pasi nuk ka të ardhme nëse plaga e pyjeve nuk shërohet.

Vetëm gjatë këtij viti në vendin tonë u shënuan 45 vatra zjarresh me më shumë se 10 mijë hektarë të djegur. Më masivet u shfaqën në Krujë, Pukë, Dibër, Dajt dhe Mirditë, ku mbetën të shkrumbuara qindra hektarë, mbi të cilat ishin kultivuar mijëra drurë pyjor për të cilët u deshën dekada.