“Universitetet publike në Shqipëri nuk ofrojnë kredi studentore, edhe pse në ligjin e arsimi të lartë të vitit 2015 konkretisht në nenin 114 thuhet se: Kredia studentore është e hapur për aplikim për të gjithë studentët që fitojnë të drejtën për studime në programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë.”

Për studenten e drejtësisë Kriselda Dedndreaj kredimarrja studentore ende nuk funksionon, pasi kërkesat e studentëve si edhe në shumë raste të tjera nuk shihen me prioritet.

“Kjo qeveri ka treguar që i vonon nevojat e studentëve dhe gjatë viteve megjithëse ne kemi shumë problematika të tjera të cilat vazhdojnë të vonohen edhe pse janë në fuqi”, tha Dedndreaj.

Dedndreaj shprehet mosbesuese dhe ndaj premtimit të ministres së arsimit Evis Kushi se shumë shpejt do të bëhet e mundur që studentët të aplikojnë për të marrë kredi.

“Besoj se kredia studentore nuk do ta ketë në plan të vendoset në fuqi dhe do të jetë me shumë vonesa. Mendoj që mund të shërbej në mundësinë e zgjedhjes, si në trajtimin e këtyre studentëve si adult dhe si individë në shoqëri dhe jo si barrë e familjeve”, tha Dedndreaj.

Kredia studentore u jep mundësinë të rinjve që të marrin ndihmesë financiare për të përballuar tarifën e shkollimit. Në vendin tone kredia studentore  nëse do të vihet në zbatim, shihet si një mundësi për përballimin e shpenzimeve në vitet e studimit, dhe studentët kërkojnë që të trajtohen si të rritur jo si barrë të familjeve të tyre. Sipas kushteve të kredisë, studentëve u jepet mundësia të shlyejnë detyrimet gjatë kohës së punësimit. 

“Kur të aplikohet një kredi e tillë duhet të jenë të mirëinformuar për çfarë është kredia e për çfarë duhet përdorur dhe mos e shfrytëzojmë për gjëra të panevojshme.”

“Është pak vonë se unë ja psh, jam në vit të tretë dhe nuk do të më shërbej më, ndoshta për masterin për më tutje, por unë sipozohem të punoj kur të jem në master, kështu që…”

“Mendoj që është diçka shumè efikase, duke patur parasysh që jo të gjithë studentët mund të kenë kushtet e përshtatshme ekonomike.”

Kredia studentore është instrument që përdoret shumë në vendet e zhvilluara. Ndërsa univeresitet në Shqipëri ofrojnë dy zgjidhje, bursat e studimit për studentët me mesatare të lartë, duke mos paguar tarifën e studimit dhe mundësinë e pagesës me 2 këste të tarifës së shkollës. Edhe pse pa dhënë një afat ministrja Evis Kushi ka deklaruar se shumë shpejt do nisin aplikimet, por pa ndarë detaje.