Dënime deri në 15 vite burg do të përballojnë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme. Mesazhin e dha ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë prezantimit të planit kombëtar të gatishmërisë për sezonin e zjarreve në Bazën Ajrore të Farkës.

Lamallari tha se qeveria ka forcuar bashkëpunimin me Policinë e Shtetit për goditjen e çdo rasti të zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa solli në kujtesë faktin se “ndryshimet në Kodin Penal kanë ashpërsuar ndëshkimet për zjarrvënien, deri në 15 vite burg”, duke theksuar se çdo akt i tillë përbën kërcënim jo vetëm për natyrën, por edhe për sigurinë kombëtare.

“ Çdo verë është një sprovë e re edhe për ne këtu në Shqipëri, dhe puna e përbashkët nuk matet vetëm me numrin e zjarreve që shuajmë, por mbi të gjitha me ato që arrijmë të parandalojmë. Zjarri nuk pyet për kufij administrativë, nuk njeh orar dhe nuk fal neglizhencën tonë. Përkundrazi, kërcënon jetën, pronën, ekonomin, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve tona. Prandaj, përgatitja për sezonin e zjarreve nuk është një ushtrim rutinë dhe as përmbushja e një detyre funksionale. Mbrojtja e Shqipërisë nga zjarret fillon me përgjegjësinë e gjithsecilit prej nesh dhe emergjenca më e mirë është ajo që nuk ndodh kurrë. Prandaj, kemi forcuar gatishmërinë operacionale në të gjithë strukturën tonë. Kemi garantuar funksionalitetin e mjeteve, rezervat logjistike, pajisjet e ndërhyrjes, komunikimin në terren dhe dislokimin e forcave në zonat me risk më të lartë. Në bashkëpunim me prefektët, bashkitë, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar një mekanizëm shumë më efikas reagimi sesa vitet e shkuara”, tha ministri.”

Ministri konfirmoi gjithashtu Shqipëria do të forcojë më tej kapacitetet për përballimin e zjarreve me investime të reja. Flotës aktuale do t'i shtohen tre avionë zjarrfikës në pronësi të shtetit shqiptar, ndërsa është planifikuar financimi i 130 mjeteve të reja zjarrfikëse dhe ndërtimi i katër stacioneve të reja në Prrenjas, Mat, Patos dhe Mirditë.

Kjo sipas, Lamallari tregon se Shqipëria hyn në këtë sezon më e përgatitur se më parë.

“Shqipëria është më e përgatitur se dje dhe plotësisht e gatshme për sfidat që na paraqet ky sezon. Së bashku do ta përballojmë këtë sfidë me profesionalizëm, disiplinë dhe bashkëpunim.”


Lajmi kryesor:

Beteja me flakët/ Rama: Shpërblim direkt me një pagë për ata që angazhohen me zjarret! 4 helikopterë në dispozicion, në fund të vitit marrim 3 avionë (VIDEO)