Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, theksoi sot se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në forcimin e menaxhimit të kufijve, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me procesin e integrimit europian. Sipas tij, investimet në kapacitete, teknologji dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë ndikuar në rritjen e standardeve të sigurisë kufitare, duke e afruar vendin gjithnjë e më shumë me kërkesat e hapësirës Schengen.

Në një postim në rrjete sociale, Lamallari nënvizon se përmes mbështetjes së programeve të Bashkimit Europian dhe bashkëpunimit me agjenci si FRONTEX, Shqipëria jo vetëm ka përfituar ekspertizë dhe asistencë, por po merr edhe një rol më aktiv në garantimin e sigurisë rajonale dhe europiane. Lamallari e cilëson këtë proces si një tregues konkret të besueshmërisë së vendit, duke nënvizuar se integrimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm një objektiv politik, por një proces i përditshëm që kërkon standarde, përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm nga institucionet shqiptare.

Postimi i plotë i ministrit Lamallari në Facebook

"Në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, çdo hap për forcimin e sigurisë kufitare është më shumë se një detyrim, është një provë konkrete e besueshmërisë së Shqipërisë si partnere evropiane. Ky rrugëtim matet çdo ditë me standardet që ndërtojmë në terren.

Përmes mbështetjes së programeve të BE-së si IPA III dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me FRONTEX, kemi bërë hapa konkretë në konsolidimin e kapaciteteve tona për menaxhimin e kufijve, duke u përafruar gjithnjë e më shumë me standardet e hapësirës Schengen. Ne jo vetëm përfitojmë nga ekspertiza, teknologjia dhe standardet më të avancuara, por edhe kontribuojmë aktivisht në sigurinë e kufijve të Bashkimit Evropian.

Shqipëria po kalon qartazi nga një vend përfitues në një vend që jep kontribut real për sigurinë rajonale dhe evropiane. Ky është një transformim që flet për seriozitetin tonë në procesin e integrimit dhe për gatishmërinë për të qenë pjesë e një hapësire të përbashkët sigurie dhe vlerash. Integrimi në BE nuk është vetëm një objektiv politik, është para së gjithash një proces i përditshëm pune, standardesh dhe përgjegjësie që po e ndërtojmë së bashku" shkruan ai

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 31 Mars, 11:25

    A besoni se Drejtori i ri Policisë, Hita do luftojë krimin dhe korrupsionin?