TIRANE - Kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto të autoambulancave të reja që do të vijnë nga Turqia në vendin tonë, si pjesë e grantit turk si asistencë ndaj Shqipërisë për Emergjencat Civile. Sipas Ramës, autoambulancat janë gati për nisur nga Turqia drejt Shqipërisë.

Siç mund të dallohet në to janë vendosur logo të Forcave të Armatosura dhe për herë të parë ambulancat do të kenë një logo të tillë. 

"Flota e re e autoambulancave të Emergjencave Civile gati për t'u nisur nga Turqia", shkruan Rama. 

Ndërkohë ditën e djeshme mbërritën nga Stambolli në Shqipëri 4.5 ton pajisje mjekësore, këto të fundit për situatën ndaj koronavirusit. Ato erdhën me avionin 'Lasgushi' të linjës ajrore 'Air Albania'. Këto mjete mbrojtëse mjekësore përfshinin maska, doreza, veshje për personelin mjekësor që po lufton në vijën e parë në frontit të luftës me koronavirusin, por edhe aparatura.