Shqipëria në karantinë/ Rama për ReportTv: Të enjten fatura e parë financiare për koronavirusin, mbështetje biznesit nga buxheti (VIDEO)

TIRANE - Të enjten do të jetë gati plani financiar për të mbështetur financiarisht të gjithë ata që nuk kanë punuar gjatë kësaj periudhe vetëkarantinimi. Në një intervistë për gazetarët e Report Tv, kryeministri Edi Rama tha se e gjithë kjo situatë do kalohet brenda mundësive që ka shteti.

Kryeministri Edi Rama la të kuptohet se Shqipëria nuk do të marrë masa të tjera drastike sa i përket kufizimeve për qarkullimin e këmbësorëve. Por shtoi se nuk do të bëjë asnjë hap pas nga ndalimi i qarkullimit.

Për shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijve dhe nuk kanë mundur të kthehen në atdhe brenda afatit që kanë pasur, kryeministri tha se nuk do të ketë penalitete.

Lidhur me debatin për testimet që po bëhen për rastet e dyshuara me koronavirus, kryeministri Edi Rama e cilësoi si të kotë, pasi Shqipëria sipas tij është në mesataren europiane.

A do të jetë një luftë e përbashkët kjo ndaj koronavirusit? Kreu i qeverisë Edi Rama në intervistën për Report Tv, la të kuptohet se politika nuk do të flasë të njëjtën gjuhë.

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë qëndrimit në shtëpi si masë parandaluese ndaj COVID-19, ka komunikuar vazhdimisht me qytetarët përmes rrjeteve sociale por edhe një strukture në kryeministri që monitoron të gjitha shqetësimet e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:39
Do të ketë takim edhe pse pa shtrëngim duarsh? Rama 'fton' publikisht Bashën: Rri në shpi...

Gjatë periudhës së tërmetit, kreu i qeverisë Edi Rama e ftoi disa herë krydemokratin Lulzim Basha për t'u ulur së bashku për të përballuar situatën dhe pasojat e lëkundjeve shkatërrimtare, por pati vetëm refuzim. Ndërkohë sot, Partia Demokratike e ka sulmuar disa herë kryeministrin Rama se nuk po e menaxhon siç duhet situatën, ndërsa edhe nga Basha ka pasur deklarata. Pyetjes nëse Rama e fton sërish Bashën për të bashkëpunuar (edhe pse dorën nuk ia jep dot), kreu i qeverisë iu përgjigj me një ftesë publike.

"E ftoj të rrijë në shtëpi, mos të luajë vendin, kur të zgjohet të lajë mirë sytë, të kuptojë që është zgjuar dhe kur flet nga shtëpia mos të tregojë atë që ka parë në ëndërr, por të thotë gjërat e duhura", tha Rama.

Ora 19:06
Rama për Report Tv: Ne 'e kemi qarë' siç thonë tironsit...Të përgatitemi për më të keqen

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë qëndrimit në shtëpi si masë parandaluese ndaj COVID-19, ka komunikuar vazhdimisht me qytetarët përmes rrjeteve sociale por edhe një strukture në kryeministri që monitoron të gjitha shqetësimet e tyre.

Deri kur do të qëndrojë mbyllur dogana? Ishte një pyetje e ardhur nga një qytetar gjatë intervistës Live në Report Tv. Kreu i qeverisë u përgjigj: "Qytetarët i kam vetë në faqen time i lexoj, i dëgjoj, komunikoj me ta dhe jam shumë i qartë se çfarë shqetësimesh kanë. Ka një skuadër që merret me gjithë ankesat, shqetësimet që shkruhen jo vetëm në faqen time po kudo në rrjetet sociale. Gjëja e përbashkët e të gjithëve është shqetësimi se kur do të mbarojë. Duhet të jemi të përgatitur për më të keqën, dhe pastaj çfarë do të dalë më mirë, e kemi qarë siç thoshin tironsit. Të përgatitemi dhe të stërvisim durimin tonë çdo ditë, të kemi shumë besim që do t'ia dalim me patjetër. Nuk është se e them, se të gjithë e thonë, por do t'ia dalim nëse do të zbatojmë hap pas hapi si një trup i vetëm strategjinë që ne kemi dhe që përkthehet në të gjitha hapat sipas planit të reagimit".

Ora 18:52
Rama ironizon sërish planin e Bashës: Kush nuk ka gjë në dorë dhe flet nga shtëpia....

Gjatë intervistës në Report Tv, Edi Rama nuk e ka kursyer sërish ironinë për Lulzim Bashën dhe planin e tij me tetë pika për qytetarët dhe bizneset për të përballuar situatën nga koronavirusi.

"Ne i kemi marrë masat të parët për mbylljen e shkollave dhe në cdo hap kemi qenë bashkë me të parët, të tjerët kanë nguruar dhe vonuar, arsyet janë legjitime dhe nga të gjitha komunikimet që kam me kolegë që drejtojnë vendet në BE janë të shokuar, dhe sigurisht fokusi është sot tek masat dhe zbatimi i tyre dhe paralelisht punojnë për planin ekonomik.

BE-ja nuk e pati gjithë ai BE, një përgjigje të unifikuar në momentin e parë, vendet filluan të bënin si të donin, njëri mbylli kufirin, tjetri eksportet, më në fund pardje unifikuan qëndrimin fizik të përbashkët dhe nuk kanë ende një plan si do i përgjigjen ekonomikisht.

Natyrisht kjo vjen edhe si rezultat e peshës së përgjegjësi se kush nuk ka dhe flet nga shtëpia pa pasur gjë në dorë, bën cdo ditë nga një të bukur, ndërsa kush ka detyrimin që ta bëjë dhe zbatojë planin duhet të mendohet pak më gjatë".

Ora 18:46
Gjendja ime? Rama: Kam barrën e të gjithëve! Zoti i shqiptarëve është i madh

"Ne do të dalim nga kjo luftë me një perspektivë më të bukur. Zoti i shqiptarëve është i madh, unë e besoj". Kështu u shpreh Edi Rama në intervistën ekskluzive për Report Tv në edicionin qendror të lajmeve në orën 18:00.

"Ne do të bëjmë gjithcka duhet sikur duhet dhe do ta themi cdo gjë në kohën e duhur pa asnjë diskutim. Cdo njeri sot është në një familje është i mbyllur apo me dalje të kufizuar dhe përjeton një shqetësim të vecantë, për shkak të detyrës dhe mënyrës si e kuptoj dhe jetoj këtë detyrë, barra që unë ndiej është e barabartë me një familje që është e imja herë të gjitha familjet e shqiptarëve që sot banojnë në Shqipëri.

Nxirreni vetë konkluzionin si ndihem unë, por pa diskutim sikur kisha besim dhe bindje do ta kalonim tragjedinë e tërmetit dhe do të dilnim me një perspektivë më të bukur për ata që u prekën dhe për vendin në tërësi, më quani si të doni, por kështu besoj, ne do të dalim  nga kjo luftë me një perspektivë më të bukur pavarësisht vështirësive dhe pasojave që duhet të shlyejmë një e nga një. Zoti i shqiptarëve është i madh, unë e besoj" tha Rama.

Ora 18:45
A rrezikohet rindërtimi? Rama: Mbase thjeshtë na shtyn pak në kohë, por do të bëhen

Situata me koronavirusin nuk e prek aspak planin e rindërtimit nga tërmeti. Kryeministri Edi Rama tha se kjo situatë që është aktualisht vetëm mund ta shtyjë pak në kohë, por jo shumë, rindërtimin.

"Ne kemi tanimë, shpallur qoftë garën ndërkombëtare për bllokun e parë të shtëpive, të atyre që jetojnë në zonat jashtë qendrave urbane dhe duhet ti nxjerrim nga cadra në një shtëpi.

Kemi shpallur dje garën ndërkombëtare për shkollat, do i ndërtojmë të gjitha të reja, plus 8 konvikte dhe këto si na i jep si nuk i jep BE-ja apo ata që na i premtuan në konferencën e Brukselit do të bëhen me ses'bën. Koronavirusi nuk ka për të na e ndryshuar planin, që atyre që u kemi thënë fjalën tu japim celësin e shtëpisë.

Mbase thjeshtë na shtyn pak në kohë, jo shumë, unë mbetem i vendosur që të bëjmë gjithcka që familjeve t'u japim celësat dhe të bëjmë gëzuar me ata vitin e ri. Uroj të mos bëhet objektivisht e pamundur për shkak të luftës. Shkollat e reja do të shtyhen pak, por procesi nuk ndryshon. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se BE-ja do i qëndrojë fjalës. Shuma e dhënë nga BE-ja është esenciale për të bërë gjërat sikur duhet për strehimin dhe arsimin" tha Rama.

Ora 18:43
Kundër koronavirusit të bashkuar?! Rama mesazh Bashës: Në çdo luftë ka tradhtarë e dezertorë!

A do të jetë një luftë e përbashkët kjo ndaj koronavirusit? Kreu i qeverisë Edi Rama në intervistën për Report Tv, la të kuptohet se politika nuk do të flasë të njëjtën gjuhë.

"Në çdo luftë ka tradhtarë dhe dezertorë, kështu që kjo është një tjetër provë që është luftë", tha Rama.

Por kush e ka autorësinë për masat e marra, veçanërisht ato që po diskutohen për të mbështetur biznesin? Teksa lideri demokrat Lulzim Basha thotë se janë sugjerimet e Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama shprehet se pikë e diskutimit është më e parëndësishmja.

"Linckonl thoshte: Sikur mediokrit të mos grindeshin për të drejtën e autorit bota do të kishte shkuar shumë më parë. Për mua nuk ka pikë rëndësie kjo polemikë, thjesht është për të ardhur keq, që shfrytëzohet një logo e rëndësishme për të nxitur ndjenja dhe reagime që nuk janë ato që duhet të ketë i gjithë populli i bashkuar kur bën një luftë. të tjerat nuk ka asnjë problem", theksoi numri një i qeverisë.

Ora 18:37
A rrezikohen negociatat nga koronavirusi? Ja si përgjigjet Rama në Report Tv

I pyetur në Report Tv nëse i trembet faktit që situata e krijuar nga koronavirusi mund të shtyjë hapjen e negociatave, kryeministri Rama u shpreh se çfarë do që të  ndodhë nuk e ndryshon aspak objektivin  e tij. "Nuk jam i fokusuar, kemi qenë gati prej kohësh, nuk na është dhënë ajo që na takon, nëse do të na jepet tani do të jetë fundi pozitiv i një historie me episode negative, jo për faj të Shqipërisë. Nëse nuk do ta ne e japin nuk do të gdhihem i mërzitur, pasi do të vijoj të bëj detyrat që kemi në këtë luftë" tha ai

Ora 18:35
Rama i përgjigjet emigrantit nga Italia për motrat e nënat shqiptare që punojnë në fasoneri në kohë koronavirusi

Duke dhënë përgjigje një emigranti shqiptar në Itali që ndërhyri në intervistën me kryeministrin Edi Rama përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë tha se në vendin tonë nuk do të mbyllen bizneset fason, pasi as Italia sipas tij nuk e ka marrë këtë vendim.

Emigranti e drejtoi pyetjen duke thënë: Ju na thoni të qëndrojmë në shtëpi, por ndërkohë nënat e motrat tona në Shqipëri punojnë në këpucari e rrobaqepësi.

"Pyet kryeministrin e Italisë dhe do marrësh të njëjtën përgjigje. As Italia nuk e ka ndaluar aktivitetin prodhues, asnjë vend. Dhe nuk ka për ta ndaluar, sepse do të ishte njësoj sikur të merrnim në qafë të gjithë popullin pasi të kemi hequr qafe virusin", tha Rama për Report Tv.

Ora 18:34
Rama për Report Tv: Cilido shqiptar që ka mbetur jashtë atdheut nuk do penalizohet për tejkalimin e afateve të qëndrimit

Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ketë asnjë penalizim ndaj shqiptarëve që kanë mbetur në Itali dhe që nuk kanë mundur të kthehen në atdhe për shkak të mbylljes së kufijve nga situata me COVID-19. Megjithatë, shefi i mazhorancës tha se duhet durim pasi edhe qeveritë e vendeve të tjera të prekura nga koronavirusi janë në vështirësitë e tyre në përballjen me këtë që ai e quan luftë, qoftë në sistemin shëndetësor ashtu edhe financiar.

"Çdo gjë në kohën e duhur ju lutem. Nuk mund t'i zgjidhim të gjitha në të njëjtën minutë sepse nuk jemi zoti dhe nuk kemi shkop magjik, dhe duhet të kuptojmë që edhe të tjerët kanë një mijë halle e probleme të tyre. Franca që ka sistemin më të financuar nga buxheti i shtetit në shëndetësi gjendet në një situatë që është alarmante. presidenti i Francës bën thirrje për mobilizim vullnetarësh në mbështetje të sistemit shëndetësor. Amerika nuk ka respiratorë të mjaftueshëm, SHBA nuk kanë aparatura të mjaftueshme për ata që do të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar. Mos vazhdojmë me të tjerët. Janë një mal me halle në çdo shtet. Dhe të gjithë ata që kanë mbetur në anën tjetër të kufirit duhet ta kuptojnë që kanë mbetur si rezultat i fillimit të një lufte, jo se i ka penguar një forcë që qëndron këtu në tokë, nga pikëpamja e një qeverie apo një tjetër. Siç i kemi pezulluar të gjitha afatet për të gjitha proceset burokratike, ashtu edhe vendet e tjera do të bëjnë të njëjtën gjë. Kush për shkak të ndalimit që ka krijuar lufta, sigurisht që nuk do të trajtohet sikur ka shkelur ligjin se kështu ka dashur vetë", tha Rama.

Ora 18:31
Rama: U garantojmë pagën atyre që janë mbyllur në shtëpi, ndihmë biznesit me kreditë

Kryeministri Edi Rama garantoi qytetarët që kanë qenë në punë dhe që aktualisht janë mbyllur në shtëpi për shkak të situatës nga koronavirusi do të marrin kompensimin e pagës. Mbështetje do të ketë edhe për bizneset. Kreu i qeverisë sqaroi se bizneset do të kenë të garantuar frymëmarrjen në raport me këstet e kredive (lexo edhe ketu vendimin).

"Durim, durim, Italia i ka marrë masat shumë kohë pasi hyri në luftë, ne shumë shpejt dhe pavarësisht se e kuptoj shumë mirë se cfarë shqetësimi ka gjithkush që i bën këto pyetje, i lutem të kuptojë se jemi në luftë dhe nuk na lejohet që për të lehtësuar shqetësimin të flasim mbi bazë dëshirash. Nëse do të ishte për dëshirë do ua kishim zgjidhur të gjithëve.

Por do të flasim mbi bazë llogarish, pasi jeta do të vijojë, pasi të mbarojë lufta. Kështu që nuk mund ti lejojëm vetes që sot të bluajmë kockën e organizimit të vendit duke harruar se nesër vendi duhet të jetë në këmbë përsëri. Ne do të bëjmë maskimumin dhe gjithkush duhet të bëjë atë individualisht për të kuptuar se nuk koha për të spekuluar me shifra absurde as për të kërkuar gjëra përtej mundësive.

Do të bëjmë atë që na takon se ata që janë mbyllur në shtëpi të kenë të garantuar kompensimin e pagës sikur do ta merrnin sikur të ishin në punë. Bizneset të kenë të garantuar frymarrjen në raport me këstet e kredive. Vendi të ketë kapacitetet për të përballuar barrën e solidaritetit me ata që janë më të prekur.

Ata që rrinë në shtëpi dhe ankohen u them kujtohuni se ka njerëz që janë në çadër. Dhe nëse prisnin t'u ndërtonim shtëpinë e re, sot kanë dy palë halle, jo në cati, por në cadër. Psikologjia jonë të jetë e një populli që është në luftë dhe lufton përditë, do të thotë durim dhe dhënie kurajoje dhe heqje nga mendja e atyre gjërave përtej ushqimit të përditshëm dhe strehës" tha Rama.

Ora 18:29
Rama asnjë hap pas nga ndalimi i qarkullimit: Ndihmë nevojtarëve, të tjerët këmbëve

Nuk ka asnjë hap pas nga ndalimi i qarkullimit të lëvizjes përveç dy fashave orare dhe pas orës 18:00 të të gjithëve në këmbë. Kështu iu përgjigj kryeministri Edi Rama në Report Tv shqetësimit të banorëve, sidomos atyre që jetojnë në zonat rurale. Kreu i qeverisë tha se të moshuarit do të ndihmohen përmes rrjetit të solidaritetit, ndërsa të tjerët ose të rrinë brenda ose të lëvizin në këmbë, nga urdhri nuk ka asnjë tërheqje.

"Kjo është luftë dhe unë besoj se askush nuk do të bënte shumë nga pyetjet që bën nëse do të shikonte avionët që fluturojnë mbi shtëpinë e tij dhe bombardon zonën që banon, të vrarët në rrugë apo të plagosurit apo do të qëndronte në shtëpi për të shmangur kontaktin me armikun. Ne po bëjmë atë që duhet, me rrjetin e solidaritetit me ata që janë më në nevojë, të tjerët në shtëpi, ose këmbëve për të zgjidhur problemet që i bënin me makinë. Në këtë detyrë ku jam dhe do të kisha dhënë gjithcka që të mos isha unë njeriu që duhet ta kaloj asi lideri i këtij vendi këtë fazë por kjo është përgjegjësi dhe nuk i shmangem dot, e kam të pamundur të flas dhe bëj ndryshe" tha Rama.

Ora 18:19
Debati për testet për koronavirusin, Rama: Polemikë e kotë! Jemi në mesataren europiane

Lidhur me debatin për testimet që po bëhen për rastet e dyshuara me koronavirus, kryeministri Edi Rama e cilësoi si të kotë, pasi Shqipëria sipas tij është në mesataren europiane. Gjithashtu ai tha se të gjitha hapat dhe masat që janë marrë janë bërë në komunikim me OBSH-në, që vlerësoi Shqipërinë.

"Së pari është ende herët për të qenë optimist apo entuziast. OBSH-ja para pak minutash ka bërë një deklaratë të qartë, që do ju lutesha ta publikojnë, sepse ka gjithmonë për fat të keq për të krijuar konfuzion nga burime që nuk kanë qenë në lartësinë e sfidës njerëzore  kur është dashur unitet. Ne jemi në mesataren europiane përsa i përket testeve, jo më lart se para se të hyja këtu po lexoja një urdhër të autoriteteve zvicerane të cilat kanë deklaruar që nuk do të bëjnë teste për askënd nën 65-vjec, përvecse, besoj për ato raste që janë kritike.

Kjo është një histori që zhvillohet duke u bazuar te njëri tjetri, praktikat më të arsyeshme dhe duke u bazuar te cka Italia, në përpjekjen e saj thotë se mund të kishte bërë më shpejt. Si edhe patjetër edhe në rastin e Kinës, që studiohet në vijimësi. Kjo polemika mbi testet është e kotë, ne po bëjmë gjënë e duhur dhe këtë e konfirmon edhe deklarata e OBSH-së, sepse nuk kemi ndërmarrë hapa u konsultuar me ekspertët tanë që përcakton strategjitë dhe kam besim te ata, jam i impresionuar nga profesionalizimi i tyre, me ekspertë ndërkombëtarë' tha Rama.

Ora 18:18
Rama:Të enjten fatura financiare nga koronavirusi, do bëjmë gjithçka brenda mundësive

Të enjten do të jetë gati plani financiar për të mbështetur financiarisht të gjithë ata që nuk kanë punuar për shkak se kanë qenë në vetëkarantinë, një ndihmë kjo për biznesin. Në intervistën për Report Tv, Rama nuk dha një shifër se sa është fatura financiare, por tha se mundësitë për mbështetje nuk janë të pakufishme por se do bëhet gjithçka brenda mundësive aktuale.

I pyetur nëse mbështetja do të vijë nga buxheti i shtetit apo nga "bujaria" e të huajve siç ndodhi me solidaritetin e treguar pas tërmetit të 26 nëntorit për rindërtimin e Shqipërisë, Rama la të kuptohet se gjithçka do të përballohet "me forcat tona" nga buxheti i shtetit.

"Kjo është luftë. Presidenti i Francës dje në mesazhin e tij e përmendi fjalën luftë 5 herë dhe faktikisht bota është në luftë. Edhe ne si pjesë e kësaj bote, si lagjja më e varfër e Evropës jemi në luftë. Në luftë prioriteti është dalja nga lufta me sukses. Dhe suksesi është të ulim sa të mundemi me masat dhe zbatimin e tyre viktimat dhe thellësinë e plagëve që do të marrim. Ky është prioriteti. Përsa i përket aspektit ekonomik dhe të problemeve që janë hapur në shumë familje si mungesë e punës dhe të qarkullimit, ne do t'i adresojmë ato si gjithë të tjerët, nuk jemi Gjermania a Franca të flasim me miliarda. Nuk kemi nevojë jetike për miliarda për të adresuar këtë çështje. Por patjetër nuk do të lëmë asgjë mangët në atë çka janë mundësitë e këtij vendi. Nuk jemi një shtëpi e pasur, por për ne si qeveri është adresimi i menjëhershëm me të gjithë peshën e rëndësisë që ka kjo situatë në ekonominë e familjeve shqiptare, i problematikës së tyre ekonomike. Besoj që ditën e enjte ne do të kemi gati planin e përgjithshëm dhe do të kemi gati edhe një faturë të atyre që janë prioritete. Dua t'ua them të gjithëve që më shumë se asnjëherë qysh se jam ulur në këtë detyrë, të gjithë janë familja ime, dhe asgjë që unë do të bëja për familjen time, nuk do t lë pa bërë për atë që sot kanë nevojë për mbështetjen tonë. nuk janë të pakufishme mundësitë tona, por brenda mundësisë do të bëjmë gjithçka", u shpreh shefi i mazhorancës për Report Tv.

Ora 18:17
Masa të tjera drastike?! Rama për Report Tv: Sfida është të zbatojmë rregullat që kemi marrë...2-3 javë vendimtare për ta ngadalësuar shpërndarjen

Kryeministri Edi Rama la të kuptohet se Shqipëria nuk do të marrë masa të tjera drastike sa i përket kufizimeve për qarkullimin e këmbësorëve dhe të automjeteve, pasi sfida tashmë sipas tij është të garantohet zbatimi në vazhdimësi i rregullave të marra. Sa do të zgjasë kjo situatë e vështirë për vendin tonë? Kryeministri Rama tha se përgjigjen nuk e di askush, por se dy ose tre javët në vijim janë të domosdoshme për të ngadalësuar shpërndarjen e virusit, mortjes siç ai e quajti që ka sulmuar botën.

"Italia nuk po bën asgjë më shumë sesa ne faktikisht. Dhe njësoj si në Shqipëri edhe në Itali një pjesë e atyre aktiviteteve që lidhen me hallkat kritike të zinxhirit ekonomik janë të pandërprera. Pjesa tjetër është e njëjta gjë që bëjmë ne.

Ajo që ne na duhet të bëjmë është t'i imponojmë këto masa deri në fund., këtu e përsëris për gjithë qytetarët që e kanë të domosdoshme të dalin nga shtëpia për shërbimet bazë, duhet të mos harrojnë se dalja në rrugë nuk është dalja në liri por është vijimi i një sjellje ndryshe nga ajo e zakonshme. Nëse shkojmë në bankë duhet të rrimë në distancën nga njëri-tjetri dhe mundësisht të rrimë në radhë për të mbrojtur veten dhe tjetrin. Nëse shkojmë në dyqan, duhet të rrimë në radhë. Këto janë shumë të vështira sepse forca e zakoneve të krijuara është shumë e madhe, por janë të domosdoshme dhe sfida tani është t'i zbatojmë të gjithë këto masa që në një kohë normale do të dukeshin absurde.

Kush e di këtë? Askush nuk e di, as në Shqipëri dhe në asnjë vend të globit. Të gjithë kanë marrë të ngjashme tanimë, ne kemi qenë vendi i parë në Evropë pas Italisë që mbylli shkollat, dhe hap pas hapi kemi qenë me atë grup vendesh që kanë bërë të njëjtat gjëra. Por askush askund nuk e di se sa do të zgjasë. Është marrë një masë që bazohet tek një afat tek dy apo tre javor me idenë që këto 2-3 javë janë të domosdoshme për të ulur kurbën e shpërndarjen sepse duhet të kemi të qartë, dhe kam qenë i detyruar të mësoj shumë nga detyra dhe halli për këtë mortje që sulmuar botë, është se asnjë masë nuk e ndal shpërndarjen e virusit, të jemi të qartë. Por masat e ngadalësojnë shpërndarjen, i japin mundësi sistemit shëndetësor të mund të asistojë ata që janë më në nevojë dhe hyjnë në fazën e një situate kritike për luftën për jetën. 2-3 javë do të jenë ndikuese në uljen e kurbës, në ngadalësimin e shpërndarjes së virusit, do t'i japë mundësi shumë njerëzve që ta kalojnë gjendjen në shtëpi. Se siç e dimë 80% e atyre që preken nga ky virus, as nuk e marrin vesh që kanë prekur", tha Rama për Report Tv.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rrapo: 18/03/2020 03:31

    Mer e krahaso kete me kryeministrin e Kanadase... sa hipokrit.

    Përgjigju
    • Vlraoo: 18/03/2020 08:19

      Pirth pirth se lirohesh ti... na krahasove me shtetin me te keputur.. hahah .. debil/e

  • vera: 17/03/2020 22:09

    DUHET testuar e gjithe shqiperia qe te dime kush eshte semure me korona e kush jo....

    Përgjigju
  • anila: 17/03/2020 21:53

    MASAT jane te domosdoshme,,,,,nuk jemi amerika me fonde pa limit,,,e falenderoj perzemersisht edi ramen kryeministrin tone TE NDERUAR SEPSE NA E KA PASTRUAR TIRANEN NGA MALOKET KU PASKEMI QENE O RAMA,,,,,CLIRIMI I DYTE I TIRANES.....

    Përgjigju
  • Agim: 17/03/2020 19:11

    Duhet mençuri jo dhune... dikush sot ne 18:10 min dukej uj ne djerse se i ishte prish bicikleta dhe e kishte perdore, sigurisht nuk do flinte ne rruge por do kthehej ne shtepi... dhe nje tufe tamam rrugeçerish qe paguhen me taksat tona, leshohen sikur kishin para nje kriminet... dhe nje spurdhjak as 25 vjec i vinte doren te fyti ketij hallexhiut qe ishte rreth 60 vjec.... dhe jo ne periferi por te rruga 5 maji, pra kjo sjellje reugeçerish ne qender tw Tiranes... ata duhet te dallojne qytetarin viktime dhe qytetarin qe ka dal per xhiro.... dhuna qe shfaqet lart, manifestohet dhe te rreshteri i vogel poshte....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki

Putin: Ne duam t'i japim fund luftës, jo thjesht ta ngrijmë atë! Negociatat? Në Sllovaki