Nga një analizë e thellë që u bëra emisioneve televizive, portaleve dhe rrjeteve sociale (me ndihmën e specialistit kompjuterik të sondazheve të mija), më rezultoi se në to dominojnë aktualisht komente/qendrime përkrahëse për radikalizimin e protestave në Shqipëri. Por ç’mendojnë për to shqiptarët e zakonshëm nga Konispoli në Vermosh?
Dy ditët e fundit zhvillova sondazhe elektronike, ku linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në të gjithë vendin proporcionalisht. Dhe nga këto sondazhe më rezultoi se Shqipëria është një shtëpi e ndarë më dysh, sa i përket opinionit për radikalizimin e protestave.
Kështu, diçka më shumë se gjysma nuk janë dakord me radikalizimin e protestave, ndërsa pjesa tjetër janë dakord me të, ose janë të dyzuar.
Po cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në këto opinione të ndara?
Faktori më i rëndësishëm është mënyra e votimit vjet. Shumica dërrmuese e atyre që janë kundër radikalizimit të protestave votuan vjet për PS-në, por ka edhe jo pak që nuk votuan fare. Nga ana tjetër, shumica dërrmuese e atyre që janë pro radikalizimit apo që janë të dyzuar votuan vjet për partitë e ndryshme opozitare, ose nuk votuan fare.
Një faktor tjetër, më pak i rëndësishëm statistikisht, është niveli arsimor. Nga analiza e përgjigjeve të të anketuarve, më rezultoi se ka një korrelacion të butë statistikor mes tij dhe nivelit të përkrahjes së protestave radikale – sa më i ulët niveli arsimor, aq më i lartë niveli i përkrahjes së radikalizimit (pro, të dyzuar, kundër).
Në kushtet kur protestat e dhunshme po vazhdojnë çdo ditë, dhe kur pothuaj gjysma e popullsië nuk i dënon ato mendërisht, Kryeministri Rama mund të kërkojë shpërndarjen e parlamentit. Dhe më pas, Presidentit Begaj do t’i duhet të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh (sipas Kushtetutës).
Kur të zhvillohen zgjedhjet, ata që janë të pakënaqur me qeverinë le të votojnë PD-në e Berishës, PL-në e Metës, PR-në e Mediut, Partinë Mundësia të Shehajt, Lëvizjen Bashkë të Qorit, Lëvizjen Shqipëria Bëhet të Lapajt, etj, etj. Dhe në qoftë se këto parti arrijnë të marrin më shumë vota se PS-ja, hallall u qoftë, le ta krijojnë një qeveri të re (nëse ia dalin të bëhen bashkë)….









Komente
Komento