Takimi mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ka përfunduar me marrëveshje mes palëve. Pas disa orë diskutimesh liderët kanë pranuar një plan 17 pikësh përmes të cilit synohet të menaxhohet fluksi i migrantëve nga vendet e Ballkanit.

Duke filluar nga detyrimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të rregullt për flukset e nevojat, detyrimi për informimin paraprak për lëvizjen e refugjatëve në kufijtë e vendit fqinj, sigurimin e strehëve përgjatë rrugës ballkanike për refugjatët në lëvizje, menaxhimin eficent të flukseve nëpërmjet regjistrimit, kthimeve dhe shtimit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e treta, si dhe menaxhimin efektiv të kufijve.

Presidenti i KE-së Jean-Claude Juncker ka thënë se plani përfshin edhe krijimin e qendrave të strehimit të cilat do të presin 100 mijë emigrantë, e këto qendra do të ngrihen përgjatë rrugës nga Greqia deri në Gjermani. Juncker tha se Agjencia e OKB-së për Refugjatë UNHCR do të ndihmojë në pritjen e 50 mijë emigrantëve në Greqi dhe pjesa tjetër do të ndahet mes vendeve të tjera të Ballkanit. Gjithashtu për të mbrojtur Shengenin sipas Juncker, në kufirin mes Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë do të vendosen 400 forca policie nga FRONTEX.

Presidenti i KE  tha se zhvendosja e njëanshme e emigrantëve nga njëri kufi në tjetrin duhet të ndalojë njëherë e mirë. Në krah liderëve të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Suedisë ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama që tha se edhe Shqipëria mund të preket nga kriza gjatë stinës së dimrit ndaj duhet bashkëpunim rajonal për përballimin e situatës. Numri më i madh i emigrantëve që vijnë nga Mesdheu për në Evropë, ka krijuar ndarje brenda BE.

Më shumë se 650,000 emigrantë vlerësohet të ketë ardhur nga deti deri më tani këtë vit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), por numri i saktë ende s’dihet. Konflikti në Siri vazhdon të jetë burimi më i madh i emigrantëve.
 
Shqipëria
Deri tani, emigrantët sirianë që kanë kaluar nga Ballkanit për në Evropën Perëndimore e kanë devijuar Shqipërinë. Por, me ardhjen e dimrit pritet që Shqipëria të kthehet në një “shteg” për të shmangur temperaturat e ulëta. Hipotezën që Shqipëri-Itali mund të kthehet në një itinerar e konfirmojnë dhe zyrtarë të BE-së duke folur për “Reuters”. Gjithashtu, me kërcënimin që disa vende të Ballkanit mund të mbyllin kufijtë, Shqipëria mund të kthehet në një vend strehimi për refugjatët nga Siria.

Pas takimit mes liderëve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, presidenti i KE-së Juncker tha se marrëveshja e arritur përfshin edhe krijimin e qendrave të strehimit të cilat do të ngrihen përgjatë rrugës nga Greqia deri në Gjermani. Edhe autoritetet shqiptare po përgatiten për të strehuar refugjatët sirianë. Deri tani janë përgatitur dy kampe për strehimin e tyre. Bëhet fjalë për një Korçë dhe një tjetër në Gjirokastër nga ky priten hyrja e tyre nga Greqia përmes Kapshticës dhe Kakavijë.

Në Gjirokastër fusha e aerodromit pritet të kthehet në kamp me çadra, gjithashtu dhe fushë-pushimi që ndodhet brenda territorit të ish-Brigadës së Këmbësorisë së Forcave të Armatosura. Kapaciteti pritës i këtyre dy hapësirave është 10 mijë persona. Ndërsa në Korçë, ish-reparti ushtarak në Kapshticë do të shërbejë si kamp për refugjatët që do të kalojnë kufirin për në Shqipëri nga Greqia. Kapaciteti pritet të jetë rreth 500 persona.

Redaksia online
(f.s/shqiptarja,com)