Ngjarje historike e ka konsideruar Kryeministri Rama faktin se më 6 dhjetor do të mbahet në Tiranë samiti Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor ku do të jenë të pranishëm liderët e Evropës. Në një postim në Facebook Rama është shprehur se një ngjarje të tillë askush nuk do ta imagjinonte pak vite më parë.

“Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ka bërë publik vendimin e mirëseardhur për organizimin më 6 dhjetor, në Tiranë, të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës”, ka shkruar Rama teksa ka nënvizuar se për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë kjo është një ngjarje absolutisht historike.

“Për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj”, përfundon Kryeministri.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel përmes një postimi në Twitter, bëri të ditur dje se më 6 dhjetor, liderët e Bashkimit Europian do të vijnë në Tiranë pasi do të mbahet samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor.  Mes liderëve që pritet të vijnë në kryeqytet janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Samiti vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, Serbisë po i kërkohet më shumë progres në dialogun me Kosovën për të avancuar në procesin e integrimit në BE. Ballkani Perëndimor ka kërkuar të mos lihet vetëm nga Brukseli përballë krizës energjetike me të cilat po përballet e gjithë bota. Ndërkohë BE ka premtuar se do të përfshijë 6 vendet e BE në projekt e saj për t’iu gjendur pranë në këtë periudhë krize.

Kujtojmë se më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
Berisha përshëndet Samitin e BE: Afirmim i ri i Bashkimit Europian ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë

1666608968_WhatsAppImage20221024at12.12.54.jpeg

Sali Berisha ka përshëndetur mbajtjen e Samitit të BE në Tiranë. Ai e ka cilësuar këtë samit si një afirmim i ri i Bashkimit Europian ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë.

“Partia Demokratike e Shqipërisë përshëndet vendimin e Presidentit të Bashkimit Europian për mbajtjen në Tiranë të Samitit të përbashkët të vendeve anëtare të BE-së me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në fillim të dhjetorit që vjen.

Ky vendim është një afirmim i ri i Bashkimit Europian ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Vendimi gjithashtu provon rëndësinë e madhe të Procesit të Berlinit për Shqipërinë e rajonin, dhe shënon fundin e aleancës përçarëse trilaterale Beograd-Tiranë- Shkup, në kuadrin e projektit serbo-rus të Ballkanit të Hapur.

Samiti do të jetë një mundësi reale për shtetarët e BE-së, për të njohur nga afer situatën dramatike të korrupsionit galopant, lidhjeve të tmerrshme të qeveritarëve me krimin e organizuar dhe drogën, gjendjen tejet të rëndë të mediave në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Ora 14:20
Presidentja e Komisionit Evropian Von der Leyen tur takimesh në Ballkanin Perëndimor, të enjten vjen në Tiranë

1666614159_P051874931253scaled.jpg

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë këtë javë Ballkanin Perëndimor.

Të mërkurën, 26 tetor, Ursula von der Leyen do të zbresë në Shkup në Maqedoninë e Veriut, të enjtes e 27 tetorit në Tiranë dhe Prishtinë, të premten vizion Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë. Vizita e presidentes së Komisionit Evropian do të përmbyllet të shtunën, ku do të vizitojë Malin e Zi.