Shqipëria dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar sot marrëveshjen e partneritet të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Marrëveshja u nënshkrua mes përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Burime zyrtare nga ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se falë kësaj marrëveshjeje Bashkimi Europian vendos në dispozicion të qeverisë shqiptare një fond prej 13 milionë eurosh për modernizimin e Forcave Ushtarake Tokësore. Ky është përfitimi nëpërmjet mekanizmit “European Peace Facility’ te BE
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e cilësoi marrëveshjen impuls cilësor i ndërveprimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në kuadër të rrugëtimit të pakthyeshëm të integrimit në BE.
“Tashmë do të kemi më shumë mundësi dhe instrumente europiane për fuqizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërkohë që jam i bindur se do të japim më të mirën dhe do të shtojmë vlerë në angazhimet operacionale të Bashkimit Europian”, u shpreh Vengu në rrjetet sociale.
Nënshkrimi i dokumentit nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe Pirro Vengu vjen në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor që ka nisur sot në Bruksel, ku Shqipëria përfaqësohet nga një delegacion i nivelit të lartë i drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.
Ministri Hasani përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se kjo marrëveshje do të rrisë më tej aftësitë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sot në Bruksel nënshkruam Marrëveshjen e Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian, duke zyrtarizuar bashkëpunimin e zgjeruar në fusha të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes. Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme!', shkruan ai.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm gjatë nënshkrimit të marrveshjes, u shpreh se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe lidhja mes BE duhet që të forcohet edhe më shumë.
'Është një ditë e rëndësishme për ne sepse kemi edhe samitin me BE dhe ne sot u zgjuam me një ndjesi të këndshme, sepse kemi hapur një tjetër grupkapitujsh. Dua të them se jemi të privilegjuar, sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë. Kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe është shenjë që lidhja jonë është e pandashme dhe duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë. Dua të shpreh falenderimet e mia për BE, për të gjithë ata që në emër të BE po punojnë pë ta shtyrë para këtë axhendë', tha Rama.
Më 17 dhjetor, Shqipëria çeli negociatat për 2 kapitujt e radhës, që përfshijnë marrëdhëniet me jashtë, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes, proces që e çon vendin një hap më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.