Më 1 nëntor 2012, gjatë një vizite vetëm katërorëshe në Tiranë, sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton finalizoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare që do të shënonte një nga vendimet më të pazakonta të politikës së jashtme të Shqipërisë në dekadat e fundit.

Shtetet e Bashkuara kërkonin një vend të sigurt për opozitën iraniane të njohur si People's Mojahedin Organization of Iran MEK, e cila deri atëherë ndodhej në një kamp në Irak. Pasi kjo organizatë ishte hequr nga lista amerikane e organizatave terroriste, Uashingtoni kërkoi një vend mik për ta strehuar. Shqipëria pranoi. Vendimi u bë i njohur më 17 mars të vitit 2013, gjatë takimit që kryeministri i kohës Sali Berisha pati me Zëvendës Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit për Cështjet e Lindjes së Afërt, Barbara Leaf.

Dy muaj më vonë, më 17 maj 2013, në tokën shqiptare zbarkuan 14 anëtarët e parë nga rreth 210 muxhahedinët që vendi kishte pranuar të strehojë. Ky ishte vetëm fillimi i një procesi që do të zgjaste disa vite.

Me kalimin e kohës, numri i tyre u rrit gradualisht. Ndërsa kampi i tyre i dikurshëm në Irak u boshatis, rreth 4 mijë iranianë u transferuan në Shqipëri. Fillimisht u shpërndanë në disa zona të vendit, përpara se të zhvendoseshin të gjithë në një kompleks të ndërtuar në Manzë të Durrësit, i njohur si Ashraf 3.

Kompleksi, i ngritur në një sipërfaqe prej 40 hektarësh, përbëhet nga 127 ndërtesa dhe funksionon si një qytet i vogël i izoluar. Ai monitorohet me masa të forta sigurie dhe mbetet një nga zonat më të mbrojtura në territorin shqiptar.

Por bashkë me muaxhahedinët erdhën edhe tensionet.

Në vitin 2020, autoritetet shqiptare zbuluan një celulë terroriste që dyshohej se po përgatiste një sulm ndaj muxhahedinëve në Shqipëri. Drejtuesi i grupit u dënua më vonë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 15 vite burg.

Në të njëjtën periudhë erdhi edhe kërcënimi i parë publik nga Irani. Lideri suprem i vendit,Ajetollah  Ali Khamenei, akuzoi Shqipërinë se kishte lejuar në territorin e saj “mercenarë iranianë” që sipas tij komplotonin kundër Republikës Islamike.

“Në një vend europian, një vend i vogël europian por shumë i pabesë, një numër mercenarësh iranianë dhe tradhtarësh u bashkuan me disa të huaj dhe u përpoqën të konspironin kundër Republikës Islamike të Iranit",- tha asokohe Ali Khamenei, i cili u vra pak javë më parë nga sulmet amerikano-izraelite në Iaran.

Dy vite më vonë tensioni kaloi në një tjetër nivel. Shqipëria u bë objekt i një fushate të gjerë sulmesh kibernetike, që për disa ditë paralizoi pjesë të rëndësishme të infrastrukturës shtetërore. Aleatët amerikanë dhe NATO ndihmuan në përballimin e situatës, ndërsa mijëra dokumente u publikuan në platformën Telegram. Qeveria shqiptare akuzoi zyrtarisht Republikën Islamike të Iranit për sulmin.

Kriza kulmoi më 7 shtator 2022. Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe urdhëroi diplomatët iranianë të largoheshin nga vendi. Brenda pak orësh ambasada iraniane në Tiranë u boshatis.

Historia nuk u mbyll aty.

Në qershor 2023, një operacion i policisë shqiptare në kampin Ashraf 3, i kryer me urdhër të SPAK, ngriti pikëpyetje të reja. Prokuroria e Posaçme dyshonte se disa anëtarë të organizatës kishin përdorur territorin shqiptar për të kryer sulme kibernetike kundër Iranit.

Për këtë arsye u regjistrua një procedim penal për disa vepra, përfshirë: provokim lufte, përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, ndërhyrje në sisteme kompjuterike, keqpërdorim pajisjesh, dhe veprimtari në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë nuk u ndalën.

Më 9 mars të këtij viti, pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara nisën një ofensivë ajrore kundër Republikës Islamike të Iranit dhe u raportua vrasja e Ali Khamenei, grupi i hakerëve Homeland Justice, i dyshuar për lidhje me Iranin, kreu një tjetër sulm kibernetik  këtë herë ndaj infrastrukturës tekonologjike të Kuvendit të Shqipërisë.

Tani vendi ynë po shkon drejt një tjetër vendimi të fortë politik. Shqipëria pritet të bëhet vendi i dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara që do ta shpallë Republikën Islamike të Iranit shtet sponsor të terrorizmit. Ndërsa Rojet e Gardës Revolucionare si organizatë terroriste, së bashku me Hezbollahët.

Rezoluta pritet të votohet javën e ardhshme në Parlament, duke shënuar një kapitull të ri në një histori që nisi më shumë se një dekadë më parë, me një vizitë të shkurtër diplomatike dhe që sot ka vendosur Shqipërinë në vijën e parë të një përplasjeje globale.