Kryeministri Edi Rama nga Dibra, bëri një paralelizëm mes skemave piramidale të viteve ’90 dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Duke i quajtur piramidat e Sudes, Rama tha se shqiptarët u zhveshën nga pasuria dhe i nxorën në rrugë si skllevër.

Ai shtoi se vendi ka treguar se mund të realizojë objektiva që dikur dukeshin të pamundura. Si shembull solli Rrugën e Arbrit, ndërsa u shpreh i bindur se Shqipëria do të arrijë edhe anëtarësimin në BE.

“Historia jonë, historia e PS është njësh me  e vendit. Kur PS masakrohet, i burgoset udhëheqësi i saj, i shkelen të drejtat, i grabiten votat, Shqipëria shkonte poshtë dhe shqiptarët e paguajnë më keq se komisionerët e PS sepse atyre iu morën votat, ndërsa gjithë shqiptarët i zhveshën nga pasuria dhe i nxorën në rrugë si skllevër, që u ranë mbi kokë piramidat e Sudes dhe gjithë atyre mashtruesve. Nëse shohim sot, meqë këtu simboli është rruga e Arbrit, sa herë që rruga e Arbrit u premtua, po aq herë nuk u bë. Ne thamë që do ta bëjmë dhe ne e bëmë siç e thamë. Kjo përsëri lidhet me rrugën e Shqipërisë. Sepse po aq e vështirë sa dukej rruga e Arbrit, po aq e vështirë dhe e pamundur duket rruga për në BE. Siç e bëmë njërën, do bëjmë dhe tjetrën. Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia na doli kundër dhe na bllokoi për një kohë të gjatë tek tuneli i murrizit, ashtu ne kemi bërë deri tani dhe do ta bëjmë deri në fund rrugën e anëtarësimit në BE. Edhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe Shqipëria do jetë e lidhur me BE siç është sot Dibra me Tiranën”, vijoi Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS/ Rama në Dibër: PD, shkatërroi Shqipërinë kur pati mundësi, sot tenton të shkatërrojë fasadën e kryeministrisë! Si Rrugën e Arbrit, do finalizojmë edhe anëtarësimin në BE