Shqiptarët në Turqi/ Ryan Gingeras sjell një histori të panjohur të viteve 1912-1923

Shqiptarët në Turqi/ Ryan Gingeras sjell një histori të panjohur të viteve 1912-1923

Flitet shumë për shqiptarët e Turqisë, por në të vërtetë për historinë e atyre dhjetra mijëra syresh që emigruan në Anadoll mes viteve 1912 dhe 1923, dimë fare pak: Ç’ndodhi me ta pasi u vendosën në Anadoll? Pse autoritetet turke i shihnin me aq dyshim, duke mos i lejuar të vendoseshin  në qytetet kryesore apo në zonat e konsideruara sensitive? Cila ishte qëndresa e tyre ndaj politikës së shpallur ‘për të shkulur me rrënjë gjuhën dhe zakonet e tyre’, që të ktheheshin në  qytetarë besnikë turq?

Bazuar kryesisht në hulumtimet e kryera në arkivat turke, studiuesi amerikan Ryan Gingeras na sjell një vepër mjaft të rëndësishme për këtë pjesë thuajse të panjohur të historisë.

 “Narrativa nacionaliste e historisë së Shqipërisë shmang enkas një nënndarje të rëndësishme të popullsisë: ata që thjesht hoqën dorë krejtësisht prej nacionalizmit shqiptar. Ky segment i kombit “imagjinar” shqiptar përfaqësohej në mënyrë të veçantë nga një numër i madh individësh që emigruan jashtë viseve shqipfolëse të Ballkanit jugor dhe shkuan e u vendosën gjetiu.”

“Ndonëse në dukje nuk përbënin të njëjtin nivel kërcënimi vdekjeprurës për sigurinë e shtetit si grekët dhe armenët, që në nenin e parë të talimname të vitit 1917 nënvizohej mosbesimi i përgjithshëm që ekzistonte ndaj shqiptarëve mbas krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.”

Ryan Gingeras, aktualisht profesor në Departamentin e Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në  Naval Postgraduate School, SHBA, konsiderohet një ndër njohësit më të mirë të historisë së Turqisë, Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Autor i katër librave, si ‘Rënia e Sulltanatit: Lufta e Madhe dhe fundi i Perandorisë Osmane’ (2014) dhe ‘Heroina, krimi i organizuar dhe bërja e Turqisë moderne’ (2015).

Libri i tij ‘Brigje të pikëlluara’, ka marrë çmimet ‘Rothschild Book Prize in Nationalism and Ethnic Studies’, dhe ‘British-Kuëait Friendship Society Book Prize’.

Më poshtë sjellim parathënien e librit të tij “Brigje të pikëlluara”, sjellë në shqip nga Virgjil Muçi nën siglën e botimeve IDK. Në këtë shënim hyrës ai shtjellon në detaje ngacmimet, qasjen e tij ndaj kësaj teme dhe përvojën e veçantë kërkimore.

BRIGJE TË PIKËLLUARA
Në qoftë se gjërat do të thuhen troç, ky punim doli në dritë falë një akti burracakërie. Ambiciet e mia, të cilat shkonin përtej provimeve, ishin të prirura për kah njëfarë projekti radikal, sfidues. Pothuajse e kisha mbledhur mendjen që disertacionin do ta shkruaja rreth ndonjë cepi të Anadollit gjatë Luftës së Parë Botërore dhe/ose fillesave të Republikës Turke. Duke rrahur ta kap demin për brirësh, mora për nga Anadolli lindor. Sakaq m’u ndërmendën nja dy ide: ndoshta një studim se si qyteti i vogël i Naxçivan-it u bë pjesë e Azerbajxhanit; ca më mire akoma, rindërtimi i Kars-it si rrjedhojë e krijimit të Republikës Turke. Të dyja tok, thashë me vete, hyjnë në punë që ç’ke me të. Por ja që miq e kolegë me një barrë përvoje në studimet osmane më paralajmëruan e më thanë se, në thelb, nuk po bëja gjë tjetër veçse do t’ia hiqja vetes profesionalisht. Pikë së pari ishte çështja e burimeve. Ku do t’I gjeja?

A ekzistojnë vallë asi dokumentesh? Dhe çka ishte më e rëndësishmja, a do të më lejonin arkivistët turq të shihja dokumentet (një pyetje kjo që pasohej nga histori anekdotike tmerresh rreth studiusve që u mohohej hyrja në arkivat shtetërore në Turqi?) Paskëtaj vinin pasojat politike që duheshin pasur parasysh. Një disertacion që kishte të bënte me kurdët, armenët dhe subjekte të tjera që konsideroheshin tabu në Turqi veçse do të më hapte telashe. Pavarësisht se çfarë kisha për të nxjerrë nga duart, më thanë, dikujt kishte për t’i mbetur hatri prej punës sime. Dikush tjetër, qoftë ai ndonjë ministër turk, pjesëtar i diasporës armene ose ndonjë studiues osman, kishte për të më ngrënë me gjithë lecka, duke qenë se kasha sfiduar, mbështetur ose shpërfillur një sërë aspektesh të historisë së kohëve të fundit të Anadollit lindor. Me pak fjalë këshilla që më dhanë ishte kjo: mos e bëj. Mos e vrit karrierën tënde, pa filluar mirë.

Përfundimisht, disertacioni që shkrova u ngrit mbi këtë këshillë. Koha e kaluar në arkiva më shtyu që të fokusohesha mbi Anadollin perëndimor, si dhe tërhoqi vëmendjen time mbi rolin e luajtur prej emigrantëve shqiptarë dhe të Kaukazit verior përgjatë Luftës për Pavarësi në Turqi. Përgjithësisht kërkimet e bëra për këtë projekt shkuan si në vaj. Skenaret e makthshëm për të cilët isha paralajmëruar nuk u vërtetuan. Nuk pati ndalime në jetë të jetëve. Nuk mora ndonjë letër gjithë mllef. Kurrgjë. E megjithatë, nuk them dot me siguri se miqtë dhe kolegët e mi, njerëz që, në thelb, ma do mendja se më donin të mirën, gabonin. Po, arkivistët, studiuesit dhe punonjësit që takova në Stamboll dhe në Ankara ishin përnjëmend njerëz mjaft të sjellshëm, të gjindshëm dhe, ngandonjëherë, ishte një kënaqësi e vërtetë t’i kishe rreth e qark. Mjaft të zija ngoje dhe të shprehja interesin tim lidhur me emigrantët muslimanë në Anadoll dhe kjo gjë përshëndetej me një entuziazëm të çiltër e gjente mbështetje sakaq nga arkivistët, të cilët ndihmuan që hulumtimi im të bëhej i mundur. Sidoqoftë, rrallëherë e preka temën e armenëve dhe të grekëve me punonjësit e arkivave.

Duke qenë se nuk përbënte diçka qendrore ku qe fokusuar punimi im, fati paralel i jo muslimanëve në Anadollin perëndimor gjatë viteve të luftës përbënte një subjekt që e mbaja të fshehtë. Këshillat e dikurshme gjëllonin ende në mendjen time. Kjo parathënie shërben si një apologji dhe shpjegim i tërthortë për vijueshmëritë dhe mosvijueshmëritë që vihen re midis disertacionit dhe këtij libri. Pyetja se çfarë ndodhi me grekët dhe armenët e Anadollit (por edhe me grupet e tjera të kriminalizuara) përgjatë viteve 1912 dhe 1923, vijon të peshoj edhe sot e kësaj dite si një gorilla 500 paundëshe mbyllur në një dhomë. Ngjarjet e kohëve të fundit, siç qe vrasja e Hrant Dinkut, e vërtetojnë këtë gjë. Prapëseprapë, unë jam i mendimit se persekutimit të të krishterëve osmanë nuk mund t’i qasemi të izoluar. Për më tepër rreth kësaj pike, për mua është krejt e qartë se, përgjatë gjithë kësaj kohe, ka një histori më universale për të kallzuar lidhur me nivelin dhe domethënien e vuajtjeve njerëzore në Anadoll.

Siç do të qartësohet në faqet në vijim, modele të ngjashëm të të arsyetuarit dhe të të sjellurit nga ana e qeverisë Osmane, por edhe nga fuqitë pushtuese të Greqisë e vendeve të tjera, shpunë në zhvendosjen në masë, shfarosjen si të të krishterëve ashtu edhe të muslimanëve. Shkalla në të cilën bashkësi të ndryshme u viktimizuan nga trupat shtetërore që haheshin me njëra-tjetrën, doemos që ndryshon në mënyrë të papërfytyrueshme (në qoftë se do të shtrëngohesha të bëja një krahasim, atëherë është mëse e qartë se, aty nga viti 1923, armenët dhe grekët së toku zinin një pozitë shumë herë më pak të lakmueshme sesa emigrantët muslimanë). Në qoftë se dikush merr të krahasojë nivelin e vuajtjeve, kjo nuk ka të bëj me punën tonë. Përkundrazi, ky libër shtron pyetjen dhe merret saktësisht me faktin se përse vallë dhe në ç’masë grupe të mëdhenj njerëzish që jetonin rreth e qark brigjeve jugore të Detit Marmara iu nënshtruan një sërë fushatash që synonin t’u bënin keq. Për të ndriçuar më mire unanimitetin e vuajtjeve të zbuluara në gjirin e bashkësive të

ndryshme që jetonin rreth e qark brigjeve jugore të Detit Marmara, e vura theksin kryesisht mbi çështjen armene dhe atë greke. Edhe pse nuk kam kurrfarë dyshimi për këtë gjë, unë besoj se këto hapa vijnë në ndihmë për të ngushtuar hendekun historik midis të krishterëve vendas dhe muslimanëve të ardhur, madje shumë më mirë se orvajtja ime e mëparshme. Ndonëse teksti që vijon nuk është këqyrur si një punim krahasues mund të thuhet se historia e Anadollit përgjatë kësaj periudhe kohore nuk është diçka unike në kuptimin global. Diskriminimi në masë dhe likuidimi e popullsisë vendase është një fenomen që mund ta pikasësh kudo nëpër botë.

Terrori shtetëror i kësaj natyre është një dukuri moderne dhe, si e tillë, është pjesë përbërëse e logjikës moderne të shtet ndërtimit. Duke e vendosur këtë studim brendapërbrenda një rajoni të caktuar, si dhe duke iu qasur një mase të qartë e të përcaktuar njerëzish, unë shkoj e ndërmarr disa koncepte të ngjeshur, historikë, dhe që, siç pranohet përgjithësisht, tejet kritikë: modernizimi i shtetit, dhuna e organizuar, formimi i identitetit, emigracioni dhe rrjetet e politikës. Duke e kufizuar punimin tim si nga ana gjeografike ashtu edhe sociale, shpresoja që ta bëja më të manovrueshëm diskutimin e gjithë këtyre fijeve të larmishme historike, ndërsa narrativën sa më të padukshme.

Duke hedhur sytë pas mund të them se nuk më vjen keq që shkova dhe ndoqa këshillat e kolegëve të mi të besuar. Tekefundit, unë e ndjej se më kanë shpënë pas për të shtjelluar objetivat e mi zanafillorë. Gjithsesi, shpresoj se të tjerë njerëz (që e kanë lëkurën më të trashë se timen) kanë për t’u marrë me historitë e Kars-ës dhe të Naxçivan-it, si dhe ngjarje të tjera me peshë për t’u kallzuar.

Ryan Gingeras

Të dhëna mbi librin
Titulli: BRIGJE TË PIKËLLUARA (Historia krejt e panjohur e shqiptarëve në Turqi dhe fundi i Perandorisë Osmane 1912 – 1923)
Autori: Ryan Gingeras
Përkthyes: Virgjil Muçi
Numri i faqeve:  345 fq
Çmimi: 1100 lekë
Botues: Botimet IDK
ISBN:  978-9928-136-64-0

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar