Ndërsa e gjithë Europa i është larguar makinave me naftë, në Shqipëri ato vijojnë të zënë peshën më të madhe të regjistrimeve të reja të autoveturave, duke i bërë dhe më të ndjeshme pasojat e rritjes së çmimeve.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), nga 17.7 mijë autovetura që u regjistruan për herë të parë në tremujorin e parë 2026, rreth 59% e tyre ishin me naftë.
Pesha e makinave që regjistrohen për herë të parë dhe përdorin naftën si lëndë djegëse është më e larta në Europë, sipas të dhënave të tjera të Eurostat. Në vitin 2024 (i fundit kur ka informacion), në Bashkimin Europian mesatarisht rreth 15% e regjistrimeve të reja ishin makina me naftë. Vendet në renditje pas Shqipërisë, Moldavia dhe Bosnjë Hercegovina e kishin këtë peshë përkatësisht 47% dhe 44%.
Ndonëse në krahasim me 2024-n, kur 66% e regjistrimeve për herë të parë të makinave në vend ishin me naftë, ka një rënie me 6 pikë përqindje, sërish pesha e makinave me naftë që hyjnë rishtazi në treg mbetet shumë e lartë.
Në Europë, në regjistrimet e reja mbizotëron benzina, me rreth 60% të regjistrimeve në 2024-n. Në Shqipëri, autoveturat e regjistruara rishtazi me benzinë ishin 18% e totalit në tre muajt e parë të 2026-s.
Një zhvillim pozitiv në 2026-n është rritja e peshës së makinave elektrike, që zunë 13% të regjistrimeve për herë të parë në janar-mars, në të njëjtën peshë si në Europë, po në 2024-n.
Pse Europa e uli përdorimin e autoveturave me naftë
Sipas Eurostat, një seri kohore e bazuar në të dhëna të disponueshme për të gjitha vitet nga 2014 deri në 2024 për 20 vende të BE-së tregon se si kanë ndryshuar llojet e energjisë së motorëve të makinave të reja të pasagjerëve.
Në këto vende, të cilat përbënin 93% të makinave të reja të pasagjerëve në BE në vitin 2024, numri i automjeteve me naftë (përfshirë hibridet) ra me 67%, ndërsa numri i automjeteve me benzinë (përfshirë hibridet) u rrit me 60%.
Rënia e përdorimit të makinave me naftë në Europë lidhet me një kombinim faktorësh rregullatorë dhe tregu. Pas skandalit të Dieselgate në vitin 2015, autoritetet europiane shtrënguan standardet e emetimeve dhe rritën kontrollet, duke e bërë këtë teknologji më pak tërheqëse për prodhuesit dhe konsumatorët. Skandali shpërtheu pasi u zbulua se prodhuesi gjerman Volkswagen kishte manipuluar testet e emetimeve për miliona automjete diesel, duke goditur rëndë besimin e publikut te kjo teknologji.
Në të njëjtën kohë, shumë qytete kanë vendosur kufizime për automjetet diesel për shkak të ndotjes së ajrit, ndërsa politikat e Bashkimit Europian kanë favorizuar kalimin drejt makinave elektrike dhe hibride përmes subvencioneve dhe objektivave klimatike.
Paralelisht, rritja e taksave dhe ulja e avantazhit të çmimit ndaj benzinës kanë ndikuar në vendimet e blerësve, ndërsa prodhuesit e mëdhenj kanë zhvendosur strategjinë drejt elektrifikimit. Si rezultat, pesha e makinave me naftë në Europë është në rënie të vazhdueshme, veçanërisht në segmentin e makinave të reja./Monitor
Komente










