Shqiptarët po punojnë më pak në 2021, INSTAT: Vetëm 59% e popullsisë të angazhuar me punë

Shqiptarët po punojnë më pak në 2021, INSTAT: Vetëm 59% e popullsisë të angazhuar me punë

Foto ilustruese

Nga totali i popullsisë në moshe pune (15-64 vjeç) vetëm 59 për qind e tyre raportuan se punojnë, sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2021 që u gjeneruan nga Anketa e Forcës së Punës.

Në tremujorin e parë të vitit 2020 punonte 61.6 % e popullsisë në moshë pune, niveli më i lartë i dekadës.

Pandemia i ka përkeqësuar treguesit e punësimit në vend, pasi shkalla e punësimit (popullsia që punon në raport të popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç) po vinte në rritje vitet e fundit për dy arsye.

E para, popullsia në vend është në rënie dhe popullsia në moshë pune gjithashtu. Nga viti 2017 në vitin 2021 treguesit zyrtare raportojnë se grup mosha 15-64 vjeç ka shënuar rënie me 2.3 %.

Së dyti oferta në punë ka ardhur në rritje si rrjedhojë e rritjes së natyrshme të ekonomisë para se të niste pandemia.

Pandemia shkaktoi dobësi në treguesit e punësimit në vend, të cilët nuk po përmirësohen edhe pse ekonomia ka përshpejtuar ritmet e rritjes në gjysmën e parë të vitit.

Nga mbi 1,9 milionë persona në moshë pune në tremujorin e parë të vitit 2021, pohuan se punojnë mbi 1,1 milionë persona, një pjesë e madhe e të cilëve janë në të zezë. Nga listëpagesat e tatimeve në tremujorin e parë të vitit 2021 vetëm 60.8 për qind e personave që raportuan se punojnë paguan sigurime. Nga 1,139, 197 persona të punësuar vetë, 692,772 prej tyre paguan kontribute.

Shqipëria është një ndër vendet e Europës me informalitetin më të lartë të tregut të punës. Me herët këtë vit në një studim të posaçëm për informalitetin në tregun e punës Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) i kërkoi Shqipërisë që të bëjë reformë strukturore me synimin të ulë informalitetin dhe për të rritur fitimet nga puna.

Sipas institucionit ndërkombëtar që merret me çështjet e punësimit, rreth 42% e fuqisë punëtore në Shqipëri është aktualisht e punësuar në bujqësi, kryesisht në punë me aftësi dhe rendiment të ulët. Ky rezultat është i mjaftueshëm për një reformë strukturore në tregun e punës, sugjeron ILO.

Ndërsa në sektorin jobujqësor ekziston një informalitet i lartë, sipas ILO-s, që arrin pothuajse 30% e të gjithë punësimit jo-bujqësor më 2019.

Politikat dhe programet mbi tregun e punës janë prezantuar vazhdimisht, por ato mbulojnë vetëm një përqindje të kufizuar të të papunëve (rreth 5.5% ), vë në dukje ILO.

Shkalla e punësimit ka ardhur në rritje në Shqipëri, por papunësia mbetet ende e konsiderueshme (11,9% në 2021) dhe papunësia tek të rinjtë arin në 28%. Sipas ILO-s, shkalla e papunësisë së të rinjve është e lartë dhe shkalla e lartë e të rinjve jo në arsim, punësim apo trajnim (26%) është një shqetësim për zhvillimet e së ardhmes./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja