Shqiptarët rritën blerjet në 3-mujorin e dytë, kryesisht në produktet ushqimore dhe karburante, duke ndikuar në gjallërimin e shitjeve me pakicë në tregjet e brendshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013 si dhe me 3-mujorin e parë sivjet.

Sipas INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit 4,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës dhe me 4,3% më shumë nga tremujori i parë 2014.

Rritja më e madhe në shitje në tregjet e pakicës e dha nga grupi "Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara", ku indeksi i volumit të shitjeve në 3-mujorin e dytë 2014 u rrit me 16,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013.

Indeksi i volumit të shitjeve për grupin e "Produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara" u rrit me 2,4 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu edhe blerja e karburanteve në njësitë e specializuara ndikoi në rritjen në total të shitjeve me pakicë në 3-mujorin e dytë sivjet me 4 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013 dhe me 10,6 % krahasuar me tremujorin paraardhës./ATSH/