Historiani Auron Tare ka rikthyer sot në vëmendje një nga figurat më pak të njohura për publikun shqiptar, por me një rol të rëndësishëm në historinë botërore të sportit. Bëhet fjalë për Vangjel Zhapa, financier nga Labova e Gjirokastrës, i cili sipas Tares ishte ndër njerëzit që hodhi bazat për ringjalljen e Lojërave Olimpike moderne. Ai kujton se përpjekjet e Zhapës nisën dekada përpara vitit 1896, duke financuar gara sportive në Athinë dhe duke mbajtur gjallë traditën olimpike, përpara se ajo të merrte formë përfundimtare me organizimin e Lojërave të para moderne. Në këtë proces, rol të rëndësishëm pati edhe Georgios Averoff, i cili financoi restaurimin e stadiumit olimpik, ndërsa më vonë kjo nismë u institucionalizua nga Pierre de Coubertin.

Pavarësisht këtij kontributi, Tare thekson se figura e Zhapës mbetet thuajse e panjohur dhe e pavlerësuar në Shqipëri. Sipas tij, ndryshe nga vendet e tjera që kanë nderuar figura të tilla, në vendlindjen e Zhapës nuk ekziston as një shenjë përkujtimore, ndërkohë që shteti shqiptar shpesh tregohet më i gatshëm të nderojë figura të huaja si Kyriakos Mitsotakis sesa personalitete të veta historike.

Vangjel Zhapa Laboviti

Postimi i plotë i Auron Tares në Facebook

"Dy Epirotë dhe Olimpiada”

6 Prill 1896 është momenti kur ëndra e dy figurave të jashtëzakonshme nga dy fshatra të Epirit, Averoff një bankier Vlach nga Mecova dhe Vangjel Zhapa një financier nga Labova e Gjirokastrës, rithemeluan një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë Botërore. Lojrat Olimpike Moderne.

Zhapa i cili kishte hedhur idenë e rimëkëmbjes së këtyre Lojrave Antike dhe kishte financuar një seri aktivitetesh sportive në Athinën e mesit të 1800 fatkeqësisht nuk jetoi dot për të parë idenë e tij të realizuar. Ishte një tjetër Epirot, bankieri Jorgo Averoff lindur në fshatin e Mecovës i cili financoi pjesërisht restaurimin e Stadiumit Olimpik të Athinës si dhe bëri të mundur që këto lojra të riktheheshin përsëri në Athinë pas 2000 vjetësh.

Por ishte Laboviti Zhapa i cili luajti një rol të rëndësishëm në ringjalljen e hershme të traditës olimpike.

Ai financoi gara atletike në Greqi në mesin e shekullit XIX, të njohura si Olimpiadat e Zhapës.

Ai financoi restaurimin e Stadiumit i cili më vonë mori financime edhe nga Averof ku u pritën Lojërat e para Olimpike moderne në vitin 1896.

Në testamentin e tij, Zapa la fonde për të mbështetur organizimin e lojërave olimpike edhe në të ardhmen.

Vangjel Zhapa ka një rëndësi thelbësore në përpjekjet e tija që mbajtën gjallë idenë e Lojërave Olimpike para se francezi Pierre de Coubertin të fillonte fushatën europiane dhe të krijonte një komitet që do të organizonte Lojërat Olimpike moderne në vitin 1896.

Pa Zhapën , ringjallja e Olimpiadës do ishte e pa mundur pasi ai krijoi dhe financoi përpjekjet e para që dhanë edhe atmosferën për Lojrat Olimpike.

E ndërkohë Shteti Modern Grek i ka ngritur shtatore këtyre dy burrave njeri shqiptar safi nga Labova dhe tjetri Vlah nga Mecova, shteti modern i Shqiptarëve përton të vendosë një pllakë të thjeshtë përkujtimore në fshatin e Lindjes se Zhapës ku të respektojë kujtimin e këtij shqiptari të shquar që kontributin e tij bamirës përpos ideve për Olimpiadën, e shtriu në fushën e edukimit në shumë fshatra të Jugut të Shqipërisë.

Ndërkohë si për ironi të fatit, Shteti i Shqiptarëve nuk harron ti ngrejë shtatore Politikanit Micotaqi si për t'i kujtuar shqiptarëve përzëniet masive nga Greqia"