Një qeveri e tillë do të ishte e aftë të merrte përsipër përgjegjësinë në mbrojtje të interesave kombëtarë dhe të rivendoste rregullin brenda vendit në rrugë paqësore dhe në kushtet e lirisë dhe në përputhje me parimet demokratike”. Kështu në mërgim, monarku i rrëzuar nuk përjashtonte mundësinë e bashkëpunimit me regjimin komunist të Tiranës.
Në të njëjtën gjatësi vale
Në shtator 1945, dy kundërshtarët më të mëdhenj politikë, Mbreti Zog I dhe kreu i regjimit komunist, Enver Hoxha, janë në të njëjtën gjatësi vale kur i drejtohen Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme, që mbajti mbledhjen e parë zyrtare në Londër më 11 shtator-2 tetor 1945. “Qeveria Demokratike e Shqipërisë shpreson se fuqitë e mëdha, me kujdesin e tyre për t’i ruajtur interesat e shteteve të vogla se... ato nuk do të mungojnë ta trajtojnë Shqipërinë sikurse të gjitha shtetet e tjera të interesuara, duke e thirrur të dërgojë në Londër një delegacion që të mund t’i shfaqë para Këshillit pikëpamjet e saj në lidhje me kërkesat e veta të drejta”, shkruante në një notë të 4 shtatorit 1945 kreu i “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, Enver Hoxha.
Kurse monarku shqiptar në mërgim, Ahmet Zogu, në një notë të 11 shtatorit 1945, një javë pas Enver Hoxhës, heq dorezat diplomatike dhe shpreh marazin për diskriminimin që i bëhej atdheut të tij të vogël: “Të gjithë shqiptarët... janë më tepër të shqetësuar se vendi i tyre duhet të përfaqësohet në OKB se sa për faktin se kush duhet ta përfaqësojë. Nëse Shqipëria do të ftohej të dërgonte përfaqësues jam i sigurt se ata do të arrinin marrëveshjen se kush duhet t’i përfaqësojë”, kjo pasi “populli shqiptar do të ishte në gjendje të formonte një Qeveri të Unitetit Kombëtar”.
Nëse Tirana komuniste kërkohej të përfaqësohej në Londër për Traktatin e Paqes me Italinë, Mbretin Zog e shqetësonin rivendikimet territoriale greke për Shqipërinë e Jugut. “Në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme që mbahet në Londër, ku bisedohet Traktati i Paqes me Italinë nga e cila ne kërkojmë reparacione, nuk u thirrëm... Në Londër s’do të jetë aspak e drejtë që të tjerët të marrin reparacione nga Italia dhe ne që kemi pasur kaq dëme, të harrohemi.
Mund të ketë shumë njerëz që bëjnë pyetjen: “Pse s’na njohin aleatët?” Ajo është puna e aleatëve”, do të deklaronte Enver Hoxha, më 26 shtator 1945. Kurse Zogu, më 11 shtator, ditën e hapjes së punimeve të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme në Londër, po nga Londra, nga rezidenca në Henli-mbi-Tamiz, i shkruante sekretarit amerikan të Shtetit Xhejms Frensis Bërns (James Francis Byrnes), që kryesonte delegacionin e përtejoqeanit: “Gjithçka që mbetet për diskutim, pra, është çështja e kufijve të saj, veçanërisht pasi Greqia paraqet rivendikime ndaj pjesëve integrale të territorit të saj – rivendikime që janë edhe të padrejta në vetvete edhe në kundërshtim me politikën e shpallur të qeverisë tuaj si dhe me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Pas luftërave ballkanike kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan në dëm të saj, dhe Shkëlqesia Juaj padyshim do të jetë i informuar se në tri raste - në vitet 1913, 1921 dhe 1925 - rivendikimet greke u janë paraqitur komisioneve ndërkombëtare dhe janë hedhur poshtë si të padrejta”
Mbreti Zog, tejet i revoltuar, flet haptas: “Shqiptarët kudo po kërkojnë të përfaqësohen lidhur me çështjet që kanë rëndësi jetike për të ardhmen e vendit të tyre. Deri më tani kërkesa e tyre është shpërfillur nisur nga mosnjohja e një qeverie shqiptare. Kjo është pasojë e padrejtësisë së pashpjegueshme dhe të rëndë ndaj Shqipërisë, një vendi që, pavarësisht sakrificave të saj të mëdha, nuk është shpërblyer me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, padrejtësi që iu bë nga aleatët e luftës. Lëvizja e Rezistencës e Shqipërisë asnjëherë nuk hoqi dorë nga protestat ndaj kësaj padrejtësie, dhe unë, gjithashtu, si kreu i Shtetit dhe në emër të popullit tim, në shumë raste kam bërë të njëjtën gjë. Asnjëherë nuk është dhënë shpjegim për të justifikuar këtë diskriminim të pavend që cenon Shqipërinë. Deri më tani mund të cilësoheshin si përgjegjëse për këtë gjë kushtet e luftës, por sot diskriminimi përfaqëson një rrezik serioz dhe në rritje për vendin tonë, gjë që nuk e lejon t’i dëgjohet zëri në një kohë kur po vendoset gjithë e ardhmja e tij. Prandaj për ne është nevojë jetike për të gjetur një mënyrë që të bëhet e mundur që Shqipëria të paraqesë pikëpamjen dhe të mbrojë kauzën e saj”.
Dokumenti 1
Diskriminimi i pavend që cenon Shqipërinë
Notë e Mbretit Zogu I i Shqipërisë drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit. Henli-mbi-Temz, Baks (Henley-on-Thames, Bucks), më 11 shtator 1945.
Shkëlqesia Juaj: Me rastin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm në Londër kam nderin t'ju drejtohem lidhur me çështjen e Shqipërisë, pasi, sikurse mendohet, e ardhmja e vendit tim do të jetë një nga temat që do të shtrohet për diskutim.
Pë përgjithësi janë njohur dhe vlerësuar rrethanat në të cilat Shqipëria u pushtua pa kurrfarë shkaku, si dhe qëndresa e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër Italisë fashiste. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fillimisht, pastaj nga Gjermania, nuk i privoi asnjëherë Shqipërisë pavarësinë e saj de jure dhe vetëm momentalisht de facto. Për më tepër, në dhjetor 1942, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik njohën zyrtarisht parimin e pavarësisë së Shqipërisë pas luftës. Gjithçka që mbetet për diskutim, pra, është çështja e kufijve të saj, veçanërisht pasi Greqia paraqet rivendikime ndaj pjesëve integrale të territorit të saj - rivendikime që janë edhe të padrejta në vetvete edhe në kundërshtim me politikën e shpallur të qeverisë tuaj si dhe me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Pas luftërave ballkanike kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan në dëm të saj, dhe Shkëlqesia Juaj padyshim do të jetë i informuar se në tri raste - në vitet 1913, 1921 dhe 1925 - rivendikimet greke u janë paraqitur komisioneve ndërkombëtare dhe janë hedhur poshtë si të padrejta.
Prezumohet se Këshilli i Ministrave të Jashtëm do të dëshirojë të dëgjojë pikëpamjet e palëve të interesuara për temën në diskutim. Prandaj, shqiptarët kudo po kërkojnë të përfaqësohen lidhur me çështjet që kanë rëndësi jetike për të ardhmen e vendit të tyre. Deri më tani kërkesa e tyre është shpërfillur nisur nga mosnjohja e një qeverie shqiptare. Kjo është pasojë e padrejtësisë së pashpjegueshme dhe të rëndë ndaj Shqipërisë, një vendi që, pavarësisht sakrificave të saj të mëdha, nuk është shpërblyer me anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, padrejtësi që iu bë nga aleatët e luftës. Lëvizja e Rezistencës e Shqipërisë asnjëherë nuk hoqi dorë nga protestat ndaj kësaj padrejtësie, dhe unë, gjithashtu, si kreu i Shtetit dhe në emër të popullit tim, në shumë raste kam bërë të njëjtën gjë. Asnjëherë nuk është dhënë shpjegim për të justifikuar këtë diskriminim të pavend që cenon Shqipërinë.
Deri më tani mund të cilësoheshin si përgjegjëse për këtë gjë kushtet e luftës, por sot diskriminimi përfaqëson një rrezik serioz dhe në rritje për vendin tonë, gjë që nuk e lejon t’i dëgjohet zëri në një kohë kur po vendoset gjithë e ardhmja e tij. Prandaj për ne është nevojë jetike për të gjetur një mënyrë që të bëhet e mundur që Shqipëria të paraqesë pikëpamjen dhe të mbrojë kauzën e saj. Të gjithë shqiptarët kanë të njëjtin mendim dhe ata janë më tepër të shqetësuar se vendi i tyre duhet të përfaqësohet si anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara se sa për faktin se kush duhet ta përfaqësojë. Nëse Shqipëria do të ftohej të dërgonte përfaqësues jam i sigurt se ata do të arrinin marrëveshjen se kush duhet t’i përfaqësojë. Argumenti se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet për shkak se ajo nuk ka një qeveri të njohur nga aleatët, ose sepse përfaqësuesit e mundshëm nuk njihen, do të thotë se e ardhmja e saj po vendoset pa e thënë fjalën e vet në vendim. Vendet fqinje, pozita e të cilave nga pikëpamja juridike dhe nga pikëpamja e stabilitetit të brendshëm politik është e krahasueshme me atë të Shqipërisë, kanë pasur një trajtim shumë të ndryshëm.
Padyshim mënyrat e përdorura lidhur me Italinë, Greqinë dhe Jugosllavinë, të cilat kanë përfaqësim në nivel ndërkombëtar ndonëse problemet e tyre të brendshme mbeten të pazgjidhura, mund të zbatoheshin gjithashtu fare mirë në Shqipëri; dhe unë jam i bindur se po t’i krijoheshin të njëjtat lehtësi, gjithashtu populli shqiptar do të ishte në gjendje të formonte një Qeveri të Unitetit Kombëtar. Një qeveri e tillë do të ishte e aftë të merrte përsipër përgjegjësinë në mbrojtje të interesave kombëtarë dhe të rivendoste rregullin brenda vendit në rrugë paqësore dhe në kushtet e lirisë dhe në përputhje me parimet demokratike.
Për këtë arsye, në emër të drejtësisë dhe paqes, i lutem Shkëlqesisë Suaj që: për Shqipërinë të respektohen parimet që udhëheqin politikën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ndaj fqinjëve të saj; që vendimet për çështjet shqiptare nuk do të merren pa qenë e përfaqësuar në mënyrë adekuate vetë Shqipëria; dhe se përfaqësimi i shtetit shqiptar do të jepet mbi bazën e ligjshme të unitetit kombëtar. Jam i bindur se ky unitet mund të arrihet, me t’u krijuar lehtësitë e duhura.
Më lejoni t’i shpreh paraprakisht Shkëlqesisë Suaj mirënjohjen time të ngrohtë për këtë akt meqenëse e ndjeni të përligjur për ta ndërmarrë në interes të vendit tim, si dhe Ju lutem të pranoni sigurinë e konsideratës sime më të lartë.
ZOG
Burimi: https://history.state.gov/historicaldocuments/frus1945v04/d37
Dokumenti 2
Të na dëgjohet zëri si pjesëtarë të aleancës
Telegram i kryeministrit shqiptar (Hoxha) drejtuar kryetarëve të qeverive të tri Fuqive të Mëdha
4 shtator 1945
Shkëlqesë,
Kam nderin t’Ju parashtroj Shkëlqesës Suaj sa vijon:
Sikurse dihet nga Shkëlqesa Juaj, Shqipëria është nga vendet e para që pësoi nga agresioni i fuqive të Boshtit dhe që e nisi që në fillim lëvizjen e rezistencës së armatosur kundër fashizmit.
Për këtë shkak dëmet e luftës që i janë shkaktuar Shqipërisë kanë arritur shifra shumë të mëdha, e proporcionalisht janë më të mëdha nga ato të shteteve të tjera, viktima të agresionit të Boshtit.
Në kohën më të volitshme qeveria shqiptare do të paraqesë ku duhet një listë të hollësishme dhe objektive të këtyre dëmeve që kanë dëmtuar rëndë dhe në një mënyrë të pandreqshme sektorët e ndryshëm të ekonomisë sonë kombëtare.
Meqenëse një nga problemet me të cilat do të merret Këshilli i Ministrave të Jashtëm të fuqive të mëdha, që do të mblidhet së shpejti në Londër, është ai i bisedimit dhe i përfundimit të Traktatit të Paqes me Italinë, Qeveria Demokratike e Shqipërisë, interprete e dëshirave dhe e ndjenjave të thella të popullit shqiptar, është duke pritur që fuqitë e mëdha aleate t’i marrin parasysh sakrificat e mëdha morale dhe materiale që bëri Shqipëria gjatë luftës. Duke vlerësuar të drejtat e saj gjatë diskutimeve të klauzolave financiare në lidhje me dëmshpërblimet që duhet të paguajë Italia si edhe për të gjitha çështjet e tjera që do t’i interesojnë së afërmi dhe në mënyrë të veçantë Shqipërisë, jemi plotësisht të bindur se do t’i jepet mundësia për të bërë që zëri i saj të dëgjohet si pjesëtare aktive e aleancës antifashiste.
Duke marrë parasysh sa u tha më sipër, Qeveria Demokratike e Shqipërisë në bazë të të drejtave të saj dhe të gjakut të derdhur në luftën e përbashkët përkrah aleatëve të saj të mëdhenj, shpreson se fuqitë e mëdha, me kujdesin e tyre për t’i ruajtur interesat e shteteve të vogla, do ta shqyrtojnë këtë çështje me një shpirt të gjerë dashamirësie e drejtësie ndërkombëtare dhe se ato nuk do të mungojnë ta trajtojnë Shqipërinë sikurse të gjitha shtetet e tjera të interesuara, duke e thirrur të dërgojë në Londër një delegacion që të mund t’i shfaqë para Këshillit pikëpamjet e saj në lidhje me kërkesat e veta të drejta. Pranoni, Shkëlqesë, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Kryetari i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha
Mbreti Zog I, i fotografuar në shtëpinë në Londër, së bashku me
mbretëreshën Geraldinë. Princi Leka po ndihmohet në aritmetikë
Enver Hoxha, gusht 1945
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com