Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë raportet e medias shtetërore iraniane për një draft të supozuar të memorandumit të mirëkuptimit të arritur midis dy palëve për t'i dhënë fund konfliktit, duke e quajtur atë një "trillim të plotë".

"Ky raport nga media e kontrolluar nga Irani nuk është i vërtetë dhe memorandumi i mirëkuptimit që ata 'publikuan' është një trillim i plotë. Askush nuk duhet të besojë atë që po përhap media shtetërore iraniane. FAKTET KANË RËNDËSI", shkruhej në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë në ‘X’.

Media shtetërore iraniane kishte raportuar më parë se memorandumi do të përfshinte tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga zonat ngjitur me Iranin dhe heqjen e bllokadës së porteve iraniane.

Disa detaje janë të ngjashme me atë që disa zyrtarë amerikanë e kanë përshkruar si marrëveshjen që po finalizohet. Zyrtarët amerikanë të cituar nga media amerikane kanë thënë se Presidenti Donald Trump do të ishte i gatshëm të hiqte bllokadën e Ngushticës së Hormuzit nëse Irani lejon anijet tregtare të kalojnë nëpër Ngushticë.

"Siç ka thënë Presidenti Trump, negociatat po përparojnë mirë dhe ai i ka bërë të qarta vijat e tij të kuqe. Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje të mirë për popullin amerikan, e cila duhet të sigurojë që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore", përsëriti zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Olivia Wales, në përgjigje të raportit të televizionit shtetëror iranian.


Lajmi kryesor:

Lufta/ Mediat iraniane: Kemi një draft marrëveshje me SHBA-në për t’i dhënë fund konfliktit! Shtëpia e Bardhë: Trillim i plotë i regjimit, mos besoni asgjë!