Trupi flet çdo ditë, por ne shpeshherë nuk e dëgjojmë ose e neglizhojmë. Problematikat shpesh krijohen me kohën, ndaj mësoni të kuptoni shenjat që shfaqen. Nutricionisti Altin Joka, eskpert i mjekësisë holistike, është ndalur në emisionin “Rreze Dielli” ne Report Tv, te disa shenja, të cilat thonë shumë për shëndetin tonë.

Joka shpjegon se shenjat janë që nga lodhja kronike, kur ne gjatë gjithë ditës ndihemi pa energji, e deri tek problemet me lëkurën dhe zorrët.

“Lodhja kronike është një nga sinjalet që jep trupi. Kur ju gjatë gjithë ditës ndiheni pa energji, pas saj mund të fshihet mungesa e hekurit, diabeti ose probleme me sistemin autoimun. Shihni ndryshimet në lëkurën tuaj, ajo është pasqyrë e organeve tona. Mund të kemi njolla, tharje, puçrra etj. Shenja janë edhe rënia e flokëve, fryrja e vazhdueshme, problemet me gromësirat, kapsllëku, atëherë duhet të kuptoni që trupi po na flet”, shpjegoi Joka.

Ja disa nga shenjat që jep trupi, mësoni t’i lexoni:

Kur keni ankth pa asnjë arsye, është sinjal shumë i fortë. Truri ushqehet nga vitaminat, ka nevojë për to, por edhe për një gjumë cilësor.

Kur buzët çahen ose keni erë të keqe goje në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse nuk keni probleme me dhëmbët.

Kur keni erë të rëndë të urinës ose feçeve, ose humbje dhe shtim në peshë, të gjitha këto po na paralajmërojnë për sëmundje.

Por a po e humbasin njerëzit aftësinë për të dëgjuar trupin? Nutricionisti Joka shpjegoi se një nga arsyet pse nuk e lexojmë trupin tonë është jeta moderne.

“Ne nxitojmë, konsumojmë kafe, pije energjike, marrim ilaçe për të heshtur ose goditur dhimbjen, hamë pa uri në çdo kohë, përdorim telefonin gjatë gjithë kohës. Po ashtu edhe zhurmat konstante në ambient, drita artificiale, rrethimi nga njerëz problematikë që na japin energji negative, të gjitha këto elemente të jetës moderne ndikojnë në shëndetin tonë”, u shpreh Joka.

Sinjalet, si reflektohen tek meshkujt dhe femrat

Shumë simptoma ndryshojnë nga femrat tek meshkujt, nënvlerësohen dhe shpesh keqkuptohen. Psh infarkti tek burrat, shenjat fillojnë me mpirjen e krahut, presionin në gjoks dhe kraharor. Tek gratë vjen me lodhje, shtrëngim në fyt, etj, ndërsa depresioni shfaqet ndryshe; gratë e përjetojnë më shumë emocionalisht, ndërsa burrat bëhen më nervozë, më agresivë dhe izolohen më shumë emocionalisht. Tek gratë mungesa e insulinës vjen ndryshe, edhe dhimbjet perceptohen ndryshe.

Por pse disa simptoma shfaqen gjatë natës?

Sepse trupi është shumë inteligjent, ai zgjedh momentin kur ti mund ta dëgjosh më mirë trupin tënd. Në darkë është çasti i fundit kur ti fillon të pushosh, bie sistemi imunitar gjatë natës, ritmi i trupit ngadalësohet, sistemi nervor bëhet më i ndjeshëm. Zemra flet më shumë natën. Arsyeja tjetër është ajo hormonale; kortizoli bie natën dhe melatonina rritet. Imuniteti dhe inflamacioni ecin në ritmin e hormoneve.

Ja disa shenja që trupi yt po “flet”!

Ka njerëz që nuhasin aroma që nuk ekzistojnë. Kjo tregon se mund të jesh në fazat e fillimit të skizofrenisë, ose ke ankth të madh, ose toksina neurologjike.

Kur keni djersë me erë të keqe si aceton ose fruta të kalbura, ose si mollë e fermentuar, kjo tregon diabet ose çrregullim mitokondrial, por mund të keni edhe problem metabolik të brendshëm.

Kur keni gjuhë të bardhë, kjo nuk lidhet vetëm me kandidën, por mund të keni probleme me mëlçinë, diabetin, imunitet të dobët, dehidratim, refluks acid etj.

Kur keni kruarje pa shkak tek krahët, këmbët ose koka, mund të jetë ankth, bllokim tëmthi ose probleme me mëlçinë, por edhe mungesë hekuri.

Dridhja e shpeshtë e syrit lidhet ose me magnezin e ulët, ose me deficitin e vitaminës D. Por mund të jetë edhe nga pagjumësia ose kafeina e tepruar, ose mund të jetë fillimi i sklerozës multiple.

Nëse keni djegie të shputave të këmbës, mund të keni mungesë të vitaminës B12 ose nivele të larta toksinash, problem veshkor ose anemi.

Ndjeni sikur keni diçka në lëkurë? Mund të keni virusin Epstein-Bar, mungesë gjumi, menopauzë ose probleme me drogën, si dhe mungesë zinku.

Njerëzit që zgjohen midis orës 2 ose 4 të mëngjesit kanë kortizol të lartë ose mëlçi të ngarkuar, por mund të kenë edhe probleme ankthi ose probleme me diabetin dhe prostatën, nëse urinojnë shpesh.

Errësimi i qafës është rezistencë ndaj insulinës ose sindroma Kushner, por mund të jetë edhe sinjal paralajmërues i diabetit.

Era e keqe e gojës në mënyrë të vazhdueshme, edhe pse nuk keni probleme me dhëmbët, mund të sinjalizojë helikobakter, kandida ose probleme me mëlçinë.

Mpirja e duarve, sidomos natën, tregon se duhet të shihni cervikalen, ose mund të keni probleme neurologjike, me diabetin ose mungesë të vitaminave B.

Djersitja e shpeshtë gjatë natës mund të vijë nga dëmtime nervore, probleme neurologjike ose jeni në fillim të menopauzës, por mund të keni edhe sistem të ulët imunitar dhe mungesë mineralesh.

Duart që dridhen tregojnë stres, rezistencë ndaj insulinës ose ankth.

Ngjyra e verdhë e lëkurës tregon probleme me mëlçinë ose sindromën Gilbert.

Ngjyra e kuqe e gjuhës mund të vijë nga kandida dhe mungesa e vitaminës B, ose mund të keni gastrit.

Shenjat tek thonjtë tregojnë probleme me tiroiden, aneminë ose mushkëritë.