Shtëpia e Pjetër Budit e harruar 
që nga '85-a...drejt shkatërrimit

Shtëpia e Pjetër Budit e harruar <br />që nga '85-a...drejt shkatërrimit
TIRANE- E njohur ende në Gur të Bardhë të Matit si “Shtëpia e priftit”, ndërsa aty jeton një familje myslimane, shtëpia e pjetër Budit (ky Monument Kulture i shpallur nga shteti që në vitet ’60) po shkon drejt shkatërrimit. Studiuesi i veprës së Budit, Behar Gjoka, i së njëjtës vendlindje, rrëfen historinë e shtëpisë ku ka lindur poeti, kleriku e atdhetari i madh shqiptar, Pjetër Budi (1566-1622). Autor i “Doktrina e krishtenë”, Romë 1621; “Rituali roman” dhe “Pasqyra e t’rrëfyemit”, 1622,etj, Budi mbetet një nga kolonat e para të kulturës shqiptare.

Ai ishte pjesë e asaj shtrese të klerikëve, që u lidhën me krerët e fiseve shqiptare për t’iu kundërvunë sundimit osman. Budi, i përkujtuar dje nga Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” gjatë promovimit të revistës që mban emrin e veprës së tij “Pasqyra e t’rrëfyemit”, të sjell ndërmend se ka edhe një shtëpi. Nuk mund të mos pyesësh se ç’po ndodh me shtëpinë e tij në Gur të Bardhë. Behar Gjoka, drejtor i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” rrëfen pas promovimit për “Shqiptarja.com” gjendjen e monumentit.
 gjoka

Zoti Gjoka, ndërsa zhvillohet promovimi i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit”, e kjo mban titullin e veprës së Pjetër Budit, a mund t’ju pyes, jo vetëm si bir i asaj treve, por edhe si studiues i veprës: Në ç’gjendje është sot shtëpia e Pjetër Budit. A ka ndonjë projekt për restaurimin e saj?
Projektet e restaurimit mungojnë, jo vetëm për shtëpinë e Pjetër Budit, por edhe për 10 monumentet e kulturës në atë zonë. Janë 10 monumente kulture, por ka edhe një monument ku është shumë e rëndësishme për t’u ndalur, siç është shtëpia e Budit. Pra, trojet e shtëpisë së Budit janë një nga monumentet më të rëndësishme që kërkojnë përkujdesje.

Do të duhej përkujdesje, së pari, se kemi të bëjmë me një pesonalitet të shquar të historisë, të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Edhe pse Budi është poeti dhe prozatori i parë i letërsisë shqipe, që nga viti 1985 nuk di të ketë ndonjë ndërhyrje te ky monument me vlera edhe si banesë, edhe historike. Aty është vendi ku lindi dhe jetoj në vitet e para të jetës, Pjetër Budi.
 
shJu thoni se prej vitesh nuk është vënë dorë. A ka një pllakë përkujtimore si Monument Kulture kjo shtëpi?
Po është pllaka e shkruar Momument Kulture. Momumenti është shtëpia dykatëshe që të krijon idenë e një manastiri. Ndoshta aty mund të ketë qenë edhe shkollë, ose edhe vendi i ceremonialit fetar. Ndaj ta ruash dhe ta mbrosh atë momunet, është një shans që ta shëndërrosh rrugëkalimin e Rrugës së Arbërit në një referencë e stacion të turizmit kulturor, në një stacion të vlerave, duke shërbyer ky monument edhe si guidë e zbërthimit të historisë dhe kulturës së hershme shqiptare.

Unë si një njohës dhe studiues i Budit, do të thosha që nëse hipotekojmë veprën e tij letrare dhe gjuhësore, ne nuk kemi pse ta humbasim veprën e tij monumetale që gjendet si dëshmi në formën e kësaj ndërtese. Këtë ndërtesë studiuesit e shohin veç të tjerash si ndërtesë me vlera, si banesë tipike shqiptare. Nisur nga hulumtimet dhe nga studimet e profesor Emin Rizës në librin “Banesa shqiptare”, rezulton që mbi trojet shtëpisë së dikurshme të Pjetër Budit, mbi 160 vjet më parë është rindërtuar shtëpia e Budit ashtu siç ka qenë, autentike.
 
Kush jeton në këtë shtëpi?
Ende në fakt, edhe tani që flasim aty jetojnë pasardhës të Budit, që mbiemri i tyre çuditërisht ka pësuar transformin; nga Budi ka përfunduar në Bode. Pasardhësit e tij kujtojnë se para dhjetë vjetësh kanë ardhur tek kjo shtëpi punonjës të Institutit të Monumenteve të Kulturës, sepse familjarët kërkonin të bëhej ndërhyrje, por ndërhyrja duhej bërë konform ligjeve për monumentet dhe u diskutua të bëhej një projekt. Projekti u bë atëherë, por nuk u realizua kurrë ndërhyrja.
 
Ju thatë se shtëpia e Budit para 160 vjetësh ka kaluar në një fazë rindërtimi, as themelet nuk kanë mbetur?
Shiko se çfarë ka ndodhur. Para 160 vjetësh, kur e panë se nuk mbante më shtëpia dhe po binte, pasardhësit ishin të vetëdijshëm për origjinën e tyre nga dera e Pjetër Budit, se e kujt ishte shtëpia dhe çfarë rëndësie kishte ai njeri i shenjtëruar për ta. Përsa i përket rindërtimit, edhe në punimet e Emin Rizës ka skema që theksojnë këtë moment; sesi ka qenë dikur, sesi është ruajtur çdo element, madje edhe ndarjet midis gurit dhe drurit janë të përsëritur në mënyrë unike, siç kanë qenë.
 shtepia
Kur u shpall Monument Kulture shtëpia e Budit?
Monument Kulture është shpallur rreth viteve ‘60-‘66 në mos gaboj, ndërsa jam duke kujtuar një moment kur ishte një përvjetor lindjeje i Pjetër Budit në 1966-n. Pra 400-vjetori i lindjes, nga 1566 deri në 1966. Dhe shtëpia është shpallur monument kulture për të dy treguesit, si banesë me vlera shqiptare të përfillshme arkitekturore dhe si banesë me vlera historike për shkak se ishte vatra ku kishte lindur Pjetër Budi.
 
I ke takuar pasardhësit e Budit në Gur të Bardhë? 
Po. Kam qenë tek ajo shtëpi. Por aty kanë ndodhur ndryshime me banorët e kësaj shtëpie. Ata janë në situata të tjera krahasuar me paraardhësit, kanë ndryshuar fenë. Ka diçka që mbart një enigmë, e që duhet zbuluar si e tillë. Pse ndodhi dhe kur ndodhi. Perandoria osmane ka bërë ndërhyrje në atë zonë. Aty në Gur të Bardhë është edhe Petralba, një nga kalatë që veronte familja e Gjergj Kastriotit, vetëm tre-katër kilometra nga shtëpia e Budit.
 
Sa vite ka që nuk është vënë dorë te shtëpia e Budit?
Që nga ’85-a nuk ka asnjë ndërhyrje. Do të ishte me vlerë rijetëzimi i monumenteve të gjithë zonës, dhe me vlera pelegrinazhi, siç e ka gjithë bota, që të shkohet te shtëpia e shkrimtarit.
 
Çfarë gjurme ka mbetur ende nga Pjetër Budi në atë mjedis?
Ka mbetur përkatësia. Sepse ai vend pavarësisht se aty jetojnë familje me besim mysliman, quhet ende “Qafë e Kishës”, quhet “Shtëpia e priftit”, por edhe shtëpia e Budit. Këto tri emërtime nuk kanë ndryshuar kurrë. Dhe çuditërisht aty bashkëjetojnë terma që kanë të bëjnë me botën katolike që i kanë patur dikur dhe terma të botës myslimane.

Pra është bërë një ndryshim i besimit shpirtëror i përfillshëm, por pasardhësit e tij asnjëherë nuk kanë vënë në dyshim se janë pasardhës të Budit. Në atë zonë janë ruajtur mbiemrat katolikë, siç jam edhe unë, emrin e kam mysliman, Behar, dhe mbiemrin e kam Gjoka. Vlen të kujtojmë se në atë shtëpi ka qenë edhe Ndre Mjeda dhe ka lënë disa shënime që të shtohet përkujdesja.
 
s2Për cilat vite bëhet fjalë?
Ndre Mjeda ka qenë në atë shtëpi aty rreth viteve ‘30. Shënimet e Mjedës kanë një vlerë studimi dhe përshkrimore.
 
Ju thatë më sipër se janë 10 Monumente Kulture që lihen në harresë në Gur të Bardhë. Cilat janë këto? 
E para shtëpia e Budit, Kalaja e Petralbës, një shesh me kalldrëm, disa banesa tradicionale, siç është p.sh, banesa e profesor Muharrem Dezhgiut e të tjerë, veshjet e zonës. Është Ura e Vashës, kjo urë është fantastike dhe për fat është ende e ruajtur, etj, etj.   

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës