TIRANE- Sot mësues nga i gjithë vendi i janë nënshtruar në kryeqytet testimit të njohurive të tyre për të fituar një prej shkallëve të kualifikimit mbi bazën e të cilave përcaktohet edhe shtesa mbi pagë që ata do të përfitojnë. Për mësuesit që do fitojnë kategorinë “i kualifikuar” shtesa mbi pagë do të jetë 5 për qind, për kategorinë “mësues specialist” 10 për qind dhe për kategorinë “mësues mjeshtër” 20 për qind. “Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS, u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesën e pagës”, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për provimet e kualifikimit.

Testimi për të gjithë mësuesit nga qytete të ndryshme të vendit u zhvillua në shkolla të ndryshme të Tiranës, nga ora 10:00-12:30. Por, mësuesit duhet të paraqiteshin 1 orë e gjysmë para provimit në shkollën që i ishte caktuar nga Drejtoria Arsimore e rrethit përkatës. Sipas udhëzimit të MAS, vlerësimi përfundimtar i kandidatit do bëhet me sistemin e 100 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e portofolit, bonuesve, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të testit. Më shumë se gjysma e pikëve në vlerësimin përfundimtar rreth 70 për qind do t’i përkasë testit me shkrim, ndërsa pjesa tjetër 30 për qind portofolit bashkë me bonuset.

“Kandidati vlerësohet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondon përkatësisht vlerësimit me fjalët ‘shkëlqyeshëm’, ‘shumë mirë’, ‘mirë’, ‘mjaftueshëm’ dhe ‘dobët’. Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi i tij përfundimtar është E (‘dobët’) si dhe në rastin kur nuk ka fituar pikët minimale në të paktën, njërën nga dy pjesët e testit”, sqarohet në udhëzim. Një vit më parë, në testimin e kualifikimit morën pjesë 3843 mësues nga të katër ciklet e shkollimit parauniversitar. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në procesin e kualifikimit 2013, grupi më i madh i mësuesve të përfshirë në kualifikim është ai i vlerësuar mirë, 53.66 për qind, dhe shumë mirë 31.75 për qind. 

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)