Shteti drejt falimentimit

Rritja e vazhdueshme e deficitit financiar në njërën anë, si dhe rritja e borxhit publik në anën tjetër, në masë të madhe po e rrezikojnë stabilitetin financiar në vend.
Gjithnjë e më shumë shteti po shkon drejt fundosjes ekonomike, madje parametrat e fundit janë alarmante, edhe pse si të tilla nuk pranohen nga institucionet shtetërore.

Importet sidomos nga Serbia, nga Maqedonia e Shqipëria, por edhe nga shtetet e ndryshme të Bashkimit Evropian, po shënojnë rritje e në anën tjetër eksportet kanë stagnuar, pasi që ka rënë prodhimi vendor. Konkurrenca, shpesh e pandershme, ka shkatërruar, ose është duke i shkatërruar ata pak prodhues vendorë, që kanë mbetur në këtë Republikë.
Me buxhetin e vitit 2014, deficiti buxhetor është planifikuar të jetë hiç më pak se 133 milionë euro.

Mirëpo, që nga muaji mars ai (deficiti) është rritur edhe përreth 80 milionë euro nga vendimi i kryeministrit për rritje të pagave për 25 për qind.
Por, nuk është vetëm ky vendim i kryeministrit në largim që ka ndikuar direkt në rritjen e deficitit buxhetor në vend.

Ka edhe plot vendime të tjera që në masë të madhe kanë implikime financiare në buxhet. Rasti më i freskët është ai i Universitetit të Prishtinës, ku të gjithë studentët e rinj do të regjistrohen në vitin e parë akademik pa paguar asnjë cent, ku ka një implikim buxhetor prej hiç më pak se 5 milionë euro.

Deri më tani, askush nuk e di se nga do t’i krijojnë pagat profesorët universitarë, ngase ata sivjet nuk kanë asnjë të hyrë.
Por sipas parashikimeve që janë bërë, situata ekonomik në vend do të rëndohet sidomos në fund të vitit, kur dihet se dy institucionet që grumbullojnë të hyra për arkën e Shtetit, nuk po arrijnë të zbatojnë planin e tyre për inkasimin.
Sipas të dhënave zyrtare deri më tani Dogana ka mbledhur 460 milionë euro nga 930 sa duhet t’i mbledhë deri në fund të vitit.
E ndërkaq, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) deri më tani ka arritur të grumbullojë 182 milionë euro nga 367 sa është e paraparë me buxhet.
E nëse vazhdon ky trend, deri në fund të vitit Kosova do të përballet së paku me 300 milionë euro deficit, por edhe rreth 700 milionë euro të tjera në emër të borxhit publik, e ku viti i ri pritet të nisë me hiç më pak se 1 miliardë borxhe nga 1.6 miliardë sa planifikohet të jetë buxheti gjatë vitit të ardhshëm.

Mirëpo, këtu nuk është fundi i krizës, situata mund të eskalojë edhe më shumë nëse disa nga vendimet e kryeministrit në largim vihen në jetë siç është ai për subvencionimin e bujqve, që ka një kosto prej hiç më pak se 180 milionë euro, por edhe shumë vendime të tjera me kosto më të vogël, por që rrisin në masë të madhe deficitin buxhetor që vjen.

Nuk është larg mëndësh, që në fillim të vitit që vjen shteti mos të ketë as të hyra për të paguar pagat e sektorit publik në vend.
Andaj ndalja e punëve publike, që momentalisht mund të konsiderohen si”luks”, siç është rasti i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Shkup, është alternativa e vetme për të kaluar përkohësisht krizën, e në të kundërtën shteti do të kolapsojë së bashku me qindra kompani ndërtimore, që kanë kryer punë publike dhe asnjëherë s’kanë marra para, as përmes proceseve të gjata e të mundimshme gjyqësore.
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 13:30

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?



×

Lajmi i fundit

Vdekja e 12-vjeçarit te Pediatria, reagon QSUT: Humbi jetë nga miokardi akut

Vdekja e 12-vjeçarit te Pediatria, reagon QSUT: Humbi jetë nga miokardi akut