Studiuesit shqiptarë që kane patur mundësinë dhe rastinn të hulumtojnë dhe studiojnë deri me tani në Arkivat Sekrete të
Vatikanit, janë shumë të paktë. 4 studiues, gjatë gjithë historisë së popullit tonë dhe ata nuk kanë patur rastin të hulumtojnë për një kohë relativisht të gjatë në këtë arkiv, aresye kjo serioze, e cila i ka kufizuar në rezultatet e studimeve të tyre.

 Sipas të dhënave zyrtare të nxjerra nga Arkivi Sekret i Vatikanit, (më tutje në shkrim do ta quajmë shkurt ASV), që kur mbahen shënime për studiuesit të cilët kanë hulumtuar aty, madje edhe më parë se të hapej për studiuest, historianët dhe të tjerët, del se i vetmi studiues deri afër fundit të shekullit XX, ishte Dr.Gjon Nikollë Kazazi.

Imzot Dr. Gjon Nikollë Kazazi, gjatë vitit 1744 është i pari studiues shqiptar, që bën hulumtime ne Arkivin Sekret të Vatikanit.
Dr.Pranvera Bogdani, specialiste e mesjetës për periudhën e para pushtimit osman, bëri hulumtime shkencore në ASV gjatë viteve 1992-1993, e dërguar nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave, Tiranë.

Dr.Musa Ahmeti, specialist i mesjetës për shekullin e XV, përkatësisht për epokën e Skenderbeut, bën hulumtime shkencore në ASV që nga viti 1994-2006. Dr.Etleva Lala, specialiste e mesjetës për shekullin e XIV, përkatësisht për Regnum Albanie dhe Kuria papnore në shekullin e XIV, bën hulumtime shkencore në ASV që nga viti 2000-2006.

Pra siç shihet, Arkivi Sekret i Vatikanit është studiuar mjaft pak nga studiuesit shqiptarë deri më sot e kjo mendoj se ka ardhur veçanërisht për shkak të mungesës së traditës në studime historike dhe arkivistike në vendin tonë por edhe për shkak të mungesës së shkollave të gjuhëve klasike dhe paleografisë. Mungesa e këtyre shkollave ka qenë e lidhur ngushtë edhe me problemet ekonomike që ka kaluar dhe po kalon vendi ynë.

Izolimi i vendit tonë gjatë periudhës së komunizmit, u kthye në paralizues edhe për ato pak përpjekje që kishin filluar në fillim të shek. XX për krijimin dhe konsolidimin e studimeve historike duke përfshirë edhe ato të gjuhëve klasike.

Mundësia sot e studiuesve, por edhe e brezit të ri për të kryer hulumtime dhe studime në këto arkiva mbetet akoma e vogël, pasi jo vetëm që paleografia sot nuk po studiohet e ushtrohet, por, ajo madje po zhduket pothuajse fare edhe si koncept nëpër universitetet tona, e si shkak mesa duket per këto lëndë është mungesa e përgatitjes së duhur ose mosnjohja e mirë e gjuhëve klasike greke e latine; Mësimi i latinishtes dhe greqishtës së vjetër është reduktuar në maksimum nëpër shkolla e universitete, shprehi këto bazë për një punë të sukseshme në çfarëdo lloj arkivi, aq më tepër në atë të studimeve në AS të Vatikanit.

Një pengesë tjetër e konsiderueshme sot është edhe vështirësia e sigurimit të mjeteve financiare, e cila do të siguronte dhe mundësonte një qëndrim relativisht të gjatë në Rome, Stamboll, Barcelonë, Venedik, Budapest, etj, për të kryer hulumtime dhe studime të themelta në Arkivat Sekrete të Vatikanit, apo në vendet e tjera ku ruhen dokumenta të shumta për historinë. Shteti shqiptar i cili po bën përpjekje për të përballuar problemet e shumta ekonomike sidomos këto vitet e fundit, ndjen vështirësi financiare për të mbështetur dhe sponsorizuar grupe studiuesish apo studiues të veçantë, specialistë, te cilet do të punonin për të "zbuluar gurët e themelit" të popullit tonë.

Për te realizuar kërkime sot për sot disa studiues shqiptarë po i përkrahin financiarisht organizata të huaja joqeveritare, të cilat janë të interesuara për të ndihmuar vendet e tyre. Këto organizata duke nxjerrë në të njëjtën kohë përfitime nga politikat që përkrahin projektet ndërkombëtare, kanë shtrirë projektet e tyre edhe në Shqipëri, duke u dhënë mundësi disa studiuesve shqiptarë që të studiojne në fusha pothuajse krejt të pambuluara në Shqipëri.

KISHA DHE HISTORIA
Dokumentat që flasin për historinë e Shqipërisë dhe që ruhen në Arkivin Sekret të Vatikanit janë të shumta, jo aq për shkak të fqinjësisë së Shqipërisë me Italinë, gjë e cila ka bërë që kontaktet midis dy vendeve të jenë mjaft të shpeshta dhe gjurmëlënëse, por më tepër për shkak të politikës universale të kishës katolike për të prezantuar besimin katolik në të gjithë botën. Në këto plane trojet shqiptare zinin vend të rëndësishëm në mozaikun e interesave të Kurisë së Selisë së Shenjtë, ndaj Ballkanit.
Papati parapëlqente të lidhej diplomatikisht me mbretëri të konsoliduara apo që jepnin shpresa për konsolidim, dhe me kryeipeshkvi, ipeshkvi, dhe dioqeza të mëdha dhe frytdhënëse. Trojet shqiptare nuk ishin nën hegjemoninë e një mbreti apo të një udhëheqësi deri në fillim të shekullit të kaluar, pra në këtë pikëpamje nuk kishte shumë premisa për të pasur lidhje të forta me papatin.
Sidoqoftë regjistrohen kontakte të shpeshta të këtij të fundit me Kishën Katolike Shqiptare, me kryeipeshkvitë, ipeshkëvitë dhe dioqezat e shumta shqiptare që ishin relativisht të forta ekonomikisht në mesjetë dhe që ishin aq të forta shpirtërisht saqë delegonin misionarë në të gjithë bregdetin dalmat për të marrë përsipër poste të tilla të rëndësishme fetare si atë të priftit, ipeshkvit, kryeipeshkvit, etj.
Përveç kësaj trojet shqiptare ishin në udhëkalime të rëndësishme gjeografike për në thellësi të Ballkanit dhe për në Konstantinopojë, si dhe në kufirin midis kishës katolike dhe ortodokse, gjë e cila u jepte atyre pushtet, i cili po të mos vihej në duart e papatit do të vihej në duart e "kundërshtarëve" të tij. Kështu Selia e Shenjtë, jo vetëm që nuk i kishte lënë jashtë vëmendjes së saj shqiptarët dhe trojet e tyre, por përkundrazi i ka përkrahur.

DOKUMENTET ORIGJINALE
Arkivi i Vatikanit shquhet kryesisht për pasurinë e tij të dokumentave origjinale nga fusha të ndryshme. Më mirë të regjistruara janë bulat papnore, të cilat dallojnë nga dokumentet e tjera papnore jo vetëm për nga solemniteti i stilit të të shkruarit, por edhe se në origjinal mbajnë një vulë të plumbtë, nga e cila kanë marrë edhe emrin bulla.

ÇFARE GJENDET

Serinë më të famshme dhe më të vjetër të këtyre dokumentave e përbëjnë Registra Vaticana. Ky fond pra mbulon mirë një periudhë prej disa shekujsh, dhe është konsideruar si burimi më i mirë për historinë e Evropës në përgjithësi, gjithashtu edhe burimi më i mirë për historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Registra Lateranensia është seria që mbulon me mirë se të gjithë të tjerat periudhën e lavdishme të Skënderbeut. Bulat origjinale në pergamene të formatit të madh, shpesh të zbukuruar me flori gjenden në Instrumentia Miscellanea. Përsa i përket historisë ekonomike të vendit tonë, fonde me vlera të papërsëritshme janë Obligationes et Solutiones, i cili përbëhet nga fatura e relazione kryesisht me përmbajtje financiare, raporte, kërkesa, etj, nga ku mund të nxirren të dhëna për pagesat që bënin ipeshkvët, abatët, etj. tek papati. Vëllimet e fondit Introitus et Exitus përmbajnë dokumente për shpenzimet dhe të ardhurat e Selisë Apostolike. Fondi Collectoriae Camerae përmban fatura që kanë regjistruar paratë e dorëzuara kolektorëve të papatit nga secili vend. Këto fonde janë burime informacioni shumë të rëndësishme për të vlerësuar gjendjen ekonomike të dioqezave të ndryshme shqiptare.
Disa nga fondet kryesore dhe më të rëndësishme për historinë e Shqipërisë në Arkivin Sekret të Vatikanit janë:
Fondi Registri Vaticani është formuar nga regjistrimi i të gjitha letrave papnore, regjistrim ky që bëhej në Kancelarinë Apostolike, në Dhomën Apostolike dhe në Sekretarinë Papnore.
Fondi Registra Lateranensia nga viti 1389 deri në vitin 1897 e ka marrë këtë emër nga që kur u kthyen nga Parisi në vitin 1817 u ruajt për një kohë në Pallatin Lateran deri në vitin 1892, kur u dorëzuan për mbikqyrje në Arkivin e Vatikanit.
Fondi Instrumenta Miscellanea zënë vendin kryesor në fondet diplomatike. Këtu, Dr.Musa Ahmeti ka gjetur shumë letra origjinale të Skëndërbeut.
Fondi Archivio della Cancellaria della Nunziatura Veneta përmbledh dokumenta nga 31 manastire të Venedikut, por që janë shumë të pasur sidomos përsa i përket periudhës venedikase në Shqipëri.
Fondi Archivium Arcis, njihet ndryshe edhe si arkivi i kështjellës së Shën Engjëllit ku janë ruajtur të gjitha regjistrat e privalegjeve të dhëna nga papati.
Përsa i përket historisë ekonomike të vendit tonë, fonde me vlera të papërsëritshme janë Obligationes et Solutiones nga vitet: 1295-1555, fond ky që përbëhet nga fatura e relacione kryesisht me përmbajtje financiare, raporte, kërkesa etj. nga ku mund të nxirren të dhëna për pagesat që bënin ipeshkvët, abatët, etj. tek papati.
Fondi Registra Supplicationum përmban letra lutjeje, kërkesash apo falenderimi, dedikimi që dërgonin klerikët e vendeve të ndryshme, ndër ta edhe shqiptarët, dhe është ndoshta fondi më me interes në këtë seri.

ECURIA E ARKIVIT

Kur Arkivi Sekret u ngrit në vitin 1611, të 80 dollapët e ndërtuar në mënyrë të veçantë vetëm për të mbajtur dokumentet pontifikale, u mbushën me dokumenta të papëve Pal V, Urban VIII, dhe Aleksandër VII. Një e treta e gjithë dollapëve ishte e mbushur me pergamente. Dollapët shquhen për përmbajtje të shumëllojshme, dhe për një studiues nuk mbetet gjë tjetër veçse t'i përvishet punës aty, sepse asnjëherë nuk do të zhgënjehet nga rezultatet e saj. Që prej fillimit të tij, ai ka qenë në zhvillim të vazhdueshëm drejt një arkivi qendror të të gjithë dokumentacionit të shtetit të Vatikanit.
Në 1893 erdhi Arkivi Borgez, më 1907 Arkivi Konsistorial dhe më 1908 erdhi fondi shumë i madh i Sekretariatit të Breveve etj.
Në vitin 1892 erdhën nga pallati Lateran fonde të mëdha arkivore të Datari-së me dy seritë e mëdha të rëndësishme të Regjistrave të Suplikateve (Registra Supplicationum) dhe të Regjistrave Lateranezë (Registra Lateranensia), si dhe me seritë e Brevia Lateranensia (erdhi në vitin 1906), Minutae Brevium in forma gratiosa, Processus Datariae, Secretariatus Camerae, Expeditiones, Officiorum vacabilium, Abreviatores de Curia, Archivio dello Scrittore Segreto, Per Obitum, dhe Datary Miscellanea. Në këto seri gjenden suplikata, benefice, pensione, lëmosha, poste që janë për t'u shitur, processe informative për emërime ipeshkvësh, dhurata, etj.
Fondet e sekretarive janë gjithashtu të shumta për t'u numëruar, dhe janë mjaft të detajuara në dokumenta. Për të mos mërzitur lexuesin me emrat e shumtë po përmendim vetëm fondin e familjes së njohur Albani që përmban materjale për historinë e pontifikatit të Papës Shqiptar Klement XI-Albani, megjithëse edhe fondi Barberini, i cili tani ndodhet në Bibliotekën Apostolike të Vaticanit, e ka treguar veten si një thesar për historinë e Shqipërisë.
Arkivi Sekret i Vatikanit është një thesar për historinë e popullit tonë, histori të cilën deri tani e njohim në mënyrë të cunguar dhe ne mjaft raste më shumë të interpretuar sesa të dokumentuar. Ky arkiv i hap dyert e dokumentave mbas 100 vitesh. Kështu psh, në vitin 2012 mund të shikohen e studiohen dokumentat e vitit 1912. Mendoni se çfarë dokumentash do kishin gjetur studiuesit e historianët shqiptarë në vigjilie të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Puna e jashtëzakoneshme që kanë bërë në vite studiues shqiptarë mbetet me vlera të pakrahasueshme, krahas saj, sot merr një rëndësi puna në të ardhmen për të shkruar një histori të dokumentuar të Shqipërisë, të cilën Šufflay i madh e nisi me aq pasion, por që nuk e mbaroi dot. Besoj se studiuesit e sotëm Shqiptare do ta çojnë deri në fund, duke investuar në këtë mënyrë në të ardhmen e vendit, për t'i kthyer edhe atë pjesë të kujtesës së "humbur" të historisë së popullit tonë dhe për t'i dhënë identitet dhe orientim brezave që do të vijnë.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)