Shteti shqiptar i dhuron UNESCO-s ikonën 'Ngjallja e Llazarit'

Shteti shqiptar i dhuron UNESCO-s ikonën 'Ngjallja e Llazarit'

Ikona 'Ngjallja e Llazarit'

Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” e restauruar 6 muaj më parë, do t’i bëhet dhuratë UNESCOS-s. Ky është një nga vendimet më të fundit të Këshillit të Ministrave, që mban edhe firmën e kryeministrit të vendit Edi Rama.

Bëhet fjalë për një ikonë që vjen nga kisha e “Ungjillëzimit”, e realizuar ne fillimet e shekullit XIX. E vlerësuar nga specialistët si një vepër me nivel të lartë artistik, prej vitesh kjo ikonë ishte lënë në një gjendje tejet të degraduar. Pas procesit të restaurimit, që nisi gjatë muajit mars të këtij viti, ikonës i rikthehen vlerat artistike, duke dalë në pah koloriti i gjallë i veprës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në fletoren zyrtare, ku shkruhen edhe detajet e tjera për procedurat e dhurimit të kësaj vepre të trashëgimisë kulturore shqiptare si më poshtë:  

PER DHURIMIN UNESCO-S TË IKONËS “NGJALLJA E LLAZARIT”, NË KUADËR TË 60-VJETORIT TË ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË KËTË ORGANIZATË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhurimin UNESCO-s të ikonës “Ngjallja e Llazarit”, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, me të dhënat sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Dhurimi i ikonës “Ngjallja e Llazarit” UNESCO-s të bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit Civil dhe sigurimin e kushteve për ruajtjen e këtij objekti muzeor gjatë transportimit të tij brenda dhe jashtë vendit.

3. Ngarkohet Ministria e Kulturës për lidhjen e kontratës së dhurimit.

4. Ngarkohet Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkeologjik, Korçë, të kryejë procedurat për shoqërimin e ikonës “Ngjallja e Llazarit” deri në dorëzimin e saj tek UNESCO-ja.

5. Ngarkohet Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e veprimit të dhurimit të ikonës dhe monitorimin deri në tjetërsimin e pronësisë së veprës.

6. Ngarkohet ministri i Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA”

Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” lidhet më një rit të njohur fetar, që festohet të shtunën e parë para Pashkëve, e që njihet në historinë e Biblës me Ngjallja e Shën Llazarit – një nga mrekullitë e Jezu Krishtit.

Sipas besimeve popullore Llazari është mbrojtësi i pyjeve. Llazari simbolizon kufirin mes jetës tokësore dhe botës së përtejme. Atij i janë kushtuar shumë këngë dhe valle, të cilat pasqyrojnë urimet për shëndet dhe bereqet. Bekohen të zotët dhe të zonjat e shtëpisë, rinia, fëmijët dhe nuset. Vajzat e reja shkojnë shtëpi më shtëpi duke vallëzuar dhe atyre u shpërndahen vezë të palyera dhe para. Ky rit mbyllet me kthimin e vajzave nga ajo rrugë që kanë ardhur. Ikona “Ngjallja e  Llazarit” është përfaqësuese e artit ikonik shqiptar që mori një zhvillim të ri mes shekullit XVIII dhe XIX.  

Shek. XVIII në Shqipëri karakterizohet nga një zhvillim mjaft i rëndësishëm ekonomiko-shoqëror, me rritjen e tregtisë e të qyteteve, me ndërtimin e shumë institucioneve kulti dhe me stolisjen e tyre me vepra arti të gjinive të ndryshme.

Me mijëra janë ikonat dhe skenat e pikturës murale, që stolisin në Shqipëri monumentet e këtij shekulli, si dhe të shek. XIX. Nga mbishkrimet autografe, që ruhen në këto ikona, vërtetohet se janë vepra autorësh shqiptarë.

Ndër këta piktorë dallohen: David Selenica, nga Selenica e Kolonjës; Kostandin Shpataraku, nga Shpati i Elbasanit; korçarët Kostandin e Athanas Zografi me bijtë e nipat e tyre, me origjinë nga Potkozhani i Mokrës; Gjergj e Joan Çetiri, me bijtë e nipat e tyre, me origjinë nga Lavdari i Oparit; Nikolla Guga, me origjinë nga fshatrat e Myzeqesë, etj.

Ikonat e piktorëve shqiptarë ne shek. XVIII në Shqipëri, që i kemi quajtur të shkollës lokale të Korçës, siç konstatohet në përgjithësi për gjithë pikturën e këtij shekulli, përveç traditës vendase, paraqesin ndikime të shumta nga piktura e Athosit dhe nga arti perëndimor i kohës. Tek piktorët korçarë, Kostandin e Athanas Zografi, vërehen ndikime dhe nga stili barok. Ka edhe pak ikona të shpërndara të shkollës së Kretës.

Në krahasim me ikonat e shekujve të mëparshëm ato të shekujve XVIII paraqiten të një teknike më të ndërlikuar. Në to nuk vërehet më linja grafike dhe simetria bizantine.

Trajtimi i figurave të tyre realizohet me vizatime më reale, portretet modelohen me më shumë plastikë. Ambienti arkitektonik në skenë paraqitet i modeluar, në të nuk haset më perspektiva e kundërt, dhe shumohen elementet etnografike.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren