Është për të ardhur keq, madje për t’u ndjerë i turpëruar si qytetar i këtij vendi, kur e sheh Kosovën kështu, në rrugë qorre, në labirintin pa dalje.
“Udhën në oborr” këtij vendi ia kanë humbur dofarë burrash që po shtyhen me bërryla se kush do të ngjitet në krye të vendit për ta qeverisur shtetin.
Ka pesë muaj që Kosova është pa Kuvend, me një qeveri gjysmake dhe gati pa asnjë agjenci shtetërore funksionale, për shkak se bordeve u ka kaluar mandati.
E këto borde për t’u kompletuar duhet të votohen në Kuvend, në institucionin e bllokuar nga pesë kryetarët e partive politike, që po vazhdojnë të funksionojnë me inatin demagogjik të shqiptarit primitiv.
Ky dreq inati, që duket se e kemi në palcë të kombit, na ka përcjellë historikisht në shumë etapa dhe, fatkeqësisht, po vazhdon të na përcjellë edhe sot si një e keqe që do të na përcjellë deri në varr.
Asnjëherë nuk kemi arritur të kuptojmë se edhe humbja është virtyt demokratik nëse e pranon si të tillë. Është virtyt sepse nga dështimi merr leksion për ngitje të paskajshme.
Kjo vlen për të gjithë, për liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj për atë të “Vetëvendosjes”, Albin Kurtin, dhe për Fatmir Limajn e Nismës.
Aktualisht në skenën politike janë këta pesë burra dhe presidentja Atifete Jahjaga, e cila ia shton “koloritin” subjektiv lidershipit kosovar.
Edhe pse presidentja ç’është e vërteta, nuk ka ndonjë faj për këtë krizë politike e institucionale, por të tjerët janë përgjegjës për secilin minutë që Kosova e humb në shtetndërtim, në integrim dhe në imazh.
Është absurde të mendohet se njëri bllok i ka fajet e tjetri nuk ka hise në këtë të keqe. Të gjithë janë bashkëpjesëmarrës në krimin që po i bëhet shtetit, edhe PDK-ja që nuk po gjen partner për bashkëqeverisje, por edhe Blloku katërt partiak VLAN që nuk e ka mundësinë ligjore për ta bërë qeverinë.
Fundi i fundit, politikanët janë vetëm instrument në kohën që shërben dhe përfiton sa mundet, ndërsa shteti konceptualisht dhe logjikisht është më i madh se sa individët.
Të pavdekshëm mbetën vetëm dëshmorët, ata që u sakrifikuan dhe u flijuan për liri, ndërsa politikanët, nëse nuk përfundojnë në burg si Ivo Sanaderi i Kroacisë, të paktën nuk do t’i përmendë askush pas një kohe, aq sa po i përmendin sot Sinan Hasanin, Xhavit Nimanin, Mahmut Bakallin, etj.
Prandaj, është e udhës që të lihen anash inatet e shekullit dhe të mendohet racionalisht. Nëse nuk arrihet kompromisi i brendshëm të shkohet me një qeveri teknike, që do të jetë pak më mirë se hiç, por jo të vazhdohet me këtë logjikë bllokuese.
Presidentja, Atifete Jahjaga, po mundohet ta gjejë një zgjidhje, por fuqia e saj do të jetë shumë inerte karshi inateve të dy taborëve.
Ajo do të mundohet ta gjejë një kompromis, por duke pasur parasysh hendekun e krijuar ndërmjet dy krahëve, është vështirë të gjendet “ekuacioni”.
E për t’ia thyer krenarinë këtyre pesë burrave që po e mbajnë shtetin për kopreshi, ka ardhur koha që të intervenojnë të fortit.
Ata që e kanë zgjidhur çështjen e qeverisjes në 2002, ata që kanë gjetur ekuacionin për presidenten në 2011, e që do ta gjejnë edhe tash.
Kjo do të dëshmojë edhe një herë, se liderët në Kosovës nuk janë të mësuar me demokraci, por funksionojnë me logjikën e Azem Bejtës: “Nëse fitoj të hipi quksh, nëse humbi të gjuaj kobure”.