TIRANE- Kudo në Shqipëri, ka vende që për nga rëndësia dhe besimi që kanë krijuar personat që pretendojnë të dinë gjithçka, janë kthyer në “institucione besimi”. Janë të ndryshëm për nga mënyra që zgjedhin të ushtrojnë “fuqinë” e tyre, por të gjithë pretendimin më të madh e kanë në cilësinë për të parashikuar fatin për ditët, muajt apo edhe vitet në vazhdim. Kanë klientelën e tyre besnike, e cila nuk kursen as kohën dhe as të ardhurat për të mësuar të vërtetat e të ardhmes.

Ambjenti i përzgjedhur dhe atfosfëra e krijuar nga këta persona, është projektimi i parë i artit të tyre të mashtrimit. Pak errësirë, objekte të çuditshme që krijojnë ndriçim të paktë janë atmosfera e krijuar në shumë prej këtyre vendeve që zotërohen nga të ashtuquajturat “fallxhore”. Pamja e tyre është një tjetër impenjim që përforcon artin e tyre të manipulimit. Vetëm në kryeqytet numërohen rreth 50 gra që jetesën e tyre e kanë ndërtuar vetëm në këtë punë, nëse mund ta quajmë të tillë.
 
RRËFIMI
Vjosana Isaku studente në Tiranë, është një prej atyre vajzave që për shkak të besimit ka njohur shumë prej këtyre “parashikuese” të fatit. “Realisht besoj shumë në këto gjëra dhe kur ndonjëra prej tyre më tregonte apo më gjente diçka që me mua ndodhte me të vërtetë, fiksohesha shumë dhe shkoja vazhdimisht në atë vend”, tregon për "Shqiptarja.com", vajza nga Tirana. Sipas saj, janë me qindra vajzat të cilat shkojnë vazhdimisht tek këto gra. “Arsyeja kryesore është sepse për shkak të pasigurive jemi të interesauara të dim në lidhje me shkollën, fatin dhe çdo gjë që lidhet me të ardhmen tonë”, tregon e reja. Siç tregon kjo vajzë, edhe pse shpesh e humbin besimin dhe e dinë se thuajse të gjitha këto gra mashtrojnë dhe e bëjnë atë punë për të përfituar para, shkojnë të shtyra nga shoqëria dhe kurioziteti për gjërat që u thuhen atje.


Shkrimi u publikua sot (25.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)