ÇEKI - Skena të pabesueshme vijnë nga derbi i Pragës mes Slavias dhe Spartës, zhvilluar të shtunën. Në sekondat e fundit të ndeshjes, qindra huliganë të Slavias u futën në fushë dhe sulmuan futbollistët dhe tifozët e Spartës, me ndeshjen që po fitohej 3-2 nga Slavia dhe 'vendasit' ishin pranë titullit të nëntë në histori; çka e bën veprimin e ultrasve edhe më të pakuptimtë.
Kur duheshin edhe disa sekonda që arbitri Roucek t'i jepte fund ndeshjes, shumë nga tifozët e Slavias, të pajisur me flakadanë dhe sende të tjera në duar, kaluan barrierat e sigurisë dhe u futën në fushë, me panikun që kapi futbollistët, të cilët vrapuan për në dhomat e zhveshjes. Huliganët u drejtuan drejt tifozëve të Spartës duke i qëlluar me 'breshëri' mjetesh piroteknike dhe flakadanësh, ndërsa ndërhyrja e sigurisë shmangu më të keqen.
Portieri i Spartës, Jakub Surovcik, ishte një nga të lënduarit dhe ka bërë me dije se do të ndjekë procedurat ligjore. Në fushë si titullar për miqtë ishte edhe sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, teksa për fat nuk raportohet për të lënduar rëndë.
Policia çeke ndërhyri për të rivendosur rendin dhe tha se ka nisur procedime penale. Autoritetet konfirmuan se portieri i Spartës, Jakub Surovcik, ishte midis atyre që u vunë në shënjestër nga tifozët vendas dhe u godit nga një fishekzjarr.
Surovcik tha në një deklaratë në rrjetet sociale se do e ndiqte çështjen ligjërisht. “Që dikush të vrapojë dhe të më kërcënojë në fytyrë gjatë ndeshjes, e shoqëruar me një sulm, është absolutisht e papranueshme dhe unë do ta ndjek këtë çështje nëpërmjet kanaleve ligjore.”
Arbitri më vonë e anuloi ndeshjen për shkaqe sigurie. Mediat çeke raportuan se lojtarët e Spartës kishin frikë për sigurinë e tyre dhe u larguan nga stadiumi me autobusin e ekipit nën shoqërimin e policisë.
Klubi i Slavias së Pragës ka marrë masa dhe ka reaguar duke mbyllur tribunën nga nisën trazirat, teksa ka përjashtuar nga ekipi për arsye disiplinore edhe futbollistët Tomas Chory dhe David Doudera.
Kryetari i bordit të Slavias, Jaroslav Tvrdik, tha se ky ishte një turp për ekipin e tij dhe se do ketë masa të ashpra.
"Një grup njerëzish, refuzoj t'i quaj tifozë, vrapuan në fushë, sulmuan lojtarët e Spartës dhe hodhën mjete piroteknike në zonën e tifozëve miq. Ky nuk është futboll. Kjo nuk është Slavia. Është një turp që e ndajmë të gjithë", deklaroi kryetari i klubit.
Ai gjithashtu kërkoi falje të drejtpërdrejtë lojtarëve të sulmuar të Spartës, Jakub Surovcik, Jakub Martinec dhe Matyas Vojta, si dhe komunitetit të futbollit.
"Fjalët nuk mjaftojnë. Kjo është arsyeja pse sot po njoftoj vendimet e mëposhtme. Tribuna Veriore është e mbyllur për publikun me efekt të menjëhershëm", njoftoi Tvrdik.
Sektori kryesor i tifozëve në stadium do të mbetet i mbyllur derisa të identifikohen dhe ndëshkohen të gjithë autorët e kësaj ngjarje.
Komente







