Komisioni parlamentar i Ligjeve u mblodh të martën për të diskutuar ndryshimet në ligjin "Për Avokatin e Popullit", të propozuara nga Ministria e Drejtësisë dhe që synojnë forcimin e pavarësisë së këtij institucioni.

Fillimisht, deputetët e maxhorancës paraqitën disa propozime rreth projektligjit, i hartuar në bashkëpunim me misionin EURALIUS. Avokati i Popullit, Igli Totozani, i pranishëm në komision, kërkoi që të njihej më parë me këto propozime dhe më pas të jepte mendim rreth tyre. Mbledhja u mbyll brenda pak minutash, duke e shtyrë diskutimin e pr/ligjit për një mbledhje tjetër.

Ndryshimet në ligjin e Avokatit të Popullit konsistojnë në rritjen e pavarësisë së këtij institucioni. Në nenet e propozuara ndër të tjera është përfshirë dhe parashikimi që Avokati i Popullit është nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend.

Një tjetër ndryshim në ligj përcakton, se në rastet e mbarimit të funksionit të Avokatit të Popullit terminologjia e përdorur do të jetë 'shkarkim' dhe jo 'heqja' e tij. Po ashtu, riformulohet dhe neni 9 i ligjit që lidhet me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

ATSH