Edhe këtë të mërkurë seanca e tretë e gjyqit për çështjen “Veliaj” nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së avokatit kryesisht të një prej të pandehurve, Fatjon Baci. Veliaj nuk ishte i pranishëm por u përfaqësua nga avokati i tij Plarent Ndreca

Avokati Sajmir Vishaj i ftuar sot në ‘Studio Live tha pjesëmarrja në gjyq ose jo është një e drejtë e Erion Veliaj, teksa theksoi se çdo i pandehur ka të drejtë gjithashtu të njihet me provat dhe të ketë dijeni për to.

“E drejta e pjesëmarrjes në gjyq e Veliaj është e drejtë, por jo detyrim. Çdo njeri ka të drejtë të ketë dijeni, të dëgjohët para gjyqit, të marrë deri në dy avokatë, të njihet me provat dhe dëshmitarët. Të gjitha këto veprime kryebashkiaku i ka marrë  që në momentin kur ka përfunduar hetimet, është një afat prej 10 ditor që Prokuroria Speciale të jep mundësinë me të gjitha aktet nga faqja e parë te e fundit që së bashku me avokatët e t’i paraqitësh parashkrimet e tua kundër akuzës, pro ato prova që je dakord ose jo. Ky moment nuk u pranua nga Veliaj ndërkohë që filloi një lojë jo normale, filloi një lojë individuale me Prokurorin. Prokurori nuk punon aty për veten e vet por për emrin e shtetit dhe beteja duhet të jetë në emrin e akuzës dhe jo të Prokurorit. Kjo ishte një taktikë e gabuar”, tha Vishaj.

Vishaj theksoi gjithashtu se në asnjë vend të botës nuk ka ndodhur që një kryetar bashkie të ndërrojë pesë avokatë në një kohë të shkurtër. Sipas tij kjo është një taktikë e gabuar sepse nuk ka asnjë risi për çështjen.

“Në seancën përgatitore t’i mund të jesh pro ose jo dërgimit në gjyq ose mund t’i kërkosh kthimin e çështjes për rihetim në qoftë se Prokuroria nuk ka marrë ndonjë provë. Nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës që kryetari i bashkisë të vazhdojë me avokat të caktuar kryesisht ose të ndërrojë 5 avokatë deri tani. Kjo taktikë është e gabuar, kjo vetëm shtyn kohën e paraburgimit të tij po nuk ka asnjë risi në çështjen e tij ku ka tre drejtime: pafajësi, pushimin e çështjes dhe fajësi. Këto janë 3 elementë që ai duhet të përballet në Gjykatë.

Ai nënvizoi se derisa avokati i ri të njihet me të gjitha aktet çështja vazhdon dhe nuk e çon drejt një përfundimi të saktë

“Mendoj që edhe GJKKO ka gabuar se avokati i ri nuk mund të zëvendësohet pa dhënë dorëheqjen avokati që ka qenë. Derisa të mësojë avokati i ri të gjitha aktet, çështja vazhdon dhe nuk e çon drejt një përfundimi të saktë. Paraburgimi është shumë i rëndë sepse nuk e di akoma çfarë statusi mund të marrë çështja jote”, shtoi avokati.

Ndërkohë sa i përket rastit të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, Vishaj tha se kjo çështje është ndryshe nga ajo e Veliajt pasi këtu nuk dihet nëse i pandehuri është gjallë apo jo.

“Këtu ne nuk e dimë nëse i pandehuri është gjallë. SPAK është skeptik, pa ditur gjendjen e tij ku është nuk mund të veprojë ndaj tij sepse mungon edhe një dekret i presidentit ku të vërtetohet zhdukja e tij. Problemi është të gjendet fizikisht. Kjo është një çështje e rëndë, nëse nuk do të gjendet do të jetë e vështirë”, tha ai.