TIRANE- Zëvendësimi i avokatit mbrojtës të ish-drejtorit të thesarit të Bankës së Shqipërisë Dorian Çollaku është bërë shkak këtë të Mërkurë për mospyetjen e tij nga prokurori i cili kryeson hetimet për vjedhjen e thesarit Ramadan Troci.
 
Pyetja e Çollakut ishte planifikuar të bëhej në ambientet e paraburgimit 313 në kryeqytet ku sëbashku me prokurorin do të ishte i pranishëm dhe avokati i tij mbrojtës Mark Pëllumbi.
 
Avokati Pllumbi është paraqitur në ambientet e prokurorisë në orët e para të mëngjesit ku ka dorëzuar pranë prokurorit prokurën e përfaqësimit të Çollakut dhe kërkesën për shtyrje të marrjes në pyetje të klientit të tij për tu njohur më në detaje me dosjen hetimore.
 
E ndërsa të arrestuarit për skandalin e vjedhjes së thesarit kanë apeluar masat e sigurisë, deri në këto momente të vetmit që nuk kanë kërkuar të ndryshojë arresti me burg dhënë ndaj tyre janë dy punonjësit e magazinës së parave në objektin X-88 në Linzë, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.
 
Në dëshmitë e tyre për grupin hetimorë Bitraj dhe Bruzia janë të vetmit të arrestuar që kanë pranuar të kenë dijeni për vjedhjen, e teksa Bitraj pranon autorësinë duke shpjeguar se gjithçka e ka kryer i vetëm Bruziaj ka thënë se nuk kam treguar pasi ndjehesha e frikësuar.
 
Një burim nga Prokuroria e Përgjithshme i tha "A1 Report" se para datës 26 Gusht ku 7 ish-punonjësit e bankës do të dalin për vlerësimin e masës së sigurisë në gjykatën e apelit ndaj tyre do të përfundojë dhe ripyetja për të kompletuar dëshmitë dhe qëndrimin që do të mbajnë të dyshuarit për ngjarjen.
 
Njëherazi për vjedhjen janë duke u kryer dhe hetime pasurorë teksa ka rezultuar se 10 personat e prangosur mes tyre Çollaku, Bitraj dhe Bruzia rezultojnë të varfër.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)